Partia Socialiste ka reaguar lidhur me dhunimin e mjekut kirurg Mustaf Mustafa në spitalin e Kukësit. Deputetja socialiste, Klodiana Spahiu i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha të garantojë mbrojtjen e bluzave të bardha ndërsa denoncon rastin në fjalë, ku policia sipas saj nuk ka reaguar.
“Në qytetin e Kukësit është dhunuar qytetari i nderit i Kukësit, një mjek, ndërsa policia la gjithçka në heshtje. Të gjithë jemi të revoltuar, pasi në këtë vend çdo qytetar është i pasigurt. Thirrje Berishës që është mjek, të dali dhe të mbrojë bluzat bardha. Në këtë vend duhet të kthehet dinjiteti i bluzave të bardha”, deklaroi Spahiu.
Dy ditë më parë mjeku Mustaf Mustafa, është dhunuar nga familjarët e njërit prej pacientëve të tij, i cili ishte dëmtuar në fytyrë nga shpërthimi i një detonatori në një rast dasme. Ndërkohë mjekët e spitalit të Kukësit, dje kanë zhvilluar një grevë njëorëshe, në shenjë proteste kundër dhunës që është ushtruar ndaj kolegut të tyre.
10 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)