“La mamma”
Këngëtarja përfundon dënimin në Itali. Fqinjët: E kemi parë të qetë, po bën jetë normale
Këngëtarja Liljana Kondakçiu është depërtuar në Shqipëri, pasi ka përfunduar dënimin në Itali, ku u akuzua për trafik droge. “La mamma”, pseudonimi i zbuluar nga agjentët e policisë italiane për divën e muzikës shqiptare, prej katër ditësh është rikthyer në apartamentin në Tiranë, ku dhe banon me bashkëshortin. Sipas mediave italiane, Kondakçiu ka përfunduar dënimin me dy vite e tetë muaj burg dhe më pas është larguar nga Italia. Ajo banon në katin e pestë të një pallati në rrugën “Ded Gjo Luli” në kryeqytet. Dera qëndron e mbyllur, megjithëse fqinjët pohojnë se këngëtarja është në apartament. Të njëjtin fakt pohojnë edhe disa shitës, duke pohuar se “e pashë Liljanën para disa minutash, doli dhe bëri pazarin”.
Depërtimi nga Italia
Liljana Kondakçiu është depërtuar rreth pesë ditë më parë nga Italia. Këtë e konfirmojnë edhe fqinjët e saj, të cilët, në prononcime për gazetën “Shqip” pohojnë se “këngëtarja po bën një jetë normale”. “Prej pesë ditësh, zonja Kondakçiu qëndron në apartament. Jeta e saj është si e gjithë njerëzve të kësaj moshe. Del fare pak dhe gjatë këtyre ditëve ka pasur shumë vizita nga familjarë”, pohojnë fqinjët, të cilët nuk duan të identifikohen, pasi i druhen marrëdhënieve me familjen e këngëtares. Megjithatë, ata pohojnë se Liljana ka filluar të kujdeset për familjarët e saj, madje del shpeshherë dhe bën pazaret. “Para pak çastesh, e pashë me disa qese në dorë. Kishte qenë te dyqanet poshtë pallatit dhe kishte bërë pazaret, ndoshta për të përgatitur darkën. Na përshëndeti dhe më pas u largua në banesë”, pohon një fqinje e saj. Tentojmë të komunikojmë me familjen e këngëtares, por dera qëndron e mbyllur dhe asnjë prej anëtarëve të familjes nuk denjon të komentojë ardhjen e Liljanës nga Italia.
Arrestimi në Selanik
Këngëtarja e njohur Liljana Kondakçi është arrestuar në muajin prill të vitit 2010 në qytetin e Selanikut për llogari të drejtësisë italiane. Sipas policisë së kryeqendrës greke të veriut, Kondakçiu ishte shpallur në kërkim prej disa vitesh dhe është një ndër anëtaret e një bande të trafikut të lëndëve narkotike në Itali. Ajo është dënuar në mungesë prej drejtësisë italiane, ndërsa emri i saj ka dalë sërish në listën e personave të shumëkërkuar prej drejtësisë, për një tjetër trafik lëndësh narkotike. Ajo jetonte e fshehur në qytetin e Selanikut, në një banesë të marrë me qira prej të afërmve të saj në këtë qytet. Arrestimi i 60-vjeçares u bë prej agjentëve të antidrogës greke, pas evidentimit të banesës së saj. Sipas të dhënave hetimore, policia shqiptare, e cila mbante nën përgjim familjarët e saj, kishte kapur një telefonatë të Kondakçi nga Greqia dhe menjëherë informacioni i ishte dërguar palës greke. Pa vonuar, policia greke ka mundur të identifikojë vendndodhjen e Kondakçiut dhe më pas e ka arrestuar. Më pas, u ekstradua në Itali, ku dhe vuajti dënimin.
Historia kriminale
Liljana Kondakçi, artistja e njohur shqiptare, jo vetëm si këngëtare, por edhe aktore e disa filmave, u arrestua për herë të parë më 18 maj të vitit 2006, kur ishte nën shoqërinë e një shkodrani dhe në mjetin me të cilin po udhëtonin u gjetën 3.3 kilogramë kokainë. Në atë kohë, ajo sapo kishte mbërritur nga Shqipëria nëpërmjet Barit dhe në stacionin hekurudhor të Sibarit, në çantën e saj u kap kokaina. Burimet policore italiane theksuan se arrestimi u bë nga forcat e “Guardia di Finanza” dhe bashkë me këngëtaren shqiptare u kap Luan Kubareka. Personi mendohet të jetë nga Shkodra, por mbiemri i tij është pothuajse krejt i panjohur në qytetin verior. Artistja shqiptare thuhet se ndodhej në Itali e ftuar në një festë italo–shqiptare në Rimini. Popullariteti që gëzonte dyshohet se ka qenë mjeti më i fortë që ka përdorur këngëtarja lirike shqiptare Liljana Kondakçi për të trafikuar lëndë narkotike. Në vitin 2008, pikërisht në fund të tetorit, ajo doli sërish në përgjimet e policisë italiane. Rasti i dytë për Kondakçiun erdhi pas një operacioni, ku policia italiane identifikoi mbi 20 persona dhe shoqëroi shumë të tjerë, të akuzuar si pjesë e një organizate që merrej me trafikun e drogës. Banda udhëhiqej nga Saverio Magliari, që konsiderohet si kapoja e klanit “Altomonte” dhe se kishte lidhur kontratë me familjen Smajlaj nga Shkodra, për të blerë heroinë dhe kokainë. Zbulimi i grupit është bërë pas një operacioni të koduar “Shkodër”, në bashkëpunim me policitë e Cosenza, Vibo Valentia, Napoli, Roma, Peruxhia dhe Firence. Për këtë rast është dënuar edhe këngëtarja shqiptare, Liljana Kondakçi. Këngëtarja që ka lënë një emër të shquar në artin shqiptar është larguar jashtë vendit që me hapjen e kufijve pas vitit 1990. Sipas të ëmës, ajo ka jetuar gjatë gjithë këtyre viteve bashkë me të shoqin dhe vajzën e saj në Selanik të Greqisë. Ajo ka dhënë një sërë koncertesh në diasporë, por vinte shpesh edhe në Shqipëri, ku këndonte nëpër taverna të ndryshme. Në Greqi, këngëtarja ka vajzën të martuar me dy fëmijë, ndërsa ka lënë në Shqipëri një djalë 29 vjeç. s.ç