Dyshimet


Akuzë për armëmbajtje pa leje. Misteri i pistoletës tjetër dhe rrëfimi i të plagosurit


lokali ne patokFati i deputetit Armando Prenga do të varet nga veprimet që ai ka kryer gjatë përplasjes fizike, por momentalisht dyshohet se ka përdorur dy pistoleta, një me leje dhe një pa leje. Që një deputet mban armë me leje, kjo është brenda normave ligjore dhe pikërisht këtij fakti i mëshonte dje avokati i tij, Baftjar Rusi. Ky i fundit publikoi edhe foton e dhënies së lejes për armën. Por janë dy rrethana të pakundërshtueshme që “mbërthejnë” deputetin, policia dhe një i plagosur. Mes 3 akuzave që rëndojnë mbi deputetin, njëra është ajo e “armëmbajtjes pa leje”. I plagosuri Gjergj Cali thotë se Prenga i ka qëlluar me pistoletë, duke plagosur njërin prej të afërmve të tij. Nga hetimet e deritanishme mendohet se në duart e deputetit janë gjetur gjurmë baruti, çka saktëson faktin se ai ka qëlluar me armë. Por vetë Prenga thotë se qëlloi në ajër e për këtë arsye ka dorëzuar pistoletën që mbante me leje, ndërkohë që policia, duke u bazuar te dëshmia e Calit, ka ngritur dyshimet se ai ka përdorur edhe një tjetër pistoletë, me të cilën ka plagosur dy persona, por që nuk është gjendur. Për këtë arsye, grupi hetimor mendon se ai ka mbajtur dy armë gjatë konfliktit, megjithatë, kjo pritet të konfirmohet, pasi të kryhen të gjitha ekspertizat e nevojshme.


Arma me leje



avokati-i-armando-prengesBaftjar Rusi, avokati i deputetit Prenga mbron fort versionin që klienti i tij 41-vjeçar e kishte me leje armën. Rusi ka publikuar edhe një foto të lejes, e cila është dhënë më 26 janar të vitit 2015. Arma është pistoletë e tipit “Beretë” dhe ka numrin 67598. Avokati thotë se “Prenga akuzohet për armëmbajtje pa leje, që është çudia më e madhe dhe turp më i madh. Nuk mund ta akuzosh një deputet për armëmbajtje pa leje, kur shteti lehtësisht mund ta verifikonte që armën e kishte me leje”. Ndërkaq, avokati Rusi ka mohuar që Prenga të ketë qëlluar personat e plagosur, duke deklaruar se ai ka qëlluar në ajër për vetëmbrojtje. “Nuk është përdorur arma, është qëlluar në ajër për vetëmbrojtje të integritetit të jetës së tij. Arma është dorëzuar dhe e pranuar këtë që në momentin e parë që është pyetur se arma është përdorur në këto kushte. Arrestimi është i paligjshëm, asnjë dyshim për armëmbajtje pa leje, unë disponoj lejen origjinale që ka”, thotë avokati. Ndërkaq, në momentet e para kur deputeti ishte ndaluar, avokati tha se “Policia nuk më lejoi të takoj klientin. Kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut. Nuk kam dijeni për ngjarjen e ndodhur. Nuk më dhanë argument pse më ndaluan të takoj klientin”. Ndërkaq, mësohet se në dëshminë e tij Prenga ka thanë se kishte me vete vetëm armën që e mbante me leje.

Pistoleta

policia ne lacPolicia e Shtetit tha se “është arrestuar në kushtet e flagrancës deputeti Armando Prenga, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar i përfshirë në këtë ngjarje”. Sipas policisë, arresti në flagrancë i deputetit Prenga u krye me akuzat “Plagosje e rëndë, me dashje”, “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje serioze për vrasje”. Pra, policia ka dyshime të forta se Prenga mbante armë pa leje dhe nuk e llogarit beretën, për të cilën avokati thotë se ishte marrë leje në janar. Më tej, policia saktëson se në vendngjarje u gjetën 4 gëzhoja fishekësh të modelit 54, të cilat janë shkrehur nga një pistoletë, por nuk saktëson nëse bëhet fjalë për beretën apo të ndonjë lloji tjetër. Po ashtu, në përleshje mësohet se kanë pasur pistoleta edhe persona të tjerë. Për të saktësuar rrethanat e ngjarjes dhe për të vërtetuar akuzën e armëmbajtjes pa leje, policia ka marrë gëzhojat e gjetura dhe i dërgoi në Laboratorin Kriminalistik, për t’u krahasuar me gjurmët e barutit të gjetur në duart e Prengës. Për një periudhë nga 10 deri në 15 ditë pritet të dalin përgjigjet e këtyre analizave laboratorike. Gjergj Cali, 55 vjeç thotë se Prenga ka qëlluar me armë pistoletë në drejtim të tyre. “Na kanë ardhur një furgon policie në Patok kur ne ishim në punën tonë. U thamë mos na çoni në gjakderdhje, jemi në punën tonë. Na kanë nis një furgon policie, por ne i kemi thënë ju lutemi mos na çoni në Laç me na rreziku, do shkojmë në Tiranë, të bëjmë aty kallëzimin. Jo na thanë, hajdeni në polici të Laçit. Na kanë plagosur, unë në vesh e në sy, djali i axhës në krah. Ka qenë Prenga ai që ka qëlluar me pistoletë. Ndërkohë që edhe në spital na kanë kërcënuar me automatik”, tha Cali.