Speciale
Mister fati i mbi 500 mijë USD për qendrën. Do të ketë rilindje për këta fëmijë?
Sokol Çobo
Vjedhja, shpërdorimi i detyrës dhe korrupsioni sollën një nga skandalet më të mëdha dhe më të pamoralshme në Shqipëri. Pushteti qendror dhe lokal ishte përgjegjësi kryesor për mbylljen e Qendrës së Fëmijëve të Ngujuar në qytezën e Poliçanit, pasi, në vend që të menaxhonin paratë e marra me një kredi të butë nga Banka Botërore, i ndanë me njëri-tjetrin apo i përdorën në fushata elektorale. Ky skandal, i bërë publik në vitin 2009, vazhdon të ketë mister fondet e akorduara apo përgjegjësit që sollën degradimin e kësaj qendre, e cila, për nga mënyra sesi u ngrit, ishte një risi dhe një e mirë për të gjithë fëmijët e ngujuar. Asnjë person nuk është dënuar, e aq më tepër të jetë ende nën hetim, ndërsa në atë kohë u hetua edhe ish-ministri i Punës, Kosta Barka, por në mënyrë misterioze akuzat u pushuan dhe gjithçka u mbyll me vendim gjykate e prokurorie. Megjithëse nuk ka asnjë fajtor, pyetja që lind natyrshëm është se ku përfunduan fondet e akorduara? Ku shkuan fondet për këta fëmijë, në një kohë që të gjithë u shpallën të pafajshëm! Gazeta “Shqip” ka bërë një hulumtim të disa dokumenteve për këtë qendër, nga ku rezulton se është ndryshuar destinacioni i fondeve qindra mijëra euro. Nga një qendër e nisur për bamirësi, ky projekt përfundoi në mënyrë të paturpshme në zhvatje. Ata, zyrtarët qendrorë dhe lokalë, vodhën gjithçka, që nga buka e përditshme deri te veshja e akomodimi. Këtë maskaradë nuk do e bënin as hasmit e familjeve të tyre, të cilët, duke parë edhe gjendjen alarmante për arsimin e fëmijëve, kanë firmosur se mbi këto qenie njerëzore të pafajshme nuk do të merrnin hak.
Qendra u ngrit me VKM
Qendra e Fëmijëve të Ngujuar në Poliçan u ngrit mbi bazën e një VKM-je, nisur nga një studim i një shoqate se fëmijët e kësaj kategorie ishin të pashkolluar. Në vitin 2004 dhe 2005 rezultoi se vetëm dy fëmijë kishin përfunduar shkollën e mesme, madje atë bujqësore, duke pasur një nevojë alarmante për arsimimin e tyre. Në këto vite, pra deri në 2006-n, shoqata e arsimimit të këtyre fëmijëve në nevojë bëri një bilanc të të gjithë fëmijëve nga zonat e Veriut të Shqipërisë që ishin të paarsimuar, ndërsa projekti u fitua në vitin 2006 dhe ishte 148 mijë euro kredi e butë. U vendos që shkolla të ishte në qytezën e Poliçanit, në ish-spitalin e vjetër. Prona iu vu në dispozicion Ministrisë së Arsimit, pa të drejtë tjetërsimi. Projekti ishte për korrik 2006-korrik 2007. Në këtë periudhë u mblodhën 23 fëmijë nga zonat e Veriut të Shqipërisë dhe u strehuan në Poliçan. Atje u krijua konvikti, që kishte mensë dhe gjithçka tjetër që e bënin të jetueshme. Fëmijët do të strehoheshin në këtë godinë, e cila do të ruhej, dhe do të shkonin në shkolla publike, që ishte shumë afër këtij konvikti. Për një vit me radhë, gjithçka shkoi sipas planit, pasi kjo periudhë ishte e financuar. Problemet e para filluan të dilnin pas korrikut të vitit 2007. Qeveria diskutoi dhe vendosi se kjo qendër duhej të vazhdonte, pasi u pa e arsyeshme se fëmijët kishin nevojë emergjente për arsimim. U akordua sërish fond nga qeveria, e cila, në vend që të menaxhonte këtë qendër, ia kaloi pushtetit lokal.
Zhdukja e 100 mijë USD
Vjedhja e fondeve filloi pas verës së vitit 2007. Qeveria akordoi shuma të majme për këtë qendër, që ishin qindra milionë lekë. Madje, një fond prej gati 100 mijë USD është zhdukur totalisht. Ky fond i dhënë do të shërbente për rregullimin e ambienteve, pra për sistemin e ngrohjes dhe një kënd të madh lojërash. Por, sipas informacioneve, ky fond iu akordua pushtetit lokal, i cili duhet të investonte brenda godinës së kësaj qendre. Pati dyshime se ky fond shërbeu për një rrugë në hyrje të Poliçanit, e cila nuk kishte asnjë lidhje me qendrën, gjithsesi këto informacione asnjëherë nuk janë konfirmuar. Gjatë kryerjes së bilancit për këtë shumë, u konstatua se rreth 100 mijë USD nuk ishin investuar dhe kjo shumë duhej t’i kthehej qeverisë apo donatorëve. Por, zyrtarët qendrorë dhe vendorë përcaktuan se kjo shumë ishte dhënë. Edhe kur kanë kaluar vite, ende nuk dihet se ku përfunduan, në xhepat e zyrtarëve apo gjetkë! Sërish dyshime pati se kjo shumë është ndarë mes atyre që kishin kompetenca që t’i jepnin, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik dhe fëmijëve të qendrës kushte më skandalozë të jetesës.
Vjedhja 50 milionë
Shumat e akorduara për këtë qendër kanë qenë në miliona lekë, të cilat, nëse do të kish pasur një menaxhim të mirë, atëherë 23 fëmijët e kësaj qendre ndoshta mund të merrnin një edukim të mirë, pse jo të vazhdonin shkollën e mesme apo të lartë. Por, në realitetin shqiptar, ku fondet vidhen në mënyrë të hapur, përjashtim nuk bëri as kjo qendër, fondet e së cilës, për nga morali i zyrtarëve dhe politikanëve qendrorë dhe vendorë, nuk duhet të prekeshin.
Ish-ministri i Punës, Kosta Barka, ka lëshuar për këtë qendër një shumë prej 50 milionë lekësh të vjetra. Dokumenti mban numrin e protokollit 1944 dhe i datës 23 tetor 2007. I drejtohet Ministrisë së Financave, për transferim fondesh. Në dokument ka edhe një saktësim. Fillimisht u akordua kalimi i kësaj shume për Bashkinë e Poliçanit, për programin e “Mbrojtjes sociale të edukimit social të fëmijëve të ngujuar” dhe më pas, me urdhrin e ish-ministrit, kjo shumë kaloi për programin “Mbrojtja sociale, Familja e Madhe”. Kishte sërish dyshime se programi i fundit ishte ngritur vetëm ato ditë, për të marrë këtë shumë, por drejtësia shqiptare, prokuroria e gjykata, nuk vërtetuan asnjë fakt, duke i dhënë një tjetër mister akordimit të kësaj shume, e cila duhet të ishte edhe për punëtorët që mundoheshin të arsimonin apo të siguronin këta fëmijë në Poliçan.
Dijeni edhe ish-kryeministri
Siç rezulton edhe nga shkresat, ish-kryeministri Berisha është informuar për këto abuzime. Madje, shoqata që fitoi projektin e Bankës Botërore e vuri në dijeni. Në një letër thuhet se për fëmijët e ngujuar duhet një shkollë publike që të arsimohen së bashku me fëmijët e tjerë, pasi mësimi në shtëpi nuk mjafton që të përballojnë studimet e mëtejshme të mesme dhe universitare. Këta fëmijë, i shkruhet Berishës, vuajnë për ushqim e veshje dhe u rrezikohet jeta nga gjakmarrja. Madje, iu propozua që kjo qendër të marrë një status të veçantë dhe të financohet nga organet qendrore dhe të menaxhohet nga personat me përvojë. “Fondi i marrë nga Ministria e Punës në tetor 2007 prej 5 milionë lekësh (të reja) është marrë nga Bashkia e Poliçanit. Po ashtu, është vepruar edhe me 2.7 milionë lekë (të reja) që u dhanë në dhjetor 2006 për tremujorin e fundit të atij viti, që i mori bashkia, me pretendimin se ministri Barka ia kishte dhënë për t’i përdorur për zgjedhjet lokale. Ju lutemi, ndërhyni që kjo qendër të mos kalojë në pronësi të Bashkisë së Poliçanit, sepse fëmijët e ngujuar nuk janë nga ajo zonë dhe punonjësit që janë angazhuar atje janë nga zonat e familjeve të ngujuara. Bashkia ka tentuar me dhunë që t’i nxjerrë këta fëmijë nga qendra, madje u ka ndërprerë ujin dhe dritat që t’ua vështirësojë sa më shumë fëmijëve qëndrimin aty”, ishte letra për Berishën.
Por, më vonë, ish-ministri Kosta Barka, në zgjedhjet e vitit 2009 ishte kandidat për deputet në Qarkun e Vlorës. Ai u bë deputet pas tërheqjes së ish-deputetit Ardian Kollozi, ndërsa më parë Barka ka qenë edhe drejtor i Hipotekës, pra në poste të rëndësishme. E gjitha kjo solli që kjo çështje të degradohej më pas në dyert e prokurorisë dhe gjykatës.
[callout]Fondet e Ministrisë së Punës
11.12.2006 – Ministria e Punës i ka çelur në llogarinë e Bashkisë Poliçan për transferta për Qendrën Sociale të Fëmijëve të Ngujuar në Poliçan fondin në masën 3 milionë lekë
05.02.2007 – Me kërkesë të Bashkisë Poliçan, nga ana jonë është çelur në llogarinë e kësaj bashkie për këtë qendër të ngujuarish 3.8 milionë lekë
05.10.2007 – Gjithashtu po me kërkesë të Bashkisë Poliçan, por kësaj here me destinacion shoqata Familja e Madhe, nga Ministria e Punës është dhënë fondi 5 milionë lekë
Akordimi i fondeve – Ministria e Punës të gjitha fondet ia ka akorduar Bashkisë së Poliçanit, sipas kërkesës së kësaj bashkie, pasi MPÇSSHB financonte bashkitë/komunat për të gjitha llojet e shërbimeve shoqërore, publike, jopublike, që kryhen në nivel qendror, në territorin dhe juridiksionin e bashkisë/komunës.[/callout]
2009-2011
Ish-shefi i opozitës, Kryeministri aktual, Edi Rama, vizitoi këta fëmijë në vitin 2009: Zgjidhje kombëtare
“Fëmijët e ngujuar”, kur në mes futet politika!
Ligjvënësit e mëparshëm janë munduar që të rihapin Qendrën e Fëmijëve të Ngujuar, por gjithmonë u dilnin pengesa artificiale. Në prill-maj 2010 ky skandal shkoi edhe në Parlament, madje pati diskutime në komisionet parlamentare për dhënien e një zgjidhjeje, por si gjithnjë diskutimet ishin vetëm që kjo çështje të harrohej dhe të arkivohej, në një kohë që të akuzuarit mbanin poste të rëndësishme dhe u ishte dhënë mbështetje politike. Komisioni parlamentar i Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale i rekomandonte në maj 2010 Ministrisë së Punës që të plotësonte kushtet për rikthimin në qendrën e Poliçanit të fëmijëve të ngujuar. Ish-kryetari i komisionit, deputeti Tritan Shehu, do të deklaronte se qendra e Poliçanit ka infrastrukturën e nevojshme për të pritur fëmijët e ngujuar, por ai i kërkonte ish-ministrit të Punës, Spiro Ksera, që të merrte masa dhe për plotësimin e qendrës me staf të kualifikuar, me psikologë e sociologë, për shkak të problemeve që mbartin fëmijët si pasojë e fenomenit të gjakmarrjes. “Ne e dimë që në qendrën e Poliçanit janë akomoduar pleq dhe aty ofrohen shërbime multifunksionale, por i kemi rekomanduar Ministrisë së Punës që të krijojë kushte të përshtatshme për fëmijët e ngujuar, pasi mendojmë se nga ana infrastrukturore kjo nuk përbën problem. Ajo që mendojmë si çështje që duhet zgjidhur, është stafi i trajnuar që duhet të merret me fëmijët. I kemi rekomanduar Ministrisë së Punës që stafi të jetë i veçantë nga shërbimi për pleqtë”, ka pohuar Shehu. Ministria e Punës e ka kundërshtuar këtë deklaratë.
Për këtë çështje ka folur edhe ish-lideri i opozitës, tashmë Kryeministër, Edi Rama. Ai i ka vizituar këta fëmijë në vitin 2009 dhe ka kërkuar zgjidhje kombëtare për fenomenin e gjakmarrjes. Rama bisedoi nga afër me fëmijët, duke u shprehur se gjendej pranë fëmijëve përtej çdo politizimi të çështjes. “Këta fëmijë nuk janë në situatën ku mund t’i lihet në dorë pingpongut të institucioneve. Kjo është një përgjegjësi e shtetit shqiptar dhe shteti shqiptar para këtyre fëmijëve duhet të jetë një, gjë që do të thotë se të gjithë duhet në këtë rast të marrin përgjegjësinë që u takon”, do të deklaronte Rama, duke theksuar se për ta duhet gjetur një zgjidhje maksimalisht e denjë për një shtet që ka përgjegjësi dhe që ka ndjenja ndaj gjithë këtyre që janë të pafajshëm. Sipas tij, nuk ishte e rëndësishme të diskutohej kush e kishte fajin, por që fëmijët të jetojnë normalisht brenda kushteve të vështira që janë, për shkak të problemit të gjakmarrjes. “Unë nuk erdha këtu për të bërë politikë, erdha këtu sepse në pozicionin që kam, e ndiej detyrë që të bëj gjithçka mundem dhe e ndiej krejtësisht të mundshme që ajo për të cilën kanë nevojë këta të bëhet, por përtej çdo bisede në natyrë politike dhe përtej çdo politizimi të kësaj çështjeje që është mëkat për ta, unë nuk mund të mos e them që jeta dhe fati i tyre nuk mund të jenë top pingpongu”, do të deklaronte Rama në vitin 2009, duke theksuar se këta fëmijë nuk janë të internuar që duhet të vuajnë dhe se shteti duhet ta zgjidhë këtë situatë. Tashmë presim nëse Kryeministri aktual do të ndërmarrë apo jo ndonjë veprim për këta fëmijë të ngujuar, të cilët aktualisht mbahen në shtëpi, brenda katër mureve, me frikën se mund të bien pre e atentatit nga njëra ditë në tjetrën.