Fqinjët fiksojnë tiparet e grabitësve, kapen 4 të rinj
Edmond Hoxhaj
Dhunohen dhe grabiten në shtëpinë e tyre teksa kishin rënë për të fjetur gjumë, një e moshuar dhe vajza e saj e verbër. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të premtes në lagjen “Liri” të qytetit të Fierit. Katër grabitësit kanë ushtruar dhunë fizike mbi dy femrat e ndodhura të vetme në shtëpi dhe kanë qenë të bërtiturat e tyre që kanë alarmuar fqinjët, të cilët menjëherë kanë lajmëruar policinë. Por, dhunuesit ia kanë arritur qëllimit të tyre, duke u grabitur një sasi të hollash dhe celularët që kishin të dëmtuarat.
Ngjarja
Ka qenë ora 22:00 e të premtes, kur e moshuara me inicialet K. C. rreth 70 vjeçe, ashtu si çdo natë është kujdesur që ndihmojë të bijën me aftësi të kufizuara për të shkuar në shtratin e saj. Për shkak se vajza 30-vjeçare vuan nga mungesa e shikimit, gjatë gjithë kohës ajo ka nevojë për asistencën e nënës së saj të moshuar. Pasi e bija ka rënë në shtrat për të fjetur, e moshuara 70-vjeçare ka nisur të kryejë punët e fundit para se të shkonte të flinte edhe ajo. Sipas burimeve të policisë, pikërisht në këtë çast e moshuara ka dëgjuar zhurma të çuditshme në pragun e derës së shtëpisë së saj që ndodhet në katin e tretë të një pallati pesëkatësh në lagjen “Liri”. Por pa mbërritur ende te dera për të parë se çfarë po ndodhte, grabitësit e kanë shqyer me forcë portën e vjetër dhe kanë mësyrë brenda në shtëpi. E moshuara është terrorizuar dhe u ka kërkuar që të dalin jashtë, por ata kanë qëlluar pa mëshirë me grushte mbi të. Duke e dhunuar fizikisht e duke e kërcënuar, ata i kanë kërkuar të moshuarës që t’u jepte të gjitha paratë që kishte në shtëpi. E gjendur përballë goditjeve të pamëshirshme të dy prej djemve, ajo u ka treguar se në shtëpi kishte vetëm 50 mijë lekë të reja, të cilat i kishte fshehur në dollapin e rrobave. E moshuara është tërhequr zvarrë, deri te dollapi, me qëllim që t’u tregonte paratë. Por grabitësit, pasi kanë marrë të gjitha të hollat, u kanë marrë dy grave edhe celularët që kishin. Më pas ata i kanë kërcënuar me jetë me qëllim që të mos tregonin për atë çfarë kishte ndodhur.
Fqinjët
Por, britmat e dy grave të terrorizuara janë dëgjuar prej fqinjëve, të cilët mësohet të kenë mbërritur pak pasi katër grabitësit kanë kryer krimin. Ndonëse janë larguar me shpejtësi, fqinjët kanë arritur të shquajnë tiparet fizike të dy prej autorëve si dhe autoveturën, në të cilën ndodheshin dy bashkëpunëtorët e tjerë. Ata kanë lajmëruar menjëherë policinë dhe pas përshkrimeve e dëshmive të marra nga dy të dëmtuarat dhe nga fqinjët e tyre, policia ka nisur menjëherë kërkimin e autorëve. Janë ngritur menjëherë postblloqe në të gjithë kryqëzimet kryesore dhe policia ka arritur të kapë dy prej autorëve të vjedhjes me dhunë që ndodheshin në makinën, me të cilën ishin larguar nga vendi i ngjarjes. Sipas burimeve policore, më pas është bërë e mundur që të kapen edhe dy bashkëpunëtorët e tjerë, të cilët kishin zbritur, pasi kishin kryer një pjesë të rrugës me të njëjtën makinë.
Të arrestuarit
Në lidhje me këtë ngjarje, policia e Fierit deklaroi zyrtarisht se gjatë operacionit të koduar “Mesnata 2”, janë vënë në pranga si autorë të dyshuar të grabitjes në fjalë katër të rinj nga rrethi i Lushnjës. Konkretisht janë arrestuar Krenar Toromeni, 33 vjeç dhe Vilson Toromeni, 22, nga fshati Kryekuq, Erald Zaimi 20 vjeç nga fshati Kamenicë dhe Ceno Meta, 20 vjeç banues në fshatin Kuman. Burime zyrtare të policisë pohuan dje se ndalimi i tyre u krye për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë e kryer në bashkëpunim”. Policia ka arritur të sekuestrojë dy celularët që u janë vjedhur të dëmtuarave dhe automjetin tip “Honda” me targa greke, HMZ 1646, të cilin autorët e kanë përdorur për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Sipas policisë, dyshohet se një prej autorëve kishte dijeni se e moshuara 70-vjeçare jetonte vetëm me të bijën me aftësi të kufizuara, nga pensioni i së cilës kishin arritur të kursenin 50 mijë lekë të reja.
Hetimet
Grabitja
Dy prej grabitësve qëndruan në makinë, ndërsa dy të tjerët hynë me forcë në banesën e dy femrave, duke u vjedhur 50 mijë lekë
Dhuna
Dy të rinjtë hynë me forcë në shtëpinë e dy femrave, të cilat i dhunuan, me qëllim që të tregonin se ku i kishin fshehur paratë
Arrestimet
Fillimisht, policia ka kapur dy prej të dyshuarve, të cilët lëviznin me makinë dhe ata treguan se ku fshiheshin dy shokët e tyre
