Eurodeputetja flet për “Top Channel”: Të negociojnë ambasadorët


doris packEurodeputetja Doris Pack i është shtuar listës së kritikëve të zëvendësimit të anëtarit të KQZ-së nga mazhoranca e drejtuar prej Kryeministrit Sali Berisha. Në një intervistë për “Top Channel”, Pack vlerëson se kjo lëvizje ishte, së paku, e panevojshme; se me ndihmën e ndërkombëtarëve KQZ-ja duhet “shëruar”, siç shprehet ajo, jo vetëm për të garantuar pavarësinë e këtij institucioni, por edhe për të hequr ankthin e zgjedhjeve jo korrekte.


“Pikë së pari, ajo që duhet të shohim ne është që ky organ të jetë i pavarur. Nuk ka rëndësi sesi është votuar në të kaluarën dhe me cilën mazhorancë është votuar, pasi anëtarët votohen për disa vite. Dhe për mua ishte, së paku e panevojshme, që të ndryshohej Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sepse ishte një organ i pavarur dhe duhet të jetë i tillë”, tha eurodeputetja Pack.


Ju keni këshilluar, apo mbrojtur në momente të vështira Kryeministrin Berisha. Cila është këshilla juaj për të dhe si mund të ndryshohet kjo situatë?


Së pari nuk i jap kurrë këshilla ndonjë kryeministri, qoftë në Shqipëri apo në një vend tjetër. Jap përgjigje nëse pyetem për ndonjë gjë dhe askush nuk më ka pyetur kësaj here. Pra po them atë që doja unë të thosha. Nëse do të kisha qenë unë në pushtet, nuk do ta kisha bërë një gjë të tillë, pasi kjo ishte e panevojshme dhe po errëson Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Shpresoj që ky komision të “shërohet”.


A mendoni se mund të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme me këtë lloj KQZ-je?


Shpresoj që çështja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të “shërohet”, në një mënyrë apo në një tjetër, ndoshta nëpërmjet ndërkombëtarëve që jetojnë në Shqipëri, duke ndihmuar qeverinë dhe opozitën, si gjithnjë, për të gjetur një rrugëdalje nga qorrsokaku. Pra unë shpresoj se ata do t’i ndihmojnë ta rregullojnë këtë gjë.


Përgatiti ERNEST BUNGURI