Ish-drejtoresha Violeta Neza rrëfen gjendjen skandaloze të qendrës në Durrës
Shpresa Mezini
Dhunimi i 17-vjeçares autike, që prej disa kohësh jetonte në Qendrën për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara, po bën xhiron e radhës menjëherë pas publikimit të lajmit në gazetën “Shqip”. Deklaratat e kobshme të babait të së miturës, që me bindje thotë se vajza nuk është aksidentuar, por kanë tentuar ta përdhunojnë, kanë shokuar mbarë opinion publik, por jo vetëm. Tashmë të gjitha institucionet njëzëri kërkojnë me këmbëngulje zbardhjen e origjinës së ngjarjes së ndodhur mëngjesin e së premtes, në qytetin e Durrësit. Nga ana tjetër, ata që dikur kanë punuar në këto qendra, ish-drejtorë, tregojnë se me çfarë kushtesh përballen sidomos fëmijët me aftësi të kufizuar dhe si abuzohet me ta, duke qenë të pavetëdijshëm për atë që bëjnë apo shohin.
Ish-drejtoresha e Qendrës për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara në Durrës, Violeta Neza, tregon për gazetën Shqip për përvojën e saj në krye të këtij institucioni, duke nisur nga incidentet e para që kishin përjetuar disa fëmijë deri tek problematikat që kishin ngulur rrënjë të thella në këtë qendër.
“Unë u emërova drejtoreshë e Qendrës për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara më 17 prill të këtij viti, ndërsa më 12 gusht dhashë dorëheqjen për shkak se m’u ofrua një punë më e mirë, në një bankë private në qytetin e Durrësit. Dita e parë e punës ishte tmerr i vërtetë, u përballa me probleme të panumërta, të cilat duhet të merrnin fund menjëherë për shkak se gjithçka, duke nisur nga menyja ditore e ushqimit e deri tek masat e sigurisë që ofroheshin në këtë qendër ishin totalisht të papranueshme, madje këto të fundit nuk ekzistonin fare. Gjeta mungesë totale të ushqimit. Fëmijët që jetonin në qendër ushqeheshin me miell të skuqur me ujë dhe me lakra, asgjë tjetër. Tmerr! Ndryshova menynë e ushqimit, fëmijët filluan të hanin mish, fruta dhe ëmbëlsirë një herë në javë, si të gjithë fëmijët e tjerë. Më besoni filluan të hanin fruta që nga sjellja e tyre dukej sikur nuk i kishin parë kurrë më parë e jo më shijuar. Kisha dëgjuar që përpara se ta drejtoja unë këtë qendër, fëmijët kishin hequr shumë keq, të paktën këtë po kuptoja nga ajo që gjeta por edhe nga fjalët e njerëzve që më tregonin se fëmijët kanë vuajtur shumë më parë”, tha ish-drejtoresha e Qendrës për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara.
Ajo tregon se me të filluar punë në këtë qendër, dy apo tri ditët e para ndodhi një incident me një nga fëmijët autik që jeton ende në qendrën e paaftësisë në Durrës. Sipas saj, ai çau veten me mjete rrethanore, konkretisht me një copë xhami të thyer që e kishte gjetur në oborrin e këtij institucioni.
“U trondita tej mase. Ky natyrisht është një veprim i papërgjegjshëm i të miturit, për shkak të shkallës së rëndë të autizmit nga e cila vuan, por pa dyshim edhe pasojë e papërgjegjshmërisë së punonjësve të turnit, të cilët duhet të jenë të vëmendshëm që mjete të tilla të mos gjenden më qoftë në ambientet e jashtme apo të brendshme të qendrës.
Diku nga fundi i muajit prill, pas incidentit të dytë, ndodhën tre të tjerë, përkatësisht në fundjavë, të shtunë dhe të diel. Dy autikë të tjerë çanë sërish veten, ndërsa një i mitur me prapambetje të lehtë mendore u largua nga qendra, ndërsa askush nga punonjësit nuk kishte dijeni për ngjarjet. Në të gdhirë të së hënës, në orën 07:00 të mëngjesit, njoftova policinë për largimin e fëmijës. Me urdhër të menjëhershëm dhashë masat disiplinore përkatëse për punonjësit e turnit, vërejtje për paralajmërim nga detyra. Vërtetova që masat e marra dhanë rezultat”, shpjegoi Neza.
Ajo thotë se largimi i fëmijës autik ishte sidomos pasojë e mungesës së masave të sigurisë jashtë qendrës. Që kur ishte në krye të këtij institucioni kishte mësuar që qendra nuk kishte roje, kështu që në të mund të hynte dhe të dilte kush të donte.
“Largimi i një prej fëmijëve që vuante nga prapambetja e lehtë mendore nga ambientet e qendrës ishte ngjarja më e papranueshme. Kishte ardhur momenti për të marrë masa serioze. Mungesa e shërbimit të rojës gjatë 24 orëve përbënte një problem tejet shqetësues, sidomos kur bëhet fjalë për një qendër ku jetojnë persona me aftësi të kufizuar, të cilët kanë nevojë të jashtëzakonshme për kontroll pasi ata vetë janë të pavetëdijshëm për të kontrolluar veprimet e tyre. Nëpërmjet një shkrese zyrtare i kërkova Drejtorisë së Shërbimit Social Shtetëror të merrte masa për punësimin e rojeve në qendër. Kërkesa ime u mor në konsideratë dhe më datë 1 qershor, në qendër filloi shërbimi i rojeve. Di t’ju them me sigurinë më të madhe që marrja e këtyre masave dha rezultat. Riorganizova gjithçka nga e para, kështu vazhdimësia e punës si për mua edhe për stafin e punonjësve ishte më e lehtë. Të merresh me fëmijët me paaftësi është shumë më shumë përgjegjësi sesa të kujdesesh për ata normalë. Fëmijët me aftësi të kufizuar janë shumë më të ndjeshëm, më të dhembshur, por nga ana tjetër e kuptojnë më kollaj se ne neglizhencën dhe shpërfilljen”, thekson ish-drejtoresha e Qendrës së Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara në Durrës.