Arratisja


SHKB arreston efektivët dhe rishpall në kërkim Nirgen Ymerin


makina e policiseArratisje e çuditshme nga duart e policisë e një 22-vjeçari, i cili ishte arrestuar rreth 10 ditë më parë, pasi drejtësia shqiptare e ka dënuar me 18 vite burg për një tentativë vrasje në vitin 2013. Kështu mund të konsiderohet ndodhia e mëngjesit të djeshëm, kur Nirgen Ymeri u ka ikur nga makina tre punonjësve të Forcës së Posaçme të Policisë së Tiranës, të cilët po e transportonin nga ambientet e drejtorisë së tyre për në burgun e Fushë-Krujës. Incidenti ka sjellë reagimin e menjëhershëm të autoriteteve policore, të cilat kanë nisur kërkimet për të arratisurin e konsideruar me rrezikshmëri të lartë dhe kanë arrestuar dy nga policët e togës së shoqërimit dhe hetimin në gjendje të lirë për shoferin e mjetit policor.


Arratisja nga makina


Policia e Tiranës bëri me dije që në mëngjes se i arratisuri është Nirgen Ymeri, i cili është dënuar me 18 vite burg. Sipas të dhënave, ai ka qenë duke u shoqëruar me një mjet policor nga Drejtoria e Policisë së Tiranës për në Fushë-Krujë, kur ka arritur t’i shpëtojë togës së shoqërimit. Menjëherë, toga e shoqërimit ka njoftuar kolegët e vet dhe policia ka ngritur postblloqe në të gjitha hyrje-daljet e kryeqytetit. Sipas të dhënave, arratisja ka ndodhur sapo mjeti policor ka kaluar mbikalimin për hyrje në Tiranë, kështu që operacioni më intensiv i kërkimit për kapjen e të riut të arratisur është zhvilluar në zonën e Yzberishit te pallatet e reja dhe në ndërtim të kësaj zone. Por, deri në orët e vona, pavarësisht kërkimeve të shumta, policia nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e tij. Sipas policisë, 22-vjeçari është arrestuar në datën 5 shtator dhe është mbajtur 10 ditë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Sipas të dhënave, rreth orës 13:00 të kësaj date, pranë Selitës, tek ish-stacioni i fundit i Tiranës së Re, nga Sektori i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në një lokal lagje, u bë kapja e të kërkuarit Nirgen Agim Ymeri, lindur dhe banues në rrugën “Hamdi Pepa” në Tiranë. Ymeri rezulton se në datën 8 qershor 2013, rreth orës 16.30, pasi ka ngacmuar motrën e shokut të tij, e ka plagosur këtë të fundit me pistoletë TT. Që nga ajo kohë, 22-vjeçari ka qenë i shpallur në kërkim deri më datën 5 shtator kur dhe u arrestua. Gjatë momentit të ndalimit më 5 shtator, Nirgen Ymeri u prezantua si Ilmi Osma, duke paraqitur një patentë me këtë emër dhe me fotografinë e vet. Përpara dhjetë ditësh gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Nirgen Ymerit, në rrugën “Hamdi Pepa”, te tregu ushqimor, banesë private trekatëshe, u kap vëllai i tij Olsi Ymeri me një automatik.


Arrestimi i policëve


Por, veç operacionit për kapjen e 22-vjeçarit të arratisur, hetime gjatë ditës së djeshme për këtë ngjarje ka kryer edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. Menjëherë pas arratisjes, SHKB ka marrë në pyetje tre policët, të cilët po shoqëronin Ymerin. Në deklaratat e tyre, nga grupi hetimor mësohet se ata nuk kanë qenë të qartë për mënyrën e arratisjes së të paraburgosurit, pasi ata kanë pretenduar se ai ka arritur të largohet, kur makina e shoqërimit ka mbetur në trafik. Në ato momente, mendohet se ai ka hapur derën dhe është larguar. Kjo nuk e ka bindur shumë grupin hetimor, pasi i riu duhet të ishte i prangosur, kështu që në kushtet e një arratisjeje të çuditshme dhe jo shumë të qartë, është vendosur të merren masa të menjëhershme për tre punonjësit e policisë. Burimet zyrtare të Ministrisë së Brendshme bënë të ditur se nga SHKB janë arrestuar Luan Mulgeci, 47 vjeç, me gradën kryeinspektor, me detyrë ndihmësspecialist i shoqërimit në Seksionin e Sigurimit të Shoqërimit të Forcave të Posaçme dhe Gëzim Dervishi, 50 vjeç, me gradën nënkomisar, me detyrë specialist informacioni. Po ashtu do të ndiqet në gjendje të lirë Gjoni Kerri, 50 vjeç, me detyrë shofer i togës së shoqërimit. “Arrestimi i këtyre punonjësve është kryer, pasi dyshohet se nuk kanë respektuar procedurat standarde të shoqërimit, duke mos zbatuar rregullat e sigurimit të personave të kërkuar. Si pasojë e mosveprimeve të tyre, ka arritur të largohet i dënuari Nirgen Ymeri, 22 vjeç”, deklaroi Ministria e Brendshme.