Berisha: Ndrekos i dha raport e shoqja, Ruçi: Po kërkon alibi
BLEDAR HOTI
Kuvendi dështon në votimin e tri ligjeve me shumicë të cilësuar, ndërsa për zgjidhjen e këtij ngërçi hyjnë në lojë ndërkombëtarët. Parashikohet si skenar që të futen në skenë përfaqësuesit e trojkës, të cilët do të kryejnë takime me liderët e mazhorancës dhe opozitës. Kjo mësohet se ka qenë edhe arsye që Kryeministri Sali Berisha u shpreh se është i hapur që deri më 19 nëntor të arrihet kompromisi për miratimin e ligjeve. “Propozimi im është propozim dinjitoz, është njëlloj sikundër t’ju them unë ju se, pavarësisht sesi voton Paulini (Sterkaj), t’ju them jo, se Paulini nuk mund të votojë kundër meje, pasi ai voton kundër meje, sigurisht që voton kundër meje! Ky është vend i lirë, ky është rregull i lirisë. Njerëzit kanë të drejtë të ndryshojnë dhe të bëjnë zgjedhjet e tyre dhe nuk mundet kurrë të imagjinosh se ne mund të ofrojmë ndryshime të forcave politike, të të zgjedhurve të këtij vendi. Ndaj dhe të bëjmë mocionin. Kjo është njëlloj sikur unë të shkoj në gjykatë tani për çdo votë të Paulinit dhe të ankohem se këtë votë nuk e njoh. Unë e njoh edhe votën e tij. Ne jemi njerëz të lirë, shoqëri të lira. Ju mocionin nuk e doni, ju themelin nuk e doni, atëherë ju doni të bllokoni, por duhet ta matni mirë se nuk jeni kooperativistë, pavarësisht se ai (Rama) ju quan të tillë. Jeni njerëz me përgjegjësi të larta, jeni njerëz me përgjegjësi të mëdha para vendit tuaj dhe zgjedhësve tuaj. Ndaj dhe duhet të ndiheni në lartësinë e përgjegjësive tuaja. Propozimi im i fundit është ky. Nëse doni nga sot e deri më datën 20, në çdo kohë, 24 orë mbi 24 orë, si Kryeministër jam i gatshëm të shfrytëzoj atributin tim kushtetues për të mbledhur Parlamentin për t’i votuar ato ligje. Doni të mblidhemi në mesnatë, doni të dielën në mesnatë, apo të hënën deri më datën 19, në mënyrë që t’i çojmë Brukselit atë mesazh”, tha Berisha. Për Qarkun e Fierit, Berisha deklaroi se i qëndron mocionit për këshilltarët. “Unë mund t’ju vë nofka nga më të çuditshmet, jo kooperativistë, kooperativistë jeni për atë (Ramën) dhe keni vlerën e kooperativistëve që shpërblehen me 5 lekë. Çfarë po ndodh sot në Fier? Gjykata e Lartë e ka lënë në fuqi me një kusht derisa të bëhet gjykimi në themel. Atëherë le të shtrojmë pyetjen. Kush duhet të jetë i interesuar për gjykimin në themel? Ata që bërtasin se u është bërë padrejtësi e madhe! Normalisht ata po. Ç’po ndodh tani që ka filluar gjykimi në themel? U hap procesi gjyqësor dhe tri ditë më parë përfaqësuesi juaj kërkoi të shtyhet dy javë procesi pa asnjë shkak ligjor. Natyrisht trupi gjykues nuk e quajti të arsyeshme kërkesën dhe caktoi ditën tjetër të gjykimit në themel të çështjes. Çfarë ka ndodhur sot(dje)? Vangjel Ndreko mori raport mjekësor nga zonja Ndreko, mjeke e nderuar e qytetit të Fierit. Z. Vangjel Ndreko paraqiti raport të firmosur nga bashkëshortja e tij, duke dëshmuar nga familjari se nuk mund të shkojë në sallën e gjyqit. Për të mos shkuar më tej, sepse i di nga Artur Shehu, i cili është kryetar i qarkut dhe më informoi. Këta që bërtasin për gjykatat, këta nuk duan gjykimin në themel. Unë ju them prapë ju, se zgjidhja është më dinjitozja. Le të votohet”, theksoi Berisha. Kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, i rrëzoi qëndrimet e kreut të qeverisë për tri ligjet. “”Gënjen kur thua se ligjet kanë 2 muaj në Kuvend. Drafti i Gjykatës së Lartë është bërë në mënyrë të njëanshme, ligji për administratën publike nuk është në tryezën e parlamentarëve, ndërsa rregullorja e Parlamentit është ende në komision. Këto tri projektligje flenë në axhendën e Parlamentit”, tha Ruçi. Sipas tij, Berisha është në hall se nuk di çfarë përgjigjeje do t’i japë Brukselit dhe po kërkon një alibi. “Zoti Kryeministër, e kuptoj që jeni në hall, doni të shmangni në radhë të parë problemet ekomomike që ka vendi, jeni në shkelje të plotë të Kushtetutës, s’ke mbyllur ende buxhetin, duhet ta kishe mbyllur në datë 25 tetor. Je në hall se je në krizë. Je në hall se s’ke ç’i thua Brukselit për përmbushjen e 8 rekomandimeve. Duhet të përgjigjesh para tyre për zgjedhjet e lira, luftën ndaj krimit e korrupsionit, por s’ke ç’ju thua, tani po kërkon alibinë se nuk i plotësove dot kërkesat. Alibinë doni ta gjeni tek opozita dhe tek Edi Rama”, akuzoi Ruçi.
Kryetari i PS-së, akuza trupit gjykues
Gjyqtari i çështjes informoi Berishën për Vangjel Ndrekën
E ndërsa kryetari i majtë i Këshillit të Qarkut të Fierit, Vangjel Ndreka, ka reaguar pas deklarimeve të Kryeministrit Sali Berisha në Kuvend, duke sqaruar se është i sëmurë dhe vuan nga nervi shiatik, avokati i tij, njëkohësisht kryetari i degës së PS-së për qytetin e Fierit, Andjus Olldashi, ka akuzuar gjyqtarin e çështjes në themel si të politizuar. Në një prononcim për gazetën “Shqip”, Olldashi ka pohuar se raportin për paaftësinë e Ndrekës e ka dorëzuar në kryesekretarinë e gjykatës dhe pas regjistrimit i është përcjellë menjëherë gjyqtarit të çështjes në themel, z. Skënder Damini. Sipas Olldashit, nisur nga ky fakt, askush veç Ndrekës, vetë atij dhe gjyqtarit, nuk ka pasur dijeni për raportin mjekësor. Ai ka shtuar se Kryeministri Berisha nuk kishte nga ta mësonte informacionin, veçse nga gjyqtari i çështjes. “Deklarata e Kryeministrit të vendit rreth dy orë para orës që ishte caktuar zhvillimi i seancës gjyqësore, fakton se gjyqtari që po shqyrton çështjen në themel të mbledhjes së 16 nëntorit të vitit 2011, është i politizuar. Raportin për paaftësinë e Ndrekës e kam dorëzuar vetë në kryesekretarinë e Gjykatës së Shkallës së Parë Fier. Kam qenë vetë i pranishëm kur është kryer regjistrimi i dokumentit në fjalë dhe raporti i është përcjellë menjëherë gjyqtarit të çështjes, Skënder Damini. Në momentin kur Kryeministri Sali Berisha mbajti deklaratën e tij, rreth orës 11:30, gjyqi nuk ishte zhvilluar, pasi ishte caktuar ora 13:30. Përderisa gjyqi nuk ishte zhvilluar, dorëzimi i raportit mjekësor për Ndrekën nuk ishte bërë ende publik dhe Berisha mund ta mësonte këtë gjë vetëm nga gjyqtari i çështjes Skënder Damini. Ne kemi kërkuar disa herë dorëheqjen e këtij gjyqtari, pasi e kemi cilësuar si të njëanshëm. Ndërkaq, dua të shtoj se gjyqi në fjalë është shtyrë për rreth një vit nga raportet mjekësore të dorëzuara nga z. Artur Shehu dhe avokatët e tij mbrojtës. Ne kemi fakte se avokati i tij mbrojtës, në një kohë që në Gjykatën e Fierit dorëzonte raport mjekësor, paraqitej në Gjykatën e Apelit Vlorë ku mbronte të tjera çështje”, theksoi Olldashi. Ndërkaq, gjatë një kontakti telefonik, Ndreka ka sqaruar se vuan nga nervi shiatik dhe se nuk ka asnjë interes të shtyhet gjyqi, pasi është ai paditësi.
E. Hoxhaj
Sterkaj: Berisha, unë nuk e dredh si ti!
Deputeti i PS-së, Paulin Sterkaj, në replikën ndaj Kryeministrit, tha: “Duke justifikuar lëvizjen time me Këshillin e Qarkut të Fierit, unë mandatin e kam nga populli, nuk jam i deleguar, ju lutem e dini se çdo gjë e kam me harxhet e mia, nuk e dredh si ju nga mëngjesi deri në darkë. Mendoj se do të jem prapë deputet se e marr votën në Malësi të Madhe, por mandati im nuk është si votat e tua të klonuara”.
Wollfarth: Mos humbisni kohë, votoni ligjet
Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, u bëri apel partive politike të votojnë pro tri ligjeve të kërkuara nga BE-ja.
A mund të na thoni se çfarë do të ndodhë nëse PS-ja nuk i voton sot tri ligjet që janë kusht për BE-në? A do të jetë ky një zhgënjim për ndërkombëtarët që presin shumë nga opozita shqiptare?
Do të ishte një zhgënjim, së pari për vetë shqiptarët, sepse rruga e integrimit europian është një synim kombëtar. Prezenca e OSBE-së, përmes mandatit të saj, ndihmon në ngritjen e themeleve për të bërë të mundur progresin e reformave. Ne kontribuojmë në masë të madhe, por, në fund të fundit, ky është një vendim që duhet ta marrë vetë Shqipëria dhe ky vendim duhet marrë në Parlament. Shpresoj vërtet që ky vendim të merret sot. Më pas, reformat do të duhet të vazhdojnë, sepse lista është shumë më e gjatë dhe viti i ardhshëm do të jetë, po ashtu, një vit vendimtar, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme. Prandaj, do të ftoja që të gjitha reformat të ndërmerreshin në kohën e duhur. Në këtë rast, KE-ja e ka vënë theksin te këto tri ligje dhe, sërish, ashtu siç bëra edhe në fillim të kësaj jave, unë do t’u bashkohesha atyre të cilët ftojnë që koha të përdoret më së miri dhe vendimet të merren në kohën e duhur. Ajo ditë është sot.
Ju duket e drejtë që një çështje lokale, si ajo e Fierit, vihet përpara prioriteteve kombëtare të të gjithë shqiptarëve?
Kur është në lojë një çështje kombëtare, vendimi duhet të merret me sytë drejtuar nga konteksti ndërkombëtar dhe sot është dita e atij vendimi.
Me çfarë mund të përballet Shqipëria, nëse sot nuk miratohen tri projektligjet?
Viti i ardhshëm është vit zgjedhjesh, më pas, me sa duket, do të duhet më shumë kohë për të bërë përpara në rrugën e integrimit europian. Kjo mund të thotë, gjithashtu, që koha që po kalon nuk investohet siç duhet në procesin e reformave. Unë jam ndërkombëtar, por, nga këndvështrimi im, populli shqiptar e meriton progresin. Ai meriton, po ashtu, kornizën brenda së cilës ndodh ky progres. Një pjesë skajshmërisht e rëndësishme në këtë kornizë janë ligjet dhe shteti i së drejtës. Shqipëria do të ketë një të ardhme, pavarësisht asaj që ndodh sot, por kjo e ardhme do të jetë më e shpejtë dhe më e mirë, nëse vendimet e duhura merren sot.