Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës i kryesuar nga ish-parlamentari italian Luca Volonte, e vlerësoi si emergjente krijimin e një administrate zgjedhore të pranuar dhe mirëbesuar nga palët.
“Lidhur me situatën e krijuar në KQZ, na duhet të shikojmë zhvillimet e situatës zgjedhore në vijim, ne e kemi shprehur shqetësimin tonë për situatën në KQZ. Ne kemi diskutuar me partitë politike për këtë ngërç dhe mundësinë për tu kthyer besimin qytetarëve tek zgjedhjet dhe ky institucion. Vlerësimi ynë do vijë pas zgjedhjeve. Shpresoj që forcat politike të gjejnë një pikë reflektimi për t’i dhënë zgjidhje këtij ngërçi. Çështja e KQZ është shumë e komplikuar, unë nuk doja të komentoja për momentin. Ajo mbetet e hapur dhe për t’u komentuar pas zgjedhjeve. Ne jemi këtu për t’i inkurajuar drejtuesit e forcave politike për pasjen e një administrate zgjedhore që të japë rezultate të besueshme për zgjedhjet. Ne nuk jemi këtu për të caktuar përgjegjësit, por për dhënien e zgjidhjeve të mundshme të problemit. Ne jemi të mendimit që partitë politike, klasa politike, ka treguar në të shkuarën se ka gjetur zgjidhjen e duhur, si në rastin e miratimit të tre ligjeve”, ka deklaruar Volonte në konferencën e parë për shtyp.
Zyrtari evropian ka theksuar se është e rëndësishme jo vetëm të respektohet kodi zgjedhor, por përmbajtja dhe fryma e tij. Ai ka ngritur shqetësimin mbi presionet politike në të gjitha nivelet e administratës publike, pazaret për votën, mosrespektimin e kuotave gjinore, shqetësimin e medias për të mos pranuar kaseta nga partitë, gjithashtu edhe incidentet elektorale, ku për këto të fundit ai tha se gjatë takimit me Kryeministrin Berisha mori garanci për vënien para përgjegjësisë të autorëve.”Gjatë vizitës sonë ne kemi dëgjuar për një ose dy incidente, gjithashtu biseduam edhe me Kryeministrin. Në këto takime na u tha se hetimet do zhvillohen me shpejtësi me qëllim që autorët të dalin para drejtësisë dhe njëkohësisht të verifikohet nëse kanë lidhje me situatën parazgjedhore apo jo”, – ka thënë Volonte
Ai ka apeluar partitë politike të bashkohen për stabilitetin dhe frymën pozitive në zgjedhje, duke thënë se kjo provë u tregua edhe me votimin e tre ligjeve në Parlament, ndaj e vlerësoi të mundshme. “Asnjëherë nuk është thënë që zgjedhjet kanë qenë të lira dhe të ndershme, shpresoj që këto zgjedhje të dëshmojnë realizimin e standarteve ndërkombëtare, test ky që do ti hapë rrugë prespektivës europiane të Shqipërisë” përfundoi Volonte duke paralajmëruar rikthimin e delegacionit të Asamblesë së KiE ditën e zgjedhjeve, e që më pas do pasohet nga raporti përfundimtar.
Volonte shoqërohet në Tiranë edhe nga Alina Stefania Gorghiu, Petros Tatsopoulos, bashkëreporterët për monitorimin e Shqipërisë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco.
11 qershor 2013 (gazeta-Shqip.com)