KomisioniMbledhja e komisionit të posaçëm parlamentar për zbatimin e marrëveshjes mazhorancë-opozitë, i njohur ndryshe si komisioni i ‘dekriminalizimit,’ është shoqëruar me debate mes palëve. Që në fillim të mbledhjes, deputeti i PS-së, Taulant Balla, kërkoi që të shqyrtohet raporti i komisionit të Venecias për dekriminalizimin, ndërsa demokratët këmbëngulën që debati të çelej me dy draftet e dorëzuara prej tyre në Parlament, atë për “dekriminalizimin e institucioneve shtetërore” dhe disa shtesa e ndryshime në Kushtetutën e Shqipërisë.


“Propozoj që dy anëtarë të komisionit të posaçëm, nga mazhoranca zonja Hysi dhe nga opozita njëri prej anëtarëve, brenda një kohe të shkurtër të na bëjnë një përmbledhje të raportit të ardhur nga komisioni i Venecias dhe pastaj gjetjet që do të bëjnë dy kolegët, të jenë udhërrëfyesi për të shqyrtuar edhe propozimet që do të vijnë. Propozimet që kanë ardhur nga ana juaj dhe propozimet që do të bëjmë edhe ne” – deklaroi Balla.


Por kreu i komisionit, Oerd Bylykbashi vendosi të mos hedhë në votim propozimin e deputetit Balla. “Të gjithë anëtarët e komisionit kanë marrë dijeni për të gjithë brendinë e raportit të komisionit, material shumë i vyer. Gjykoj që ky komision nuk mund të diskutojë mbi raportin. Ne na ka ardhur si dokument që do të na udhëheqë në punën tonë dhe për rrjedhojë ne mund ta marrim të mirëqenë vetëm kështu. Ne marrim frytin e asaj pune. Shume i mirë si dokument na ndihmon” – deklaroi Bylykbashi. Pas disa minutash debat, u vendos që raporti i Venecias të diskutohet ne mbledhjet e ardhshme.


14 shtator 2015 (gazeta-Shqip.com)