Raporti vjetor i OSBE-së
Raunig: Zyrtarët e lartë, të përfshirë në sjellje jo të përshtatshme. S’ka bilanc për dënimin e tyre
Raporti i OSBE-së për Shqipërinë, i paraqitur në mbledhjen e përvitshme në Këshillin e Përhershëm në Vjenë nga ana e ambasadorit Florian Raunig, fokusohet në reformat e ndërmarra nga ana e qeverisë, në çështjen e dekriminalizimit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në situatën politike. Në raportin prej 13 faqesh, të publikuar nga “Top Channel”, bëhet e ditur se vlerësohet puna për reformat e ndërmarra deri më tani nga ana e qeverisë. “Qeveria e Shqipërisë, një koalicion i Partisë Socialiste, drejtuar nga Kryeministri Edi Rama dhe LSI-ja, udhëhequr nga Ilir Meta kryetar i Kuvendit, kanë mbështetur drejtimin e reformave në fusha kyçe. Koalicioni qeverisës është duke treguar vendosmëri për reformat strategjike kaq të nevojshme si ato në sektorin e drejtësisë përmes një procesi në përgjithësi të fortë, ku përfshihet ekspertiza ndërkombëtare dhe ajo vendase, përfshi së fundmi edhe opozitën”, thuhet në dokumentin e lexuar nga Raunig.
Raporti analizon edhe aksionet politike të opozitës. “Opozita, e drejtuar nga Partia Demokratike, vazhdon në mënyrë të rrëmujshme sulmet ndaj qeverisë, duke argumentuar, ndër të tjera, se qeveria është e korruptuar, si dhe strukturat shtetërore përfshi administratën publike, duke emëruar individë në pozicione të rëndësishme me të shkuar kriminale. Opozita, në mënyrë të përsëritur, ka refuzuar të marrë pjesë në procesin e reformave kyçe si ajo në drejtësi dhe për disa paketa ligjore të rëndësishme.
Në raport përshëndetet puna e Policisë së Shtetit në luftën me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike”, theksohet më tej.
Dekriminalizimi
Në raport flitet dhe për arrestimin e disa deputetëve të së majtës, si Frroku, Doshi dhe Prenga. Ambasadori Raunig, duke komentuar “çështjen e dekriminalizimit të Parlamentit dhe strukturave në të dyja nivelet, si në qeverisjen qendrore dhe lokale”, shprehet se kjo çështje “është më e gjerë se këto raste të veçanta, ngaqë ka pretendime të besueshme se zyrtarë të lartë (si në të kaluarën dhe në të tashmen) janë përfshirë në sjellje jo të përshtatshme për pozitat e tyre”. “Në atë që mund të përbëjnë progres të kufizuar kohët e fundit, në mars të vitit 2015, pas një kërkese të Prokurorit të Përgjithshëm, Kuvendi hoqi imunitetin e dy anëtarëve të Parlamentit nga koalicioni qeverisës, të akuzuar për dëshmi të rreme dhe vrasje. Kuvendi votoi gjithashtu më 7 shtator për të hequr imunitetin e një tjetër deputeti të koalicionit qeverisës pas përfshirjes së tij në një grindje të armatosur. Kryeministri Rama vuri në dukje mbështetjen e plotë të qeverisë për mbajtjen përgjegjësi të deputetit për veprimet e tij. Çështja e dekriminalizimit e Kuvendit dhe në dy strukturat e qeverisjes qendrore e lokale është më e gjerë se këto raste të veçanta, është më e gjerë se këto raste të veçanta, ngaqë, ka pretendime të besueshme se zyrtarë të lartë (si në të kaluarën dhe në të tashmen) janë përfshirë në sjellje jo të përshtatshme për pozitat e tyre. Kjo është një çështje që duket se do të nxisë diskutimin publik për ca kohë në të ardhmen. Sigurisht që do t’i shërbejë qeverisjes demokratike në Shqipëri nëse ky debat do të sjellë përpjekje konkrete për të paditur zyrtarë të korruptuar, përfshirë anëtarë të Parlamentit, por edhe të bëjë të mundur që zyrtarët publikë të respektojnë standardet më të larta etike. Në këtë dritë, Partia Demokratike ka dorëzuar projektligjin më 4 shtator për dekriminalizimin në Kuvend”, thuhet në raport. Ndërsa sa u përket ndëshkimeve të zyrtarëve, Raunig ka theksuar se nuk ka një bilanc të ndjekjes apo të dënimit të elitave politike. “Pavarësisht iniciativave për të proceduar penalisht disa zyrtarë të nivelit të mesëm, Shqipëria nuk ka mundur ende me bilanc të ndjekjes një bilanc të ndjekjes apo dënimit të elitave politike dhe ekonomike, veçanërisht lidhur me pasurimin e paligjshëm, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thuhet më tej. Raporti i OSBE-së, kujton se “ndonëse në 2014-n u krijua një njësi për hetimin e korrupsionit pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ende nuk ka ndonjë bilanc për dënimin e zyrtarëve të nivelit të lartë”. “Llogaridhënia nga gjyqtarët mbetet një shqetësim serioz dhe duhet të balancohet si një nevojë për pavarësinë e drejtësisë. Që prej tetorit 2004, vetëm pesë gjyqtarë u vunë nën hetim, prej të cilëve tre për korrupsion dhe dy për fshehje pasurie. Këshilli i Lartë i Drejtësisë në 2014-n dha 13 masa disiplinore për gjyqtarët krahasuar me vetëm 1 në 2013-n”, thuhet më tej. Ndërsa për reformën në drejtësi, OSBE-ja konstaton se “qeveria së bashku me Parlamentin, reformën në drejtësi e kanë cilësuar si prioritet të vitit 2015. Nëse opozita nuk është pjesëmarrëse tërësisht, atëherë mund të dëmtohet kredibiliteti e qëndrueshmëria e reformës në drejtësi për të ardhmen”. Sipas OSBE-së, është ulur numri i padive për të larguarit nga puna. “Të gjitha ministritë kanë struktura të reja rekrutimi të punonjësve shtetërorë. E si pasojë është ulur ndjeshëm numri i padive për çështjet e punësimit me qeverinë të administruara në Gjykatën Administrative deri në gjysmën e 2015-s”, thuhet në raport.