Hetimet
Viktor Skeja dyshohet për grabitje banke në vitin 1997 në Laç, pas ngjarjes filluan ekzekutimet për ndarjen e parave
Silvana Muça
Gazeta “Shqip” zbardh të gjithë dosjen kriminale të Viktor Skejës, ish-drejtori i CEZ Shpërndarje në qytetin e Laçit, i cili mbeti i vrarë pasditen e së dielës. Gjatë 24 orëve të fundit, grupi hetimor ka shoqëruar rreth 13 persona, që dyshohet se janë përfshirë në vrasjen e 47-vjeçarit. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur dhe sekuestruar 10 gëzhoja të kalibrit 7.62 mm, dy predha të deformuara dhe një këmishë predhe. Gjatë kontrollit fizik të viktimës Viktor Skeja, i është gjetur në brez dhe sekuestruar një armë pistoletë. Burime të brendshme të grupit hetimor thonë se viktima dyshohet se është me precedentë të theksuar kriminalë në fushën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, qenieve njerëzore dhe konflikte të ndryshme.
Grabitja e bankës
Nga të dhënat paraprake dyshohet se Viktor Skeja së bashku me 6 shtetas të tjerë janë autorë të vjedhjes me armë të bankës së qytetit të Laçit. Ngjarja ka ndodhur më 13 mars 1997, kohë kur vendi ka qenë në tranzicion. Kjo ka qenë zanafilla e vrasjeve zinxhirë, të cilat kanë ndjekur njëra-tjetrën. Si pasojë e kësaj, grabitësit mundën të fitojnë shuma të konsiderueshme parash. Ideja ishte që paratë e fituara t’i ndanin më pas në pjesë të barabarta, por nuk ka ndodhur kështu. Mes tyre besohet se ka lindur një grindje, pasi Skeja së bashku me pjesën tjetër të grupit nuk kanë dashur që t’i japin pjesën që i takon, njërit prej të gjashtëve. Rreth një muaj më vonë, bashkëpunëtorët janë takuar në vendin e quajtur Sanxhak të Laçit dhe si pasojë e kësaj Skeja ka mbetur i plagosur me personin tjetër që e shoqëronte. Ky i fundit është identifikuar me inicialet A.K., të cilët ditën e ngjarjes ka qenë duke udhëtuar me automjetin e Viktor Skejës. Ish–drejtori i CEZ Shpërndarjes nuk mund ta linte me kaq një përplasje të tillë. Ai ka qenë i vendosur që të marrë hak, për plagosjen e tij dhe personit që e shoqëronte në Sanxhak. Më 28 maj të po atij viti, thuhet se ai ka paguar një person me inicialet P.,P., edhe ky me precedentë penalë, për të vrarë me armë zjarri shtetasin Gj.Gj. Krimi i rëndë ka ndodhur në qendër të qytetit të Laçit.
Falsifikimi i dokumenteve
Pas viteve ‘90, Vikor Skeja ose i thënë ndryshe Armand Gjeta, ka “grabitur” një sipërfaqe toke, prej 9200 metrash katrorë, duke falsifikuar dokumentet. Akte të tilla duket se janë bërë falë mbështetjes që Skeja ka pasur atë kohë në administratën shtetërore. Personi që pretendon se e ka fituar tokën në Laç, me anë të ligjit 7501, e ka çuar çështjen në Gjykatën e Kurbinit. Gjyqet zgjatën rreth një dekadë, me bllokime dhe rinisje procesesh.
Trafiku në Itali
Për një kohë relativisht të gjatë, duket se zinxhiri i vrasjeve u ndërpre. Pas grabitjes së bankës dhe plagosjeve e vrasjeve, Skeja dyshohet se ka nisur aktivitetin ilegal, atë të trafikimit të lëndëve narkotike drejt Italisë. Por edhe atje ka gjetur një mal me probleme. Autoritetet italiane e kanë arrestuar dhe njëkohësisht e kanë dënuar për përfshirje të trafikut të lëndëve narkotike. Gjithashtu burimet policore bëjnë me dije se Viktor Skeja mund të jetë përfshirë edhe në trafikun e qenieve njerëzore. Pas kthimit në Shqipëri, Viktor Skeja ka gjetur mundësinë që të infiltrohet mes njerëzve me pushtet. Për disa kohë ai ka mbajtur postin e kreut të Drejtorisë së CEZ Shpërndarjes në Laç.
Plagosja në 2013-n
Problemet e së kaluarës duket se do t’i ktheheshin sërish. Më 12 shtator 2013, në ambientet e një kazinoje në Rrugën Bardhyl në Tiranë, Viktor Skeja është tentuar të vritet me armë zjarri. Autorët e krimit kanë pasur dijeni se ai ndodhej në kazino. Ata nuk e kanë njohur personalisht dhe si pasojë e kësaj e kanë pyetur për emrin. Ish-drejtori ka pohuar se po fliste me personin që kërkonte. Pas kësaj, autorët e kanë qëlluar me armë zjarri në pjesën e këmbës. Ndonëse krimi ka ndodhur rreth 8 muaj më parë, autorët nuk u identifikuan kurrë. Ekzekutorët do ta përfundonin misionin e nisur që në vitin 1997, pasditen e 1 qershorit 2014, duke e qëlluar pa mëshirë.
Policia
Shoqërohet një i dyshuar për vrasjen e Skejës
Dje pasdite, Policia e Tiranës ka shoqëruar Alban Lekën, i cili dyshohet se ka lidhje me vrasjen e 47-vjeçarit. Burimet thonë se për shoqërimin e tij, janë vënë në lëvizje forca të shumta policie. Uniformat blu i kanë bërë pritë, gjatë kohës që ai ka qenë duke lëvizur me një automjet. Së bashku me Lekën, ka qenë edhe një punonjës i RENEA-s. Në momentet e shoqërimit të Lekës, oficeri i RENEA-s ka bërë rezistencë. Gjatë aksionit policia ka vënë re, se ai ishte i armatosur dhe situata është tensionuar së tepërmi, pasi kanë dyshuar se ai mund të qëllonte mbi policinë. Janë marrë masat që në polici të shoqërohen të dy personat dhe më pas është sqaruar se personi i armatosur ishte punonjës i RENEA-s. Leka është marrë në pyetje për ngjarjen e rëndë, por policia ende nuk ka fakte konkrete që ta përfshijë atë në krim. Ende nuk dihet nëse ai do të arrestohet apo do të lihet i lirë.
Dëshmitarja
“Vrasësit u larguan me
shpejtësi me një makinë”
“Vrasja ka ndodhur në një moment kur në rrugë nuk kishte asnjë person. Vrasësit kanë qenë shumë të kujdesshëm. Ata e kanë ditur që viktima në ato momente ka qenë te parkingu, duke nxjerrë automjetin. Unë nuk arrita që të dalloj asgjë të dyshimtë, përpara se të ndodhte krimi. Isha brenda dhe për një moment dëgjova të shtëna armësh, të cilat ishin në breshëri. U tmerrova dhe nuk dija se si të reagoja. Pas së shtënës së parë, dy sekonda më vonë, u dëgjua një tjetër breshëri plumbash. Pastaj dëgjova një automjet që po ecte me shpejtësi marramendëse. Makinën arrita që ta fiksoj, të paktën disa elemente. Ajo ishte e zezë. Besoj se i përkiste llojit Benz apo Golf. Xhamat i kishte të zinj dhe nuk pata kohë që ta shihja se sa persona ishin lart. Ajo mori drejtimin nga rruga e ‘Riza Cerovës’ për të dalë më pas në Rrugën e Dibrë’”. Kjo është dëshmia që një banore e zonës ka dhënë për gazetën “Shqip”. Ajo kërkon të mbetet anonime, pasi i trembet faktit se vrasësit mund të rikthehen për t’u hakmarrë.