Ka dështuar mbledhja e komisionit të pavarur ad-hoc për verifikimin dhe vlerësimin paraprak të kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.


Në një njoftim për mediat, Avokati i Popullit bën me dije se mbledhja e parashikuar të mblidhet sot në 14:00 pranë zyrave të këtij institucioni është pamundësuar të zhvillohet për shkak të mungesës së kuorumit.


Mbledhja e këtij komisioni ka qenë në pamundësi objektive për t’u zhvilluar, për shkak të mungesës së kuorumit. Kjo mbledhje do të zhvillohet në një datë tjetër, sa më shpejt që të jetë e mundur,  sipas njoftimit të ri, që do të publikohet në faqen zyrtare të Avokatit të Popullit www.avokatipopullit.gov.al


Ndërkohë, Avokati i Popullit i ka përcjellë një shkresë Prokurorit të Përgjithshëm për verifikimin e formularëve të vetëdeklarimit, sipas kërkesave të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funksione publike”. Një shkresë tjetër  i është dërguar Kryetares së Autoritetit për Informimin mbi dokumentet e ish sigurimit të shtetit. Kjo shkresë synon verifikimin që kandidatët aplikues nga radhët e avokatëve për KLGJ dhe KLP të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose favorizues nga ish Sigurimi i Shtetit para vitit 1990, sipas ligjit “Mbi të drejtën e informimit me dokumentet e ish Shërbimit të Sigurimit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Këto shkresa do t’í gjeni edhe në faqen zyrtare të Avokatit të Popullit.


13 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)