Tri rastet e hetuara në prokurori. Nga skandali i universitetit francez “EREIRE”, e deri te “Kristali”


Sokol Çobo


Të marrësh një diplomë universitare në Shqipëri nuk është e vështirë. Jo gjithmonë mjafton dija, pasi një “skemë” e re është futur në vendin tonë. Mjafton një gjendje e mirë financiare dhe me një pagesë “kesh” në dorë përfiton dokumentin e shumëkërkuar, ku mund të gjesh një punë të mirë apo të ngrihesh në detyrë. Nuk kërkohet frekuentimi i auditorëve apo mësimi i çdo leksioni, ku duhet të marrësh edhe provimin përfundimtar për të kaluar vitin. Tashmë rastet kur përfiton një diplomë pa qenë asnjë ditë në universitet janë shtuar. Burime nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se janë të paktën tri raste të hetuara dhe gjykuara për lëshimin e diplomave universitare në mënyrë arbitrare. Disa persona janë dënuar, midis të cilëve edhe një shtetas francez, ndërsa në hetim është rasti i universitetit privat “Kristal”, ku është vërtetuar se dy shtetas italianë kanë marrë diplomë nga ky universitet. Ndërkohë, disa ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka dënuar dy të moshuar, të cilët jepnin diploma universiteti kundrejt pagesës, e cila shkonte deri në 12 mijë euro. Në këtë rast diplomat ishin shtetërore dhe ishin shumë të kërkuara në “treg”.


 


12 mijë euro diploma


Dy të moshuar drejtonin një skemë për sigurimin e diplomave të blera kundrejt pagesës deri në 12 mijë euro. Gjykata e Tiranës, në bazë të kërkesës së prokurorisë, ka dënuar dy të pandehurit me nga katër muaj burg secilit, Vani Nickën dhe Hajrie Hanellin. Këta persona, kundrejt shumave të mëdha, pajisnin persona që nuk kishin kryer universitetin, me diploma origjinale të një universiteti privat. Diplomat e rregullta janë dhënë kundrejt shumave prej 12 mijë eurosh një diplomë. Preferencat ishin për degët Ekonomik e Juridik dhe gjatë kohës së aktivitetit kriminal Hanelli dhe Nicka kanë pajisur plot 10 persona me këto diploma. “Pasi nisën përgjimet, u pa se dy të moshuarit fillimisht premtuan një diplomë në një universitet privat. Më pas premtuan një diplomë në një universitet tjetër, për të cilën kërkuan 12 mijë euro”, thuhet në vendimin e gjykatës.

IRERIE”


Një nga skemat e dhënies së diplomave universitare është padyshim rasti i një shtetasi francez, i cili u dënua në mungesë me 5 vjet burg me akuzën e “mashtrimit”. Bruno Hamard hiqej si drejtues i një instituti francez, që nuk ekzistonte dhe zotërues i një urdhri kalorësiak, që nuk njihej në Francë, duke futur në një grackë mashtrimi dhjetëra shqiptarë. Sipas gjykatës, kundrejt shumave nga 300 deri në 1000 euro, ai ka pajisur “viktimat” e tij me diploma “Master” dhe “Doktoraturë” në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, që në të vërtetë nuk vlenin dhe nuk njiheshin në asnjë vend. Skemës, thuajse perfekte të mashtrimit të tij, nuk i kishte shpëtuar askush, as profesorët e Fakultetit Histori-Filologji e as zyrtarë të lartë të ministrive shqiptare. Instituti fals i ngritur nga francezi Hamard në Tiranë fillimisht ka pasur 17 studentë. Pagesa e brezit të parë ka qenë 300 euro për çdo student. Më pas u rrit kuota e pranimit në 1000 mijë euro për çdo student. Në vitin akademik 2006-2007 kanë vijuar studimet në këtë institut 65 studentë.


 


“Kristali”


Rasti më i fundit, por më flagranti, është pajisja me diplomë universitare të shtetasve të huaj, pa qenë asnjë ditë në auditorë. Dy shtetas italianë, njëri prej të cilëve djali i një politikani, janë pajisur me diplomë. Renzo Bosi pranoi se nuk ka qenë asnjëherë në Shqipëri, megjithëse Prokuroria e Milanos i sekuestroi një dokument, ku vërtetohej se ishte diplomuar për menaxhim biznesi. Prokuroria shqiptare thotë se kërkon dëshminë e Bosit, duke nisur një letërporosi në vendin fqinj. Procedimi penal filloi mbi bazën e disa shkrimeve në median shqiptare dhe italiane. Hetimet po vijojnë me pyetjen e disa pedagogëve.


 


 


Të moshuarit – Nicka dhe Hanelli premtonin të jepnin diploma universitare në Juridik dhe Drejtësi. U dënuan secili me nga katër muaj burg


“IRERIE” – Bruno Hamard hiqej si drejtuesi i një instituti francez, që nuk ekzistonte dhe pajisi me diploma edhe zyrtarë të ministrive


“Kristali” – Janë faktuar dy rastet e abuzimit me diplomat e Renzo Bosit dhe Pierangelo Moscaguiro, ndërsa verifikimet janë fokusuar te persona të tjerë