Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka reaguar pas deklaratave të liderit të PS, Edi Rama gjatë bashkëbisedimit me gazetarët lidhur me situatën ekonomike dhe procesin e privatizimit të HEC-ve në vend. Përmes një deklarate për mediat, METE i ka cilësuar si mungesë totale informacioni deklaratat e kreut të PS, ndërsa e ka konsideruar si shantazh ndaj biznesit deklaratën e tij për anulim dhe mosnjohje të këtyre privatizimeve me ardhjen në pushtet të PS.
“Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës shpreh keqardhjen dhe zhgënjimin për qëndrimet emocionale dhe mungesën e plotë të informacionit të kryetarit të PS, z. Edi Rama në deklaratën e tij të fundit për shtyp për sa i përket situatës në disa sektorë të ekonomisë së vendit. Vlerësojmë se thirrje të tilla si ato të kryetarit të PS për anulimin e proceseve të privatizimit janë presion i drejtpërdrejt ndaj klimës së biznesit dhe shantazh ndaj investitorëve të huaj. Ndërkohë që çdo parti politike e ka detyrim të jetë konstruktive ndaj biznesit dhe investitorëve për të kontribuar në një klimë sa më të favorshme dhe të sigurt të aktivitetit të tyre”, thuhet në deklaratën e METE.
26 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)