Henri Çili akuzohet se ka tentuar të ndikojë tek një gjyqtar për dy dosje të bujshme, atë të dy të dënuarve me burgim të përjetshëm, Arbjon Alikos dhe Feti Yzeiraj, të dy me rekurs në Gjykatën e Lartë në pritje për t’u shqyrtuar në stokun e mbi 33 mijë dosje që presin që gjykatë të bëhet funksionale.
Për prokurorinë prova më e fortë është një takim i përgjuar dhe filmuar mes Çilit dhe një gjyqtari, të cilit nuk i jepet emri në dosje, ku merret premtimi se dosja e Alikos dhe Yzeirajt do të jetë ndër 50 të parat për shqyrtim. Më tej Çili telefonin kunatin e tij Gazmir Ajdini, të cilit i thotë se gjithçka është ok.
Dyshohet së kunati është ndërmjetësi për të gjetur familjarët e Arbjon Alikos dhe Feti Yzeirajt, të cilët më tej do të jepnin lekët për premtimet që merrnin nga botuesi dhe pronari i UET. Lekët i merrte përmes familjarëve Gazmir Ajdini, dhe për ndihmën ndaj Feti Yzeirajt, ai ka marrë 30 mijë euro në dorë. Pikërisht mbi këtë shumë ka nisur edhe pakënaqësia e Ajdinit ndaj kunatit të tij, pasi kur i ka dorëzuar paratë, Gazmir Ajdini ankohet se nuk ka marrë pjesën e tij.
Në dosjen e prokurorisë thuhet se “për shkak se Gazmir Ajdini është i pakënaqur me Henri Çilin, pasi nuk i ka dhënë pjesën e tij, ka telefonuar një person me emrin Aldo ku i ka thënë: “Do të marrësh në telefon kunatin tim. Do t’i prezantohesh me emrin “Sokol” që takoi sot në biznesin e tij, dhe do t’i thuash që nuk dua të vazhdoj me atë muhabet dhe që kërkon kthimin e shumës 30 mijë euro që ka dorëzuar sot”.
Një takim i kryer mes Henri Çilit dhe një drejtuesi të një institucioni të lartë të sistemit të Drejtësisë, në ambientetf e “Hotel Tirana International”, është arritur të përgjohet dhe filmohet, ku si Çili dhe ky drejtues, emri i të cilit nuk dihet, flasin për zgjidhjen e çështjes penale ndaj vëllezërve Aliko nga Lazarati dhe futjen sa më parë të kësaj dosje për gjykim në Gjykatën e Lartë ku është bërë rekursi.
Nga ana tjetër drejtuesi i Lartë flet për futjen e kësaj çështje për kalim në gjyq mes 50 çështjeve të para. Ky drejtues i lartë është gjyqtar. Në dosjen e prokurorisë së Përmetit thuhet se: “Gazmir Ajdinaj, Ilir Korbi, Betim Shkupi, Liko Jazi dhe Demir Yzeiraj kanë marrë shumën prej 30 mijë euro, e cila i është dorëzuar botuesit Henri Çili. Ndërsa në datën 21 shkurt 2020 Jazo Liko, ka marrë shumën prej 10 milion lekë të vjetra nga familjarët e Feti Yzeiraj, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm, për t’ia dorëzuar Gazmir Ajdinaj, për llogari të Henri Çilit, pasi pjesa tjetër do jepej në muajin mars, për ta ndihmuar në organet e drejtësisë.
Ndërhyrjet e botuesit Henri Çili në funksion të sistemit të drejtësisë, rezulton nga përmbajtja e bisedës së datës 14 janar 2020 të zhvilluar në ambientet e hotel “Internacional Hotel Tirana”, ku një drejtuesi të një organi të lartë të drejtësisë, i është kërkuar që të ndikojë që kërkesat e të dënuarve, Arbjon Aliko dhe Feti Yzeiraj, që ai ka ndërhyrë të bëheshin sa më shpejt. Nga ana e këtij funksionari Henri Çili ka marrë garancinë që çështjet do të gjykoheshin në 50 dosjet e para.
Pas këtij takimi, Henri Çili ka marrë në telefon kunatin e Gazmir Ajdinaj dhe i ka thënë se “çdo gjë është Ok”. Mirëpo ditën që Liko Jazi është nisur drejt Tiranës për të dorëzuar shumën e parave prej 10 milion lekë të vjetra, ai është mbajtur nën vëzhgim dhe në momentin që do bëhej dorëzimi, Liko është ndaluar dhe ndaj tij është ushtruar kontroll, ku i janë gjetur 10 milion lekë të vjetra dhe në xhep vetëm 55 mijë lekë të vjetra./shqiptarja