Dita e Drejtësisë ka mbledhur bashkë në një aktivitet përfaqësuesit më të lartë të sistemit të drejtësisë në vendin tonë që nga ministri Nasip Naço, kreu i gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, kryeprokurori Adriatik Llalla, por edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë.
Në fjalën e tij në këtë aktivitet ministri i drejtësisë Nasip Naço deklaroi se reformimi i Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese janë themelore dhe të domosdoshme për të ndryshuar klimën e mosbesimit publik ndaj sistemit të drejtësisë.
“Lufta kundër korrupsionit në gjyqësor ka bërë progres të kufizuar. Të gjithë jemi dëshmitarë të një klime mosbesimi ndaj sistemit të drejtësi në përgjithësi. Është e rëndësishme që kjo situatë të pranohet si realitet që duhet ndryshuar. Kemi kërkuar reformimin e Gjykatës së Lartë. Reformim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Reforma në KLD është prioritare. Kjo mundëson shmangien e mbivendosjes së dy institucioneve, Ministrisë së Drejtësisë dhe KLD-së”, – u shpreh Naço.
Nuk ka munguar edhe në aktivitet përplasja Ministri e Drejtësisë-KLD kur në fjalën e tij me rastin e këtij aktiviteti, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Cefa përkundër zotimit të ministrit të drejtësisë Naço për reformim tërësor të sistemit, deklaroi se KLD nuk do të pajtohet me asnjë pseudoreformë që synon përbaltjen e sistemit dhe gjunjëzimin e tij.
“Nuk mund të pajtohemi me pseudoreformat që duan të përbaltin dhe gjunjëzojnë sistemin. Jemi të vendosur të kundërshtojmë çdo ndërhyrje. I qëndrojnë pikëpamjes tonë se marrja e sistemit të drejtësisë nën kontrollin politik është forma më e lartë e korrupsionit. Duhet të dimë të pranojmë me ftohtësi anët e mira dhe të luftojmë anët negative. Çdo kontribut që të ndihmojnë gjykata për të lehtësuar punën e qytetarëve do përkrahet nga KLD”, tha Cefa.
10 maj 2014 (gazeta-Shqip.com)