Iu hoqën nëntë muaj për protestën


Namik DokleGjykata Administrative ka rrëzuar vendimin e ish­kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, duke e cilësuar heqjen e pagës për nëntë muaj të deputetit socialist, Namik Dokle si të paligjshme. Në vendimin e saj të djeshëm, gjykata e ka cilësuar të padrejtë vendimin e Topallit të 2010-s, duke detyruar në këtë mënyrë administratën aktuale të Kuvendit të Shqipërisë të paguajë paratë për deputetin e dëmtuar. Konkretisht, me vendimin e djeshëm, deputeti i PS-së, Namik Dokle, ka fituar të drejtën e fitimit të pagës për nëntë muaj, pasi heqja e pagës së Dokles në periudhat shtator 2009 – maj 2010 nga ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është vlerësuar e padrejtë, duke përfituar pagën e munguar, shpërblimet dhe dietat për një periudhë nëntëmujore. Vendimi në favor të deputetit është dhënë nga gjyqtari Gentian Hamiti, i cili i ka njohur Dokles të drejtën për të përfituar afro 1.4 milionë lekë përfitime për periudhën shtator 2009 ­ maj 2010. Kështu, Parlamenti duhet t’i paguajë paditësit, në këtë rast Dokles, pagën neto prej 780 243 lekësh, shpenzime telefonike në shumën 147 100 lekë, dieta në vlerën e 272 282 lekëve, si dhe shpenzime transporti në vlerën e 223 042 lekëve. Periudha shtator 2009 ­ maj 2010 përkon me protestën e Partisë Socialiste në atë periudhë të opozitës, e cila nën moton “Hap kutitë” bojkotoi për disa muaj punimet e Kuvendit. Në atë periudhë, Kuvendi drejtohej nga Jozefina Topalli, e cila vendosi që jo vetëm deputetit Namik Dokle, por plot 63 deputetëve të tjerë socialistë t’i ndërpresë përfitimet financiare. Një padi të ngjashme rezulton ta kenë bërë dhe disa deputetë të tjerë socialistë, ku mes deputetëve që iu ndërprenë pagat dhe kanë bërë padi në gjykatë janë Valentina Leskaj, Olta Xhaçka dhe ish­deputetja Shegushe Ligori.