Task-Forca: Kërkojmë dokumentet nga prokuroria e Napolit dhe Milanos dhe pyetjen e Renzos. Hetimet për korrupsion dhe falsifikim
Sokol Çobo –Prokuroria shqiptare nis menjëherë verifikimet për pajisjen me diplomë universitare të Renzo Bossi-t, djali i liderit të Lega Nord, Umberto Bossi, nga universiteti privat “Kristal”. Nga verifikimet e para të sistemit TIMS (sistem që regjistron të gjitha hyrje-daljet në porte dhe aeroporte) rezulton që Renzo nuk ka shkelur asnjëherë në Shqipëri. Megjithatë ka arritur të marrë një diplomë, pa ditur asnjë fjalë shqip. Mediat italiane shkruajnë se Ambasada Italiane në vendin tonë nuk ka pasur asnjë të dhënë nëse Renzo Bossi ka ardhur ndonjëherë në Shqipëri. Ndërkohë, burime nga Prokuroria e Tiranës pohojnë për gazetën “Shqip” se do të nisin një letërporosi në Itali për të marrë dokumentet që disponon akuza e Napolit dhe e Milanos për dokumentet. Krahas dokumenteve, hetuesit shqiptarë kërkojnë edhe dëshminë e Renzo Bossi-t në lidhje me marrjen e “diplomës universitare”.
Hetimet për korrupsion
Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës konfirmon se ka nisur procedimin penal për akuzat e korrupsionit dhe falsifikimit të dokumenteve. Hetimi ka nisur kryesisht dhe pa emra personash, megjithëse verifikimet e nevojshme do të përcaktojnë nëse ka apo jo elementë të veprës penale në këtë çështje. Paraprakisht, hetuesit e çështjes kanë bërë gati vendimet e sekuestros për regjistrin e studentëve në universitetin “Kristal”, ku do të kërkohet nëse Renzo Bossi është regjistruar apo jo në vitin 2007. më pas do të merren të gjitha dokumentet e amzës dhe do të verifikohen me të dhëna të tjera. “Hetuesit do të marrin dëshminë e punonjësve të universitetit, kryesisht të personave që janë marrë me regjistrimin e këtij studenti. Më pas do të merren në pyetje pedagogët që kanë firmosur për dhënien e notave dhe më pas drejtuesit e universitetit që rezultojnë se kanë firmosur dhënien e diplomës shtetasit italian. Një nga verifikimet do të jetë nëse ky universitet jep mësime edhe në gjuhë të tjera, konkretisht në Itali. Nga ana tjetër, kërkohet pyetja e të ‘diplomuarit’, Renzo Bossi nëse di apo jo gjuhë shqipe”, pohojnë burimet nga prokuroria.
Ambasada Italiane
Dje, gazeta italiane “Corriere Della Sera”, është ndalur sërish te marrja e diplomës nga “Trofta” në Shqipëri. Sipas saj, nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton se Renzo Bossi nuk ka shkelur asnjëherë në Shqipëri. “Edhe nga Ambasada Italiane, në rrugë jo zyrtare, pohojnë se atyre nuk u rezulton një komunikim apo shkresë për ardhjen e këtij shtetasi në Shqipëri. Sidomos në vitin 2010, vit në të cilën Renzo Bossi është regjistruar në universitet”, shkruan “Corriere”. Një burim i saj në Ambasadën Italiane në Tiranë u ka thënë se “për praktikë, ardhja e eksponentëve politikë, qoftë kombëtar apo lokal, na komunikohet”. “Trofta”, sipas dokumenteve të diplomimit, është bërë “doktor” më 29 shtator 2010. “Corriere” shkruan se universiteti ‘Kristal’ ka konfirmuar se dokumenti (që në Shqipëri quhet diplomë ironizon gazeta italiane) është origjinal dhe Renzo Bosi “është diplomuar në menaxhim biznesi”. Sipas universitetit, ai është regjistruar në bazë të ligjeve të shtetit shqiptar në vitin akademik 2007-2008, një vit para se “Trofta” të merrte diplomën e pjekurisë në vitin 2009.
Provimet në gjuhën shqipe
“Si ia ka bërë që i biri i Senatorit të marrë provimet në gjuhë shqipe?” pyet gazeta italiane, duke pohuar se në universitetin privat “Kristal” thuajse të gjitha leksionet janë në gjuhën shqipe dhe ka përkthyes. Më pas ka një dyshim, sipas “Corriere”-s, pasi një nga profesorët ka dhënë dy shpjegime. “Mareglen Spiro fillimisht ka thënë që nuk ka firmosur në dokument, ndërsa më pas ka konfirmuar se firma është e tij, duke shtuar se ‘Renzo Bossi ka studiuar këtu për katër vjet’. Profesor Spiro ka qenë rektor në atë kohë te ‘Kristal’-i, ndërsa tashmë bën të njëjtën punë në një tjetër universitet”, shkruan gazeta italiane.
Faktet
Ambasada italiane
Edhe nga Ambasada Italiane, në rrugë jozyrtare, pohojnë se atyre nuk u rezulton një komunikim apo shkresë për ardhjen e këtij shtetasi në Shqipëri
Sistemi TIMS
Nga verifikimet e para të sistemit TIMS (sistem që regjistron të gjitha hyrje-daljet në porte dhe aeroporte) rezulton që Renzo nuk ka shkelur asnjëherë në Shqipëri
Do pyeten pedagogët
Hetuesit do të marrin dëshminë e punonjësve të universitetit, kryesisht të personave që janë marrë me regjistrimin e këtij studenti. Më pas do të merren në pyetje pedagogët
Prokuroria konfirmon se ka nisur hetimet kryesisht, në bazë të shkrimeve në median italiane dhe atë shqiptare
Batuta për diplomën
Ishte e pashmangshme. Aspektet groteske të diplomës shqiptare të Bossi-t junior çliruan energji të papara tallëse, që vërshuan nëpër rrugë, zyra, celularë, internet e gjetiu; si në botën shqiptare ashtu edhe në atë italiane. Autoironia është gjithnjë e shëndetshme dhe se batuta të tjera mund të mblidhen, ose të bëhen.
• Trofta u diplomua? Ikja e trurit nga Shqipëria.
• Bossi jr u diplomua në Shqipëri për një vit. Tani mund të kërcejë si balerin te emisioni “Amici”.
• Si e kishte lejeqëndrimin në Shqipëri Renzo Bossi? Si student apo ishte klandestin?
• Trofta nuk ishte analfabet siç kujtonin njerëzit, dinte shqip shumë mirë.
• Diploma universitare e Bossi-t? Ofendim për shqiptarët.
• Bossi jr nuk di të flasë italisht, por kalon 29 provime në vit!
• Ku gjendet Shqipëria, në Padania?
• Më shumë më hip nervat kjo diplomë sesa milionat që kanë vjedhur.
• Diploma? E dinim. Asnjë dyshim.
• Një Troftë e peshkuar në Shqipëri.
• Kulmi për një legist? Të vjedhë partinë për të blerë diplomë në Shqipëri.
• Pa fjalë.
• Po ne përse studiojmë? Që të lexojmë diplomat shqiptare?
• Ku?! Në Shqipëri!?
• Tre vjet në një? Siç studiojnë troftat shqiptare nuk studion askush.
• U diplomua? Atëherë quajeni doktor Trofta.
• Ka lezet: çdo mëngjes i hip gomones për të shkuar në shkollë.
• Shumë keq nëse e ka blerë diplomën, por më keq nëse e ka marrë vërtet.
• Shpresojnë të jetojë në Shqipëri këtej e tutje.
• Si gjithë dynjaja, fundja.
• Më mirë nami për diplomat sesa për prostitutat. Po sikur të dali nami për prostituta me diploma?
• Problemi i parë nëse e ke blerë diplomën, problemi i dytë diplomën e kujt universiteti ke blerë.
• Paska dalë mirë me provime. Përse nuk e mbajtën pedagog në universitet?
• Elita italiane po formohet në Tiranë.
• Gjysma atyre që e komentojnë veprimin e Renzo Bossi-t, kanë të njëjtën diplomë me të.
• Je shqiptar? Më duhet një diplomë.
• E kush nuk e ka një diplomë të fshehur në kasafortë?
Marrë nga faqja “Xhaxhai”
