Një tjetër ish-i persekutuar politik ka tentuar të vetëdigjet me benzinë mbrëmjen e sotme pranë çadrës ku është improvizuar greva e urisë së ish-të persekutuarve politikë, në zonën e “Komunës së Parisit”. Gani Aliaj, i cili nuk është pjesë e personave që janë ngujuar prej 20 ditësh në greve urie, mësohet se ka shkuar që të vizitojë shokët e tij të së njëjtës kauzë, dhe në momentin që është afruar tek çadrat ku ndodhshin të ngujuarit ka lyer trupin me benzinë dhe ka tentuar t’i vërë flakën vetes.
Është dashur ndërhyrja e menjëhershme forcave të policisë, të cilët e kanë neutralizuar menjëherë Aliajn, duke parandaluar kështu përsëritjen e të njëjtës skenë me dy rastet që kemi parë gjatë ditëve të fundit, të vetëdjegies së Gjergj Ndrecës dhe Lirak Bejkos.
Pas këtij momenti, ish-i përndjekuri politik është shoqëruar për në komisariat. Vetë Aliaj ka deklaruar se është duke kërkuar një të drejtë të mohuar për vite me radhë, pasi sipas tij ai ka bërë 20 vite burg në Spaç dhe nuk ka marrë asnjë lekë dëmshpërblim, ndërkohë që ka theksuar se do të tentojë sërish aktin e vetëflijimit nëse nuk i jepet e drejta e tij legjitime.
Meta në një mendje me kryeministrin: Greva e ish-të përndjekurve është politike
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë fjalimit të mbajtur mbrëmjen e sotme në një aktivitet të organizuar nga Lëvizja e Gruas për Integrim, e cilësoi grevën e ish-të përndjekurve një realitet të hidhur që po ndodh para syve tanë, por që ka brenda aspektin e vet politik.
“Është për të ardhur keq për situatën e ish-të përndjekurve politikë në grevë urie. Por greva është një protestë politike”, tha Meta.
Ai më tej iu referua qëndrimit të Ministrisë së Financave lidhur me dëmshpërblimin e tyre, sipas të cilës ligji është zbatuar. Meta bëri thirrje që të mos shfrytëzohet ky moment i vështirë i ish-të përndjekurve nga klasa politike, e cila sipas tij po merr shkas nga ky moment që të përfitojë për të hedhur akuza ndaj qeverisë.
11 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)