Greva e urisë së ish-të përndjekurve politikë ka hyrë në ditën e 30 dhe ende nuk ka ndonjë sinjal për zgjidhjen e kërkesave të tyre. Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Tiranës, të ngujuarit e urisë nuk pranojnë të lëvizin nga tendat e grevës megjithëse gjendja e tyre shëndetësore është mjaft e rënduar.
Një ditë më parë ata kanë akuzuar policinë se i ka hequr ilaçet, trisolin dhe lëngjet, shqetësim ky i denoncuar edhe nga Avokati i Popullit Igli Totozani. Ndërkohë mëngjesin e sotëm është rikthyer pranë ambienteve të grevës ish-i dënuari Agim Kollçaku, i cili mbrëmë u dërgua me urgjencë në Qendrën Spitalore ‘Nënë Tereza’, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Sot, ai është kthyer sërish me autoambulancë para ambienteve të grevës, por nuk është lejuar nga policia të rifutet në grevë.
Koordinatori i grevës, Skënder Tufa ka akuzuar policinë se ka dhunuar Kollcakun. “Kollcakun policia e ka nxjerrë me dhunë nga ambulanca. Policia dhe shëndetësia po ndërmarrin veprim banditesk ndaj grevistit”, akuzoi publikisht Tufa. Ai ka apeluar sërish për ndihmë dhe u ka kërkuar ndërkombëtarëve të ndërhyjnë për të zgjidhur situatën. “Ndërkombëtarët të ndërhyjnë për shpëtimin e jetëve”, ka apeluar Tufa, i cili ka paralajmëruar se nesër në orën 10:00, ish-të burgosurit do protestojnë sërish para selisë së Kuvendit.
Ora 14:20- Policia e Tiranës: Totozani të mos furnizojë grevistët me ushqime
Policia e Tiranës ka reaguar sot pas akuzave të Avokatit të Popullit, Igli Totozani, i cili kërkoi heqjen e urdhrit për ndërprerjen e ilaçeve dhe lëngjet, veprim të cilin ai e quajti akt çnjerëzor dhe të dënueshëm penalisht. Në një deklaratë për shtyp policia kryeqytetase i ka mohuar akuzat dhe i ka kërkuar Institucionit të Avokatit të Popullit të kërkojë ndjesë publike. Policia ka sulmuar Totozanin duke pretenduar se ka luajtur rolin e furnitorit me ushqime të grevistëve.
“Shprehim keqardhjen për deklaratat e pavërteta të Avokatit të Popullit. Grevistëve të urisë nuk u janë ndërprerë nga ana jonë, as ilaçet, as mjekimet apo ndërhyrjet mjekësore. I bëjmë thirrje Avokatit të Popullit të heqë dorë nga roli i furnitorit me ushqime të individëve që kanë hyrë në një grevë, të pretenduar si urie”, thuhet në deklaratë. Sipas policisë, Avokati i Popullit nuk duhet të manipulohet nga kjo grevë politike dhe të ruajë integritetin e tij. “I bëjmë apel këtij institucioni të respektojë integritetin e tij dhe të mos bjerë pre e kësaj greve politike dhe të kërkojë ndjesë”, tha përfaqësuesi i policisë.
21 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)