Blloku VLAN kërkon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese 


Jahjaga në OKB – Presidentja Jahjaga, pas takimit me partitë politike, mësohet se është nisur drejt SHBA-së për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila zgjat 10 ditë


kosovaKuvendi i Kosovës dështon sërish për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Seanca e djeshme e Parlamentit të Kosovës ka zgjatur vetëm 7 minuta, pasi ajo është mbyllur në mënyrë të menjëhershme nga ana e drejtueses së seancës, deputetes së PDK-së, Flora Brovina. Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, deputeti Arsim Bajrami, në këtë proces votimi mori vetëm 44 vota nga 116 sa ishin të pranishëm në seancë. Pro kandidaturës së Bajramit votuan 37 deputetët e PDK-së, si dhe 7 deputetë të minoriteteve joserbe. Ndërsa 61 deputetë të koalicionit pas zgjedhor LDK-AAK-NISMA dhe Vetëvendosje votuan kundër kandidatit të propozuar nga PDK-ja. Sipas “Top Channel”, deputetët e Listës Serbe zgjodhën abstenimin. E ndodhur sërish përballë dështimit të seancës konstituive, kryesuesja Flora Brovina tani veproi konform aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. “Për shkak të votave të pamjaftueshme të PDK-së, e cila e ka të drejtën e kandidimit të Kryetarit të Kuvendit, jam e detyruar ta ndërpres këtë seancë. Deputetët do të lajmërohen me shkrim për vazhdimin e seancës konstituive gjatë javës së ardhshme. E lus sekretarinë që t’i përmbahet udhëzimit në mbështetje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për ndërprerjen e seancës nga unë”, tha Brovina.


Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, seanca e Kuvendit të Kosovës duhet të vazhdojë sërish, ndërsa sipas po të njëjtit aktgjykim, vetëm grupi më i madh parlamentar, që është ai i PDK-së, mund ta propozojë kandidatin për kryeparlamentar. Pas dështimit të kësaj seance, Presidentja Atifete Jahjaga zhvilloi konsulta të veçanta me partitë politike, të PDK-së, listës Serbe dhe të bllokut VLAN. Sipas njoftimit të zyrës së Presidentes së Kosovës, Jahjaga, në kuadër të kompetencave të saj kushtetuese, si garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve dhe faktor i unitetit të popullit, në takimet me udhëheqësit e partive politike parlamentare ka theksuar se konstituimi i institucioneve të Kosovës është domosdoshmëri për të çuar përpara proceset nëpër të cilat po kalon vendi. Ajo tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë përgjegjësinë e tyre në zgjidhjen e çështjeve brenda Kuvendit të Kosovës, duke u bazuar në Kushtetutën e ligjet e vendit dhe në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Presidentja Jahjaga tha se takimet e sotme zhvillohen me qëllim të lehtësimit të diskutimeve me forcat politike për gatishmërinë e deputetëve të Kuvendit, për të gjetur zgjidhje për formimin e institucioneve të reja të vendit. Pas takimit me Jahjagën, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, tha se kanë prezantuar ofertën e tyre për realizimin e projektit të bllokut LDK-AAK-NISMA. “Ne e kemi një shumicë që ofron zgjidhje të menjëhershme. Po ashtu, kërkuam që të kufizohet koha e thirrjes së seancës, në mënyrë që deputetët të kërkojnë të drejtën e tyre”, ka thënë Mustafa. Ndërsa lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se “meqë realizimi i pikës së 126 të Gjykatës Kushtetuese ka dështuar, presin që bllokut t’i jepet mundësia që të vazhdojë me realizimin e pikës 127”.