Në trotuar


Dy të vdekur – Dy vajza të reja kanë gjetur vdekjen, ndërsa nëna e tyre është plagosur teksa ecnin në trotuar, pasi një makinë doli nga rruga


Rruga e Kombit


Viktimë tjetër – Rruga e Kombit, e kthyer si “rruga e vdekjes”, është përgjakur sërish, pasi një 56-vjeçar, këmbësor, u përplas nga një makinë


Aksidentet


Makinat u marrin jetën pesë vetave


Pesë persona të vdekur dhe dhjetë të plagosur është bilanci tragjik i katër aksidenteve të ndodhura dje në Fier, Elbasan dhe Milot, ndërkohë që tre prej viktimave kanë qenë kalimtarë, ndërsa dy të tjerët udhëtonin me mjete. Policia ka shoqëruar disa nga drejtuesit e mjeteve, ndërkohë që masat për parandalimin e tyre, duket se nuk kanë bërë asnjë efekt gjatë këtij sezoni turistik.


Elbasan


Dy të vdekur dhe një i plagosur rëndë është bilanci i aksidentit të ndodhur në Elbasan që në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në unazën jugore të qytetit, ku mjeti tip “Fiat Punto”, me drejtues shtetasin me inicialet D. Ç., 23 vjeç, ka përplasur tre pjesëtare të familjes Hekurani. Burime nga policia bëjnë me dije se drejtuesi i mjetit ka qenë duke lëvizur me një shpejtësi tej normave të lejuara, e për pasojë ka përplasur tre këmbësoret. Nga aksidenti kanë mbetur të vdekura dy motrat Paula dhe Baftjare Hekurani, përkatësisht 18 dhe 17 vjeçe, ndërsa nëna e tyre, Merita Hekurani, 40 vjeçe, ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Kirurgjik të Elbasanit. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor, i cili ka nisur punën për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Nga konkluzionet paraprake dyshohet që 23-vjeçari të ketë humbur kontrollin si pasojë e shpejtësisë së madhe, duke dalë nga rruga e duke përplasur nënën dhe dy vajzat e saj, të cilat ishin duke ecur në trotuar. Më pas ai është larguar nga vendi i ngjarjes, duke lënë në rrugë dy viktima dhe një të plagosur rëndë. Mësohet se policia është vënë në ndjekje të tij dhe shumë shpejt pritet arrestimi.


Fier-Ballsh


Dy pjesëtarë të një familjeje tjetër kanë gjetur vdekjen, ndërsa tre të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë në rrugën Fier-Ballsh. Aksidenti tragjik ndodhi mbrëmjen e së dielës. Kudret Kalemi, 33 vjeç, drejtuesi i mjetit, si dhe nusja e vëllait të tij, Adela Kalemi, rreth 26 vjeçe, janë viktimat, ndërsa të plagosurit janë gruaja e drejtuesit të mjetit, si dhe dy fëmijët e tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00, në vendin e quajtur Patos-Fshat, afër një pike karburanti. Të gjashtë personat e përfshirë në aksident, që janë nga Patosi, udhëtonin me një mjet tip “Benz”, me portobagazh, me targa FR 0027 D. Pasi kanë lënë rrugën dytësore të fshatit, që të nxjerr në aksin kombëtar Ballsh-Fier, automjeti me shumë shpejtësi, sapo ka kaluar kthesën e Patosit-Fshat dhe është futur në këtë aks rrugor, është përplasur me bordurën mbajtëse të rrugës. Përplasja ka qenë shumë e fortë. Mjeti është shkatërruar plotësisht, ndërsa udhëtarët dhe drejtuesi i tij kanë dalë jashtë kabinës së veturës, duke përfunduar anës rrugës. Drejtuesi i mjetit ka mbetur i vdekur në vend. Po kështu edhe kunata e tij, Adela, ndërsa të plagosur rëndë kanë mbetur gruaja dhe fëmijët. Kalimtarë të rastit kanë njoftuar policinë rrugore, si edhe autoambulancën. Të plagosurit janë dërguar urgjentisht në spitalin civil të qytetit Fier, ku i janë nënshtruar ndërhyrjes mjekësore. Burime nga spitali kanë pohuar se gjendja e tyre shëndetësore është shumë e rëndë. Bluzat e bardha po luftojnë për të mbajtur në parametra jetësore të tre të plagosurit nga një familje.


 


Milot-Kukës


Rruga e Kombit, e kthyer si “rruga e vdekjes”, është përgjakur sërish. Një 56-vjeçar, këmbësor, ka mbetur i vdekur, pas përplasjes nga një veturë me targa të Kosovës. Aksidenti ndodhi në fshatin Fang të Rrethit të Mirditës. Drejtuesi i mjetit, së bashku me mjetin, është larguar nga vendi i ngjarjes, por pa mundur t’u shpëtojë prangave, pasi policia është vënë në ndjekje, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e tij. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Mirditës, aksidenti ka ndodhur në orën 09.00 të mëngjesit, në autostradën Milot-Kukës. Ndue Biba, banor i këtij fshati, ka qenë duke kaluar nga njëri krah në tjetrin, në momentin që ai është përplasur nga makina. Si pasojë e përplasjes, Ndue Biba ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Kanë qenë dëshmitarët okularë të ngjarjes që kanë njoftuar policinë mbi aksidentin dhe largimin e drejtuesit të mjetit dhe më pas policia ka bërë të mundur ndalimin e drejtuesit. Edhe pse numri i postblloqeve të policisë është rritur ndjeshëm në këtë aks rrugor, ai mbetet sërish problematik, kjo edhe për shkak të mungesës së mbikalimeve për këmbësorët në fshatrat që kalon kjo rrugë. Madje, policia ka lëshuar një urdhër të brendshëm që të mos ndalohen makinat me targa të Kosovës, por kjo po ndikon negativisht për aksidentet me pasoja të rënda. Kjo praktikë është ndjekur edhe nga Mali i Zi, për të bërë të bërë të mundur mosbezdisjen e turistëve dhe shtimin sa më shumë të tyre. Por, në vendin tonë, kjo i ka shtuar më shumë viktimat e aksidenteve sesa turistët.


 


Levan-Vlorë


Ndërkohë, një aksident tjetër i rëndë rrugor ka ndodhur dje në mëngjes në aksin rrugor Levan-Vlorë, ku nga përplasja e dy makinave kanë mbetur të plagosur gjashtë persona. Policia tha se të plagosurit momentalisht ndodhen në spitalin e Fierit dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Në aksident kanë mbetur të plagosur tre pjesëtarë të një familjeje, Avdi Demaj 43 vjeç, Laureta Demaj 40 vjeçe dhe Agron Demaj, 10 vjeç, të cilët po udhëtonin drejt Greqisë. Ndërkohë, në makinën tjetër po udhëtonin pjesëtarët e një orkestre që po ktheheshin nga një dasmë në Radhimë. Tre persona në makinën e dytë kanë mbetur të plagosur, por me plagë të lehta. Policia po heton shkaqet e aksidentit. Re. Rre.


 


Tragjedia


Dy pjesëtarë të një familjeje kanë gjetur vdekjen, ndërsa tre të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë, pasi makina e tyre u përplas me një bordurë në rrugën Fier-Ballsh


 


 


Masat


Shmangia e aksidenteve, dhjetëra postblloqe policie


Kthimi i emigrantëve në vend ka rritur ndjeshëm numrin e automjeteve që qarkullojnë në rrugët e qyteteve, por edhe në autostrada. Bashkë me to është rritur edhe mundësia e aksidenteve, siç shihet edhe nga numri i lartë i viktimave. Problem për postblloqet e shumta të ngritura nga policia rrugore mbetet vonesa në kolaudimin e radarëve për kontrollin e shpejtësisë. Përqendrimi më i madh i policisë rrugore është në pikat e zeza, të të gjitha zonave problematike. “Ne jemi në monitorim të vazhdueshëm nga shërbimet e njësisë të dubluar me shërbime të përforcuara, vazhdimisht me grupe Task-Forcë. Kemi operuar në zonat që ne i kemi pasur problematike, në zonat ku shqetësimi ka qenë evident, kryesisht edhe për emigrantët”, tregojnë burimet policore. Megjithatë, duket se këto masa nuk e kanë ulur numrin e aksidenteve. Aktualisht, nga verifikimi i shifrave, në krahasim me një vit më parë, numri i viktimave, por edhe i të plagosurve nga aksidentet rrugore, është më i lartë. Megjithatë, aksidentet nuk e kursejnë jetën e shqiptarëve as jashtë kufijve të Shqipërisë. Sikur të mos mjaftonin viktimat e shumta në aksidentet rrugore në vendin tonë, dy ditë më parë, gjashtë të vdekur ishte bilanci i viktimave të dy aksidenteve fatale në Janinë dhe në Itali.