Pas numërimit elektronik, ngec edhe projekti pilot për Qarkun e Tiranës: Nuk realizohet qëllimi
Bledar Hoti
Dështon projekti i dytë i teknologjisë për zgjedhjet e 23 qershorit. Konkretisht makina që do të duhet të verifikojë kartat e identitetit për Qarkun e Tiranës, bëri të mundur pikërisht atë gjë që është e ndaluar ta kryejë. Një person mund të kalojë në këtë sistem më shumë se një herë, që do të thotë se një person mund të votojë në më shumë se dy qendra votimi njëkohësisht. Projekti pilot që do të kryhet vetëm në Qarkun e Tiranës, do të mundësohet nga kompania spanjolle “Indra”, e njëjta e numërimit elektronik. Testi i parë kaloi jo pa probleme. Një person mund të votojë dy herë në dy qendra votimi të ndryshme me dy dokumente identifikimi të ndryshme, kartë ose pasaportë dhe të identifikohet vetëm pas 48 orësh. Ndonëse individi do të mbajë përgjegjësi penale, vota e tij e dytë dhe e paligjshme, vështirë se mund të gjendet në kuti. KQZ-ja u lë 5 ditë kohë pas shpalljes së rezultatit partive të ankimojnë parregullsi të tilla. Për shkak të kaosit që mund të krijohet, KQZ-ja në konsensus me dy partitë e mëdha, i kërkoi kompanisë spanjolle “Indra” të ndreqë defektet, deri në testin e dytë, i cili ndryshe nga i pari do të jetë publik. Sipas të gjitha gjasave, ky projekt do të dështojë, duke rikthyer sërish në pikën e fillimit një nga problemet më themelore të zgjedhjeve shqiptare, por edhe për Qarkun e Tiranës, ku është përqendruar numri më i madh i votuesve, por edhe nga ku janë hedhur akuza për manipulime me listat, pra me shtimin artificial të votuesve dhe abuzimin me dokumentet e identifikimit.
Numërimi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkon kompanisë që ka fituar tenderin, të vërë edhe njëherë në provë makinerinë e numërimit elektronik brenda datës 9 qershor, në mënyrë që të vendoset më pas a do të zbatohet apo jo. KQZ-ja në një raport të hartuar ditën e djeshme, vinte në dukje defektin e teknologjisë së numërimit elektronik. Partia Socialiste e konsideron të dështuar nismën e KQZ-së për të realizuar numërimin e pjesshëm elektronik në Qarkun e Fierit në zgjedhjet e 23 qershorit. Një raport prej 11 faqesh është depozituar pranë KQZ-së nga ana e Partisë Socialiste, e cila jep në detaje dhe arsyet se pse testimi i kryer më 13 prill mund të cilësohet si i tillë, pasi për tetë orë u numëruan 5 mijë vota. Raporti që mban firmën e sekretarit të çështjes zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, e cilëson si të papranueshme aplikimin e procesit të numërimit me këtë sistem të ofruar nga kompania spanjolle “Indra”. Prova e parë nuk e ka bindur PS-në, e cila në këtë raport kërkon një provë tjetër paraprake, përpara se të vendoset në mënyrë përfundimtare. Në raportin e PS-së theksohet: “Është e rëndësishme të thuhet se përgjatë të gjithë kohës së zhvillimit të provave nga ora 10:00 deri në orën 18:00, të paktën 4 persona të kompanisë me laptop ishin të lidhur në të njëjtin rrjet me serverin dhe nga të dyja linjat e numërimit, nuk mund të verifikohej se cili është motivi, por verbalisht na u komunikua se ata ishin aty, duke punuar! Kemi të drejtë të besojmë se ndërkohë që po zhvilloheshin provat, është plotësisht e mundur që sistemi që po provohej të jetë ndryshuar apo modifikuar. Këtë e përforcon edhe fakti se në të paktën tri raste kur ngecte operatori i kontrollit të procesit, personeli i kompanisë mundej lirshëm të operonte në kompjuterin e kontrollit të skanimit apo regjistrimit. Lehtësisht mund të kuptohej se operatorët për provë nuk ishin të trajnuar dhe që për fat të keq vëzhguesit nuk kishin mundësinë të shikonin çfarë veprimesh kryheshin”.
Koha
“Një person mund të votojë dy herë në dy qendra votimi të ndryshme me dy dokumente identifikimi të ndryshme, kartë ose pasaportë dhe të identifikohet vetëm pas 48 orësh”