shkoPas dhunës dhe përleshjeve mes tifozerive të Vllaznisë e Tiranës në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ku mbetën të plagosur policë dhe fëmijë, ka reaguar kryeministri i vendit, Edi Rama.


Në një postim të “Twitter”, kreu i qeverisë e ka cilësuar ngjarjen një “turp” dhe premton bashkëpunim me FSHF-në për t’i dhënë fund asaj që ai e quajti “histeri turpi dhe dhune”.


“Stadiumet në Shqipëri s’mund të jenë më peng i barbareve! Do bashkëpunojmë ngushtë me FSHF-në për t’i dhënë fund histerisë turpëruese të dhunës”, – lexohet në mesazhin e Ramës.


Një ditë pas dhunës që shpërtheu në stadiumin “Loro Boriçi”, vijon të mbetet e rëndë gjendja shëndetësore e tifozit shkodran, Ismet Osmani, 40 vjeç, i cili u plagos me thikë pasditen e djeshme gjatë përleshjeve mes tifozerive të Tiranës e Vllaznisë.


Ndërkohë kanë lënë spitalin, pasi kanë marrë mjekimin 4 policët, si dhe fëmijët që ishin lënduar me gurë.


Policia deklaron se janë arrestuar 12 persona, një person është shpallur në kërkim,  ndërsa 41 tifozë ndiqen në gjendje të lirë.


12 shtator 2014 (gazeta-Shqip.com)