Ndërkohë që i ftohti ka “mbërthyer” prej ditësh zonat malore në Veri-Lindje dhe Jug-lindje të vendit, Avokati i Popullit, Igli Totozani ka rekomanduar bashkitë dhe qarqet e vendit të marrin masat e duhura për përballimin e dimrit dhe shmangien e problemeve të hasura vitin e kaluar.
“Duke marrë shkas nga situatat e vështira të krijuara vitin e kaluar, Avokati i Popullit rekomandon gjithë bashkitë dhe qarqet e vendit të marrin masa për të përballuar temperaturat e ulëta dhe kushtet e vështira të motit që janë parashikuar të mbërrijnë në ditët në vijim”, thuhet në një deklaratë të kabinetit të Totozanit.
Sipas këtij Institucioni situata e dimrit të kaluar, ku qindra familje u izoluan dhe rrezikimi i jetës së fëmijëve romë që u strehuan në zyrat e Avokatit të Popullit, duhet të shërbejë si një apel për të nxituar me marrjen e masave ndihmëse që parashikon kuadri ligjor i vendit. Për këtë qëllim Avokati i Popullit rekomandon: “Marrjen e të gjitha masave të mundshme organizative për përgatitjen e vend- strehimeve apo vend-qendrimeve provizore për grupe të tilla në nevojë emergjente, si pjesëtarë të komunitetit rom, personave endacakë apo të pastrehë dhe këdo tjetër që kërkon ndihmë nga organet e pushtetit vendor, me qëllim parandalimin e situatave që mund të rrezikojnë jetën apo shëndetin e tyre, veçanërisht të fëmijëve. Institucioni i Avokatit të Popullit falënderon mediat për profesionalitetin që kanë treguar në situata të tilla dhe shpreh bindjen se do të punohet bashkë edhe këtë dimër, në përpjekjen për të tërhequr vëmendjen e opinionit si dhe për ti krah-vendosur të gjitha detyrimeve ligjore të institucioneve të shtetit, humanizmin dhe ndjenjën e solidaritetit njerëzor me ata bashkëqytetarë tanët që kanë më shumë nevojë për ndihmë”, thuhet në deklaratë.
Dimrin e kaluar si rezultat i të ftohtit që përfshiu vendin dhe reshjeve të dëborës, qindra familje në Veri të vendit u bllokuan dhe qindra qytetarë të pastrehë vuajtën pasojat e dimrit dhe menaxhimit të vështirësuar nga mungesa e ndërhyrjes institucionale në kohën e duhur.
8 Dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)