Mohammed Irfan, emigrant i ligjshem nga Pakistani qe jeton ne Athine


Athinë, NYT. – Një javë pasi ekstremistët e djathtë hynë për herë të parë në Parlamentin e Greqisë këtë verë, 50 nga anëtarët e saj bënë një parakalim me motora dhe të armatosur me bastunë të rëndë druri në lagjen Nikaia në periferi të Athinës, për të demonstruar fuqinë e tyre të re. Ndërsa kalimtarët shikonin, shumë prej tyre ndaluan te sheshi kryesor duke tundur simbole naziste dhe i dhanë një ultimatum emigrantëve në një lagje ku bizneset e tyre janë të shumta.


“Ata thanë: “Ju jeni shkaku i problemeve të Greqisë. Keni një javë kohë të ikni ose do t’ju djegim të gjallë,”” – kujton Mohammed Irfan, një emigrant i ligjshëm nga Pakistani që ka nën pronësi një parrukeri dhe dy dyqane të tjera. Kur ai mori në telefon policinë për ndihmë, oficeri që iu përgjigj tha se nuk kishin kohë të mjaftueshme për t’u marrë me emigrantë si ai.


Një zëdhënës i partisë Agimi i Artë mohoi që anëtarët e tyre të kenë bërë demonstrime të tilla. Por një raport nga Human Rights Ëatch thotë se dhuna ksenofobie ka arritur në përmasa alarmante në disa pjesë të Greqisë dhe autoritetet nuk po e luftojnë atë.


Autoritetet greke kanë  dështuar për të goditur një valë në rritje të dhunës ksenofobike kundër emigrantëve, thuhet në një raport të botuar të martën nga organizata Human Rights Watch.


Raporti thotë se shtimi i dhunës kundër emigrantëve në Greqi duket qartë.


Benjamin Ward është zv/drejtor i divizionit  të Evropës dhe Azisë Qendrore pranë organizatës  Human Rights Watch.


Ai thotë se shumica e emigrantëve të keqtrajtuar janë nga Afrika dhe Azia. Disa, janë emigrantë ekonomikë, por shumë prej tyre u kanë ikur pëndjekjeve në vendet si Somali dhe Afganistan.


“Për shkak të politikave të Greqisë këta emigrantë kanë prirje të mbeten rrugëve. Për shkak të ngjyrës së lëkurës dhe për vetë faktin se jetojnë në rrugë ata janë tejet të dukshëm. dhe kjo  i bën ata objekt sulmesh të ndryshme.”


Greqia është vendi kryesor kalimi në Evropë për emigrantët pa dokumenta dhe azil kërkuesve nga Azia dhe Afrika. Por zoti Ward thotë se sistemi grek për përpunimin e kërkesave të azil-kërkuesve nuk funksionon, duke lënë shumë azil kërkues të bllokuar.


Për hartimin e raportit të saj, organizata Human Rights Watch intervistoi 59 njerëz, të cilët thanë se kishin përjetuar një sulm ksenofobik mes muajit gusht 2009 deri në maj 2012. Raporti thotë se 51 prej këtyre incidenteve kanë qenë sulme serioze.


Raporti thotë se shumica e sulmeve kryhen gjatë natës, në ose pranë shesheve të qytetit. Zoti Ward i tha Zërit të Amerikës për rastet kur vullnetarë  të  ashtuquajtur “grupe qytetarësh” në Athinë, patrullojnë rrugët natën dhe sulmojnë emigrantët.


Zoti Ward thotë se autoritetet greke po bëjnë pak për t’i mbrojtur ata.


“Në disa raste viktimat u janë drejtuar policisë, i cila u tha se  edhe ata duhet t’u ishin kundërpërgjigjur sulmeve të tilla.. Në disa raste viktimave u ishte kërkuar të paguajnë një tarifë 100 euro, në qoftë se donin te raportonin një krim në polici. Dhe në disa raste ata ishin kërcënuar me arrestimin, sepse ishin emigrantë pa dokumenta “.


Greqia është në mes të një krize të madhe ekonomike. Ajo është tani në vitin të pestë të recesionit dhe me papunësi prej afër 25 për qind. Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë dhënë fonde për të parandaluar Greqinë nga mospagimi i borxheve. Por fondet vijnë me kusht që Greqia të bëjë shkurtime të mëdha të shpenzimeve dhe rritje taksash.


Ash Amin është ekspert për integrim racial evropian në Universitetin e Kembrixhit.


Ai thotë se presionet ekonomike në Greqi janë duke nxitur ksenofobinë. Dhe se kjo është një prirje që shtrihet përtej kufijve grekë.


“Ky është një fenomen që prek të gjithë Evropën nga veriu në jug, lindje e perëndim, por sigurisht në shkallë të ndryshme. Kjo është vërtetë frikë nga huajt”.


Zoti Amin thotë se partitë politike kanë luajtur rolin e tyre në nxitjen e ndjenjave kundër emigrantëve. Në një numër vendesh evropiane, politikanët e krahut të djathtë me një platformë anti-emigrantësh kanë kanë fituar terren politik në zgjedhjet e fundit.


“Nëse disa prej forcave kryesore politike nuk marrin përsipër të përcaktojnë Evropën si një shoqëri pluraliste, si një entitet shum-kulturor, si një kontinent në të cilin problemi nuk është emigracioni, por mungesa e rritjes ekonomike, mungesa e lidhjeve shoqërore ,mungesa e integrimit, atëherë Evropa përballet një të ardhme të mundshme shumë të errët. ”


Në Greqi, një qeveri e re filloi nga puna muajin e kaluar. Organizata Human Rights Watch thotë se kjo qeveri e re duhet të marrë hapa të menjëhershëm për të trajtuar dhunën ksenofobe.