Kryeminstri Edi Rama ka mohuar kategorikisht që policia të ketë ushtruar dhunë ndaj protestuesve.
Edhe pse u përball më pamjet kur policia merr brutalisht gazetarin Alfred Lela, Rama deklaroi se nuk kishte dhunë. Kryeministri dënoi reagimin e gazetarit, I cili sipas tij, tërhoqi për krahësh policet që po shoqëronin një protestuese.
Rama tha se mund të përdoreshin edhe shkopinj gome, ndërsa kujtoi se më parë gazetarët plagoseshin me plumba.
“Jo vetëm që nuk shoh asnjë dhunim të qytetarit, por shoh një fragment të gjithë teatrit të viktimizimit që u vu në skenë për mediat, qyshse u doli gjumi atyre që do ta mbronin me trupat e tyre atë godinë. U munduan të ngrenë një re të zezë ndaj policisë. Dhuna ka një mënyrë për ta përcaktuar. Kur shoh videon, pyetja që shtrohet është çfarë kërkon qytetari Lela kur shkon të kapë tre punonjëse policie. Për çfarë shkoi Lela atje, për intervistë? Pse e kapërceu gardhin Alfredi, pse shkoi si trim për të kapur vajzat police. Mund të përdoreshin edhe shkopinj gome. Nuk pati asnjë goditje. Policia e mori për krahësh dhe e tërhoqi.
Në protesta këtu janë plagosur me plumba gazetaret dhe tani na del se u dhunua Alfred Lela. E vlerësoj shumë punën e policisë“, tha Rama në news24.