Pas më shumë se 8 orë debatesh dhe diskutimesh lidhur me çështjen e heqjes apo jo të imunitetit, Kuvendi i Shqipërisë e ka mbyllur sesionin parlamentar pa arritur të votojnë për imunitetin për shkak se mungojnë votat e opozitës, e cila edhe pse e pranishme në seancë, ka qenë e vendosur të mos votojë.
Ndërkohë, i fundit që e ka marrë fjalën gjatë kësaj seance maratonë ka qenë kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili e pasi i cilësoi si tërësisht bllokues dhe në dëm të vendit qëndrimin e PS dhe i akuzoi deputetët socialistë për praktika të njëjta veprimi me ato të Partisë së Punës, deklaroi se do ta çojë çështjen në referendum popullor.
“Nesër mazhoranca ime do të nisë punën për t’ju drejtuar qytetarëve demokratë dhe socialistë që të kërkohet referendumi popullor për imunitetin. Ju e kundërshtuar, por të gjithë shqiptarët do të votojnë së bashku në një plebishit të vërtetë për heqjen e murit të korrupsionit. Do t’i dëshmojmë Europës se nuk ndajmë me klubin e miliarderëve moralin pabarazisë ligjore. Kjo seancë finalizohet me zotimin tim solemn se do ecim në mënyrë të pandalshme në referendumin popullor drejt heqjes së imunitetit”, – e përfundoi fjalën e tij Berisha.
6 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)