Reagon PDIU: Nuk heqim dorë nga rezoluta, kërkesat tona politike dhe njerëzore
Pala greke po tregohet çdo ditë dhe më shumë e prerë ndaj pranimit të çështjes çame. Dje, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Gregori Delavekuras ka deklaruar për mediat helene se kryediplomati grek, Dimitris Avramopoulos nuk mund ta tolerojë një pretendim të tillë ndaj palës shqiptare dhe se këtë e ka bërë të qartë në çdo takim me përfaqësuesit e politikës shqiptare. Zëdhënësi grek sqaroi se çdokush që kishte pretendime për pronësi në shtetin grek duhej t’i drejtohej gjykatave të këtij vendi dhe nuk mund të ngrinte çështje inekzistente. “Ministri i Jashtëm, Dimitris Avramopoulos, e bëri të qartë që nga fillimi i bisedimeve, se në Greqi nuk ka asnjë çështje të tillë dhe kushdo që konsideron se ka një problem, mund të drejtohet në gjykatat greke”, theksoi zëdhënësi Gregori Delavekuras në emër të Ministrisë së Jashtme greke. Këto deklarata u bënë prej tij nisur nga shkrimet në median greke, sipas të cilave ministri i Jashtëm grek, Avramopoulos i kishte hapur derën palës shqiptare për të vënë çështjen çame në axhendën e marrëdhënieve greko-shqiptare. “Pretendimi se ministri i Jashtëm grek ka hapur dyert për çështjen çame është krejtësisht i pasaktë”, shprehet zëdhënësi duke mohuar në mënyrë kategorike këtë qëndrim. Për këtë deklaratë reagoi dje dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila përshëndeti mediat greke që nxorën në pah një fakt të vërtetë. “Kjo gjë konfirmon dy qëndrimet e qarta të PDIU-së. E para, që çështja çame tashmë ka hyrë në axhendat e bisedimeve mes dy shteteve dhe do të jetë gjithnjë në tavolinën e bisedimeve. Dhe e dyta, konfirmon edhe një herë frikën e Greqisë për të pranuar se është përgjegjëse për një prej gjenocideve më të përgjakshme në histori”, theksohet në deklaratën e PDIU-së. Në deklaratë thuhet se çështja çame nuk është vetëm një çështje ligjore, që i takon të gjejë zgjidhje në gjykatë, por në radhë të parë, është politike, që i takon të zgjidhet mes dy shteteve. Sipas kësaj partie, kjo çështje është edhe njerëzore. “Greqia së pari duhet të kërkojë falje publike për masakrën e kryer nga ushtritë zerviste dhe të lejojë qindra mijëra pjesëtarët e komunitetit çam që të mund të shohin shtëpitë e tyre dhe të vendosin lule mbi varret e të parëve të tyre”, vijon deklarata. PDIU thekson se
mbetet e bindur në nismën e saj për të depozituar në Kuvendin e Shqipërisë rezolutën për çështjen çame, e cila do t’i hapë rrugë nismave të mëtejshme zyrtare të qeverisë shqiptare për të kërkuar zgjidhjen e saj. Qëndrimi i palës greke vjen në një kohë kur Parlamenti shqiptar do të përballet me kërkesën për miratimin e një rezolute për çështjen çame, me kërkesë të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Kreu i kësaj partie, Shpëtim Idrizi, ka bërë të qartë se një nismë e tillë është e domosdoshme. Në një takim të mbajtur dy ditë më parë, me tone të forta, Idrizi akuzoi qeverinë se nuk kishte bërë aq sa duhej për çështjen çame. Ai ka theksuar se shumë shpejt, PDIU do të paraqesë në Kuvend një rezolutë për çështjen çame, e cila do të jetë dhe “prova e zjarrit” për politikën shqiptare. Sipas Idrizit mbështetja për rezolutën do të përcaktojë dhe koalicionet e ardhshme për PDIU-në. Nuk dihet ende sesi do të shkojë procesi i votimit për rezolutën çame në Kuvend, por ajo që dihet lidhet me faktin se miratimi i saj brenda këtij viti shihet si prioritet kryesor i PDIU-së.
F.M
Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, e ka quajtur rezolutën çame si “provën e zjarrit” për Parlamentin shqiptar
Pala greke është detyruar të bëjë disa sqarime muajt e fundit për çështjen çame, për shkak të presionit në rritje