Hetimet


Doksani gjeti një alibi para hetuesve për zhvendosjen e skrapit nga magazina


Edmond Hoxhaj


Drejtori i Uzinës së Plehrave Azotike, Ferdinand Doksani, ka arritur të sigurojë një alibi për t’u mbrojtur nga pyetjet e hetuesve, duke mohuar kategorikisht dyshimet e policisë se ishte duke bashkëpunuar në vjedhjen e një sasie skrapi me vlerë prej rreth 11 milionë lekësh të reja. Burime të gazetës kanë bërë me dije se Doksani fillimisht ka hezituar t’u përgjigjet pyetjeve të hetuesve, por më pas ka dhënë versionin e tij lidhur me ngarkimin dhe shkarkimin e mbetjeve metalike.


Dëshmia në polici


Ai ka sqaruar se zhvendosja e mbetjeve metalike nuk kishte si destinacion shitjen për skrap. Sipas Doksanit, kur policia i ka prangosur, ai me vartësit e tij ishte duke punuar dhe jo duke vjedhur. “Nuk kishim asnjë arsye dhe asnjë qëllim që të shisnim mbetjet metalike që ndodheshin në magazinën e Uzinës së Plehrave Azotike. Ato mbetje metalike ndodhen aty prej shumë kohësh dhe askush nuk ka pasur qëllim t’i shesë për përfitime personale. Ne po seleksiononim gjithë mallrat e ndodhur në magazinë. Në inventarin e kësaj magazine nuk ka pasur mbetje metalike me vlerë 11 milionë lekësh të reja. Kjo, pasi aty ndodhen edhe materiale të tjera me përbërje drusore, plastike etj., të cilat tashmë kanë dalë jashtë përdorimit”. Kështu mësohet të ketë deklaruar para hetuesve 48-vjeçari Doksani, duke përjashtuar mundësinë e vjedhjes së dyshuar nga policia, pohojnë burimet e sipërcituara. Ndërkaq, mungesa e provave që nuk u arritën të siguroheshin gjatë ndalimit të Doksanit dhe tre vartësve të tij në kushtet e flagrancës, ka sjellë për pasojë lirimin e tyre nga qelia. Një ditë pas ndalimit, Prokuroria e Fierit urdhëroi lirimin e juristit të kësaj ndërmarrjeje, Julian Hoxha, 26 vjeç dhe përgjegjësin e rojave Ali Liçaj, 62 vjeç. Ndërkaq, paraditen e së premtes u vendos masa e sigurisë edhe për Doksanin dhe magazinierin Sotiraq Llazi. Për këtë të fundit, gjykata vendosi masën “detyrim paraqitje”, ndërsa për drejtorin e Uzinës së Plehrave Azotike, Ferdinand Doksanin, u vendos garancia prej një milion lekësh dhe heqja e të drejtës së ushtrimit të detyrës shtetërore. Në gjendje të lirë po hetohet edhe ekonomistja e kësaj uzine, Adelina Daka, 47 vjeçe.


Hetimi i policisë


Hetimi i Policisë dhe i Prokurorisë së Fierit, tashmë është përqendruar në gjetjen e provave të reja ndaj të dyshuarve të sipërcituar për vjedhjen e skrapit të ndodhur në magazinën e Azotikut. Kështu mësohet se do të verifikohen të gjitha dokumentacionet e periudhës së kaluar lidhur me tenderimet dhe shitjen e sasive të skrapit. Gjithashtu, po hetohet edhe për zbulimin e identitetit të shoferit të kamionit dhe personit që do të blinte sasinë e skrapit. Ata arritën t’i shpëtonin policisë në momentin e nisjes së operacionit të koduar “Skrapi”, duke u larguar në drejtim të paditur. Sipas burimeve, dëshmia e shoferit dhe e personit që dyshohet se do të blinte skrapin do të ishte mjaft e nevojshme për hetimin dhe sigurimin e provave të reja.


Spiunimi dhe dekonspirimi


Në vjedhjen e dyshuar të skrapit në Uzinën e Plehrave Azotike në Fier, për të cilën policia ndaloi drejtorin e saj dhe tre vartës të tij, mendohet se ka pasur dy rrjedhje informacioni. Nga burime të bluve mësohet se oficerët e antikrimit ekonomik janë vënë në dijeni për atë çfarë dyshohet se po ndodhte në territorin e Uzinës së Azotikut nga ndonjë prej punonjësve të kësaj ndërmarrjeje. Dyshohet se menjëherë pas sinjalizimit se aty po kryhej një vjedhje, forca të shumta të zyrës së luftës kundër krimit ekonomik të Drejtorisë së Policisë Fier kanë rrethuar ambientet e Uzinës së Azotikut. Por, në të njëjtën kohë dyshohet se dikush që ka pasur dijeni për operacionin e saponisur mund t’i ketë lajmëruar ata që po ngarkonin skrapin në kamion. Dyshohet se “spiuni” i fundit ka sjellë për pasojë edhe dështimin e operacionit, që çoi në ndalimin e vetë drejtorit të Uzinës së Azotikut si i dyshuar për vjedhjen e pronës shtetërore.