Presidenti – Kolegji i ri zgjedhor formohet 5 ditë pas nxjerrjes së datës së zgjedhjeve, por Presidenti akoma nuk e ka dekretuar atë
Gjiknuri – Sekretari i Çështjeve Zgjedhore në PS shprehet se caktimi i 140 mandateve nga Kolegji mund të përbëjë një precedent të rrezikshëm
Kukësi – Dhënia e katër mandateve Qarkut të Kukësit është përplasja më e madhe mes PS-së dhe PD-së. Opozita thekson se ka rritje fiktive të popullsisë në këtë qark për qëllimeve elektorale
682 shtetas – Opozita pretendon se 682 shtetas në këtë qark janë shtuar vetëm katër muajt e fundit, çka përbën një dukuri më vete. Kjo lëvizje ka sjellë heqjen e mandatit të 8-të Beratit
Debati
Gjiknuri: Nëse mandatet i ndan Kolegji kjo do të ishte shumë e rëndë
BLEDAR HOTI
Çështja e ndarjes së mandateve të deputetëve të Kuvendit pritet të shqyrtohet nga Kolegji i vjetër Zgjedhor. Kjo për shkak se Kodi aktual Zgjedhor nuk parashikon ngritjen e menjëhershme të kolegjit, pa u nxjerrë dekreti i datës së zgjedhjeve të përgjithshme nga ana e Presidentit të vendit. “Shorti për përzgjedhjen e tetë gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë hidhet jo më vonë se 5 ditë pas dekretimit të datës së zgjedhjeve për Kuvendin. Jo më vonë se 48 orë pas daljes së dekretit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë shpall publikisht dhe boton në të paktën tri gazeta me tirazhin më të madh datën, orën dhe vendin ku do të hidhet shorti dhe u dërgon partive parlamentare listën e gjyqtarëve që do të përfshihen në short. Shorti hidhet në praninë e publikut, përfaqësuesve të partive politike, koalicioneve dhe të medias”, thuhet në nenin 146, pika 2 të Kodit Zgjedhor. Mbi bazën e kësaj i bie që kolegji i vjetër zgjedhor të shqyrtojë ankesën më të fundit për ndarjen e 140 mandateve, të cilën KQZ, për shkak të mungesës së kuorumit të votave nuk arriti ta miratojë në mbledhjen e dy ditëve më parë. Pas mosmarrjes së një vendimi nga ana e KQZ-së, Partia Demokratike pritet t’i drejtohet kolegjit aktual zgjedhor, në përbërje të të cilit janë Petraq Koço, Entela Prifti, Meriban Mullaj, Dhurata Haveri, Marie Qirjazi, Astrit Kalaj, Sashenka Jonuzi dhe Tom Ndreca. Vonesat e nxjerrjes së dekretit të kreut të shtetit për datën e zgjedhjeve, duket se po shkakton dhe pasoja në zgjedhjen e kolegjit të ri që do të administrojë ankimet e partive për procesin zgjedhor të 2013-s.
Reagimi i Gjiknurit
Partia Socialiste, nëpërmjet sekretarit për Çështjet Zgjedhore, deputetin e PS-së, Damian Gjiknuri, paralajmëroi rrezikun e vendimit të Kolegjit Zgjedhor mbi ndarjen e 140 mandateve. “Nëse do të jetë Kolegji Zgjedhor institucioni që do bëjë ndarjen e mandateve të deputetëve për çdo qark, kjo do të ishte shumë e rëndë për besueshmërinë e procesit zgjedhor të 2013-s”, tha Gjiknuri për “Top Channel”. Sipas tij do të ishte absurde nëse Kolegji Zgjedhor do të ndante mandatet e 140 deputetëve dhe jo të detyronte KQZ-në të ndërmerrte një vendim të tillë. “Kolegji, maksimumi që mund të bëjë është të detyrojë KQZ-në të marrë vendim, por KQZ-ja është në proces vendimmarrjeje dhe kuorumin e KQZ-së nuk e zëvendëson dot Kolegji. Janë nga ato lloj detyrash që nuk i ushtron dot gjykata, janë detyra të mirëfillta të administratës të ngarkuar me zgjedhjet. Përpara se të shkojmë në këtë lloj konflikti do të ishte më e udhës, më e pranueshme, më konsensuale që kjo çështje në ditët në vijim të zgjidhej, duke e detyruar Ministrinë e Brendshme të japë informacionin e kërkuar. Nuk ka asnjë sekret, nuk mund të pranohen justifikime të tilla, ‘jemi para të dhënave konfidenciale’, pasi emri, mbiemri, vendbanimi, ditëlindja, të gjitha këto të dhëna publikohen në listën e zgjedhësve dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të marrë vendimin për ndarjen e mandateve, sido që të jenë ato shifra. Nëse këto të dhëna janë të bazuara në bazë të legjislacionit për gjendjen civile le të bëhet, nëse pastaj Ministria e Brendshme nuk do t’i japë këto të dhëna dhe vërtetohet se ka probleme me to dhe rruga për ta zgjidhur këtë është përdorimi i gjykatës në mënyrë të paligjshme, këtu do të jemi përpara një rreziku shumë të madh për besimin për zgjedhjet e reja”, thekson Gjiknuri. Ai i shton argumentit për rritjen fiktive dhe të paligjshme të popullsisë në Qarkun e Kukësit, edhe faktin se PS vetë ka bërë investigime të këtyre emrave, të cilët rezultojnë se banojnë në zona të tjera. “Shqetësimi më i madh për ne është integriteti i regjistrit kombëtar të Gjendjes Civile dhe sjellja e shtetit ndaj procesit zgjedhor dhe nëse shteti shpreh mungesë totale të transparencës, fut duart, anashkalon një nga parimet e rëndësishme për neutralitetin e tij në procesin zgjedhor, këtu kemi të bëjmë me një problem shumë më serioz sesa fakti i qëndrimit të një mandati në Kukës, apo heqjes së një mandati në Berat”, tha Gjiknuri.
5 vota – KQZ-ja për ndarjen e 140 mandateve duhet të merrte një vendim me 5 vota pro të 7 anëtarëve. Por akti i ndarjes së numrit të deputetëve sipas qarqeve mori vetëm 4 vota pro
Tirana – Nëse Beratit dhe Korçës, i hiqen nga një mandat, Tirana dhe Durrësi janë qarqet që përfitojnë nga ndarja e re e 140 mandateve, duke përfituar nga një deputet më shumë
Poni: Po bashkëpunojmë me PS-në
Çuçi: Ministria na fsheh të dhënat
Demokratët dhe socialistët vazhdojnë përplasjet mes tyre për çështjen e listave dhe të ndarjes së mandateve. Eksperti i PS-së, Bledar Çuçi, tha dje se “ne kërkojmë transparencë për të na thënë informacionin e duhur që kush ka lëvizur; cilat janë praktikat e shtetasve sipas vendimeve të qeverisë; mirëpo na mohohet edhe ky informacion. Pra, dhe e drejta kushtetuese e çdo anëtari të KQZ-së, por qoftë dhe e çdo deputeti, por qoftë dhe e çdo shtetasi për informim është mohuar në këtë rast në mënyrë flagrante”. Sipas tij, Partia Socialiste nuk ka mundur të hetojë më tej, në njësitë ku ajo ka dyshime për rritjen e numrit të banorëve. “Pa marrë këtë informacion ne nuk mund të hetojmë më tepër, sepse nuk mund të shkojmë të trokasim te zyra e gjendjes civile e të hyjmë me dhunë në Komunën Topojan për shembull”, tha më tej Çuçi. Por zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, shprehet se për sa u përket listave po bashkëpunon me PS-në. “Ne themi vetëm atë që ka regjistri, nuk ka rrugë tjetër ajo do të thuhet. Sa herë të na pyesin ne, në këtë variant që është ndërtuar thonë sa është numri i popullsisë në çdo njësi vendore dhe në momentin e caktuar. Ky është pasqyrimi rigoroz i situatës nuk ka vend as për aludime, as për ndërhyrje, është e pamundur regjistri pasqyron sa është situata në atë kohë”, tha Poni.