Deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi tha se dorëheqja e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri nuk ka asnjë vlerë për të zbardhur të vërtetën e lëshimit të tij nga Edi Rama. Në një postim në Facebook, Patozi shkruan se dorëheqja e Tahiri ka të bëjë me protestën e Partisë Demokratike që prej 3 javësh po zhvillohet në çadrën e ngulur përpara Kryeministrisë.
“Çfarëdo që të thotë Saimir Tahiri në tekstin e dorëheqjes, nuk ka ndonjë vlerë për të zbardhur të vërtetën e lëshimit të tij nga Edi Rama. Do të ketë shumë hamendje dhe teori konspiracioni, që do të vërshojnë në portale dhe gjetkë këto ditë, se jetojmë në Tiranë. Por sado të mirinformuara të jenë burimet, ato sërish do të mbeten të pamjaftueshme për ta shpjeguar dorëzimin e beftë të kryeministrit.
Dikush do të thotë se është një ndërmjetësim i fortë ndërkombëtar me qitje të largët, ku përfshihet jo vetëm Shqipëria, por i gjithë rajoni. Ata që janë më me këmbë në tokë do ta lidhin thjesht me Ilir Metën, me raportin e acaruar të tij me Edi Ramën, gjithçka po ndodh.
Por sido dhe sado që të përpiqen ta mbulojnë dhe ta fshehin të vërtetën, e kanë të pamundur, sepse te gjitha gjurmët të çojnë në çadër.
Që prej 18 shkurtit protesta e opozitës është “përgjegjësja” e vetme për të gjitha fitoret e qytetarëve shqiptarë, në kauzën e tyre “për Shqipërinë, një vend normal”. Sepse normaliteti i çdo vendi demokratik nis me zgjedhjet e lira.
Që nga greva e Zharrëzës, e deri tek dorëheqja e Saimir Tahirit. Dhe nuk di pse Edi Rama sot më ngjan me atë që bënte autokritikë në kohën e diktaturës, por shokët e Partisë i thonin se duhet të thellohej akoma.
Ndaj mos kërkoni të gjeni se cili është roli dhe efekti konkret i protestës në zhvillimet e vrullshme, që po ndodhin këto ditë në Shqipëri. Sepse për shkak të kauzës së madhe, që përfaqëson, ç çadra fiton edhe kur nuk bie shi”, shkruan Patozi.
11 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)