Me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, Kryeministri Sali Berisha, gjatë një aktiviteti që po zhvillohet në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, u shpreh se sot është ditëlindja e lirisë dhe e të drejtave të shqiptarëve.


“Jam i lumtur që festoj me të rinjtë Ditën Kombëtare të Lirisë. Të rinjtë, me në krye Azem Hajdarin rrëzuan regjimin e ashpër komunist, regjimin e bllokmenëve primitivë që iu ndalonte shqiptarëve me ligje e kushtetutë besimin te zoti, Krishti, Muhameti, pronën, lëvizjen e lirë”, u shpreh Berisha.


Kryeministri akuzoi ata që i quajti bijtë e socialistëve se po përdorin votën në Kuvend për të bllokuar ëndrrën europiane të të rinjve ndërsa u shpreh i bindur për fitore në zgjedhjet e 23 qershorit.


“Jam i bindur se ju po prisni me padurim që më 23 qershor të vitit që vjen të rrëzoni me votën e lirë murin e bllokimit të ëndrrës suaj evropiane që kanë ngritur pinjollët e bllokmenëve hoxhistë, të humbur kanë qenë gjithmonë ata që janë përballur me ju, ne do fitojmë”- tha Berisha.


Rama, të rinjve: Të gjithë bashkë për ndryshimin e madh


Me rastin e Ditës së Rinisë, kreu i PS, Edi Rama ka organizuar një takim me të rinjtë në kryeqytet, të cilëve u ka bërë thirrje që të jenë aktivë në politikë për të sjellë ndryshimin e domosdoshëm, duke iu kujtuar se sot pas 22 vjetësh nga 8 qershori 1990, nuk është më kaq e vështirë dhe e rrezikshme të kërkosh ndryshimin dhe zhvillimin siç ndodhte në atë kohë.


“8 Dhjetori i 22 viteve më parë ishte momenti kur të reja dhe të rinj si ju sot vendosën të hedhin një hap të rrezikshëm, të marrin përsipër diçka që ishte një shtysë drejt një të panjohure. Asnjë nuk e dinte se çfarë do ndodhte më pas. Sot nuk jemi ndryshe. Sot të ecim para në një rrugë të përbashkët është domosdoshmëri. Të bëjmë të mundur ëndrrat”, – u shpreh kreu i PS para të rinjve.


Kreu i selisë rozë theksoi se vlera e 8 dhjetorit të famshëm të ‘90 ka qenë dhe do jetë një ditë e së tashmes për të folur për të ardhmen dhe për të bërë më të mirën për të.


8 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)