Tropojë
Petrit Çakrri: Nuk kam qëlluar, më kanë plagosur
Policia e kishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit në Durrës kishte dhënë “arrest me burg” për të
Dëshmitari i vrasjes së Azem Hajdarit, Petrit Çakrri, është shpallur në kërkim nga policia, pasi dy net më parë, kur policia ka shkuar në banesën e tij në Tropojë, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj uniformave blu dhe më pas është arratisur në mal. Megjithatë, 44-vjeçari ka deklaruar se policia i ka zënë pritë si një bandë e armatosur dhe nga frika e ndonjë hakmarrjeje është arratisur në mal. Madje, Çakrri ka treguar se nga të shtënat e policisë ka mbetur i plagosur dhe pas dorëzimit në polici do të denoncojë sulmin e dhunshëm ndaj tij, pasi nuk ka frikë nga asgjë.
Policia e Kukësit
Përplasja me armë zjarri mes FNSH-së dhe Petrit Çakrrit në Tropojë ndodhi dy net më parë gjatë një aksioni për arrestimin e tij në fshatin e tij të lindjes. Burimet policore shpjeguan se operacioni u ndërmor nga Komisariati i Bajram Currit dhe u mbështet nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, pasi 44-vjeçari rezulton në kërkim prej disa kohësh, pasi gjykata ka lëshuar masën “arrest me burg” për të. Sipas të dhënave policore, Çakrri, i cili ndodhej në fshatin Llukaj, ka pikasur se në drejtim të banesës tij ishin nisur forca të policisë dhe në këto kushte ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të tyre. Forcat e policisë thuhet se i janë përgjigjur me zjarr, por nga të shtënat me armë zjarri nuk ka pasur të lënduar. Prej kësaj përplasje mësohet se Çakrri ka mundur të largohet nga shtëpia e tij duke përfituar edhe nga njohja terrenit. “Ai dyshohet të jetë strehuar në malësinë e zonës, teksa vijon puna intensive për arrestimin e tij. Petrit Çakrri është një emër i njohur për policinë e Tropojës, i përfshirë në disa ngjarje kriminale, teksa është arrestuar dhe është liruar nga gjykata disa herë”, deklaroi policia.
Dëshmia e Çakrrit
Por tjetër variant është dhënë nga personi i shpallur në kërkim. Në një lidhje telefonike për “News 24”, ai ka mohuar kategorikisht të këtë qëlluar ndaj policisë, ndërsa deklaron se nuk ka pasur asnjë paralajmërim nga ana e tyre dhe ka dyshuar për një atentat ndaj tij. Çakrri, duke pretenduar se nuk ka asnjë detyrim ligjor, shprehet se është i gatshëm t’i dorëzohet drejtësisë. “Përgënjeshtroj mashtrimet e policisë ose të hajdutëve, të kriminelëve që sundojnë në policinë e Tropojës. Jam i gatshëm të përballem me drejtësinë dhe jam në Shqipëri. Kur të duan, jam i gatshëm të përballem me ta. Mafia shtetërore që vret në Tropojë nuk bën mirë se ka vra sa të duash. Nuk është zonë krimi Tropoja. Është vend shumë i qetë, me njerëz shumë të mirë e shumë bujarë. Nëse i intereson politikës ose dikujt tjetër të tradhtojë njerëz, të bëjë vrasje në Tropojë ose terror në Tropojë, është puna e tyre që e drejtojnë atë operacion. Jam i gatshëm të përballem me drejtësinë. Nëse kam gjuajtur do përballem me drejtësinë, por unë s’mbaj armë shyqyr Zotit”, ka deklaruar Çakraj nga arratia. Më tej, i arratisuri ka deklaruar se është i gatshëm të dorëzohet në polici, duke theksuar faktin se nuk ka asnjë detyrim ndaj shtetit. “Kam pasur një proces gjyqësor në Durrës, më ka dënuar gjykata me gjobë për drejtim të mjetit jo në gjendje të dehur, me 70 mijë lekë dhe procesi gjyqësor ndaj meje është i mbyllur përfundimisht, nuk kam asgjë”, tha ai. Ai ka deklaruar se është i plagosur nga ata që i quan mafia shtetërore që sundon në Tropojë dhe se ka ikur në mal për të shpëtuar jetën. “Unë dje kam qenë në Tiranë, jam kthyer se kisha dalë të blija ushqime për familjen. Sa jam kthyer, jam përballur me makinat në errësirë që s’kishin asnjë shenjë dalluese që ishin policia dhe pa asnjë paralajmërim, kanë filluar kanë hapur zjarr ndaj meje në errësirë. Kam ikur se kam menduar që është një atentat ndaj meje, asgjë tjetër. Përgënjeshtroj se nuk kam gjuajtur me armë. Jam gjuajtur nga policia, jam i dëmtuar në trup. Kushedi sa plumba rikoshetë i kam ngrënë nga mafia shtetërore që sundon në Tropojë. Kanë ndaluar makinat kryq, kanë zbrit nga makinat armë dhe s’kam parë asgjë tjetër, kam ikur në mal se gjithkush ikën nga plumbat. Jeta është e ëmbël”, ka përfunduar deklarimin e tij, Çakrri.
Ndryshimi i masës
Çakrri është një nga dëshmitarët mbi të cilin prokuroria mbështeti akuzën kundër të pandehurve që u dënuan për vrasjen e Azem Hajdarit. Së fundmi, ai u arrestua në maj të këtij vitit te Ura e Dajlanit në Durrës, ndërsa tentonte t’i jepte para një punonjësi policie për të mos i bllokuar mjetin, pasi Çakrri po udhëtonte pa patentë dhe pa asnjë dokument të mjetit. Ai i ka paraqitur para punonjësit të policisë, tre dokumente si oficer i antiterrorit, për një tjetër agjenci të huaj hetimi dhe zbulimi. Pas arrestimit, Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës vendosi “hetim në gjendje të lirë”, por prokuroria apeloi sërish dhe Gjykata e Apelit vendosi shpalljen në kërkim dhe arrestimin e tij, por që nuk ka mundur të finalizohet nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Re. Rre.