Pasditen e sotme dorëshkrimi është çuar në Drejtorinë e Arkivës, ashtu siç vendosi gjykata një ditë më parë


Dorëshkrimi origjinal i veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe”, i shkrimtarit Ismail Kadare, i është dorëzuar Arkivës së Shtetit. Një ditë pas urdhrit të gjyqtarit të gjykatës së Tiranës, Bledar Abdullai, dorëshkrimi është çuar për t’u ruajtur përkohësisht në drejtorinë e arkivës, deri sa të zgjidhet çështja në themel. Dorëshkrimi u dorëzua në prani të avokatëve mbrojtës të Nexhmije Hoxhës dhe Ismail Kadaresë, si dhe të një përmbaruesi. Bëhet e ditur se në bazë të këtij procesverbali të firmosur nga palët janë 1.252 faqe të inventarizuara tashmë, ashtu siç edhe gjyqtari kërkoi të enjten gjatë shpalljes së vendimit, në një kohë që dueli gjyqësor mes Kadare dhe ish-bashkëshortes së Enver Hoxhës do të vijojë në shtator.


Shkrimtari Ismail Kadare kërkon të rifitojë të drejtat e autorit për dorëshkrimin e veprës, e cila sipas padisë së tij, iu mor nga shtëpia në vitin 1972 prej Nexhmije Hoxhës.


Nga ana e saj, Hoxha pretendon se dorëshkrimi i është dhuruar, por Kadare në padinë e tij vëren se gjatë një vizite Nexhmije Hoxha i kishte kërkuar ta merrte dorëshkrimin për shkak të ambientit dhe ai nuk kishte se si të refuzonte gruan më të fuqishme të regjimit.


27 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)