Prokuroria-e-PergjithshmeAkuza: Dha informacionin e parë për kërcënimin e Konit dhe Kules. Denoncoi krimet ndaj Shullazit. Pyetet në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen


Gjobëvëniet – Disa emra biznesmenësh dolën në media, si të kërcënuar dhe të gjobitur nga Shullazi, por asnjëri nuk ka bërë denoncim dhe madje as nuk është pyetur tanimë në prokurori


“Vollga” – Marrja e një pjese të ish-hotel “Vollgës” prej Emiljano Shullazit mbetet njëra prej çështjeve që po hetohet. Ylvi Beqja tha se ka kontraktuar Shullazin


Akademikët – Çështja e tretë që po hetohet është kërcënimi ndaj dy akademikëve, Koni dhe Kule. Por ata harruan kujtesën gjatë kohës që dëshmuan në prokurori


Prokuroria ka vendosur të thërrasë për dëshmi ish-kryeministrin Sali Berisha. Ish-kreu i PD-së ka qenë personi i parë që ka denoncuar Emiljano Shullazin për krimet e bandës, apo kërcënimet e akademikëve, Mynyr Koni dhe Dhori Kule. Gjatë marrjes në pyetje të akademikëve, ata përmendën Berishën, duke thënë se kanë kontaktuar, por pa specifikuar shumë detaje. Akuza synon që të mësojë më shumë rreth informacioneve të Berishës, duke e pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë për “Shqip” se akuza po bën gati fletëthirrjen, ndërsa synon të marrë prej Berishës të gjithë informacionin që ka, apo për krime të tjera të mundshme. Kohët e fundit, Berisha u ka paraprirë informacioneve të zyrave qeveritare. Ai ka denoncuar disa raste, që më vonë kanë rezultuar të vërteta, duke hedhur dyshimin e mazhorancës së është SHISH që informon më parë Berishën sesa institucionet e tjera.


Fletëthirrja


Prokuroria e Përgjithshme thotë se po përgatit një fletëthirrje për të pyetur Emiljano Shullazin për çështjen “Shullazi”. Sipas akuzës, ai ka informacione për kanosjen e dy akademikëve nga banda e të fortit, që ka si “seli” zonën e Parkut të Autobusëve në Tiranë.


Burimet pranë organit qendror të akuzës thanë se deri më tani Berisha nuk është pyetur, ndërsa në ditët në vijim pritet t’i dërgohet fletëthirrje. Mësohet se në materialin e policisë, hetuesit kanë depozituar në prokurori edhe një CD, ku është regjistruar konferenca për media e ish-kryeministrit Sali Berisha, ku denoncon me emër Emiljano Shullazi.


Burime zyrtare thanë se, në një kohë që dy profesorët e mohojnë një kërcënim nga Shullazi, për të hedhur më shumë dritë mbi këtë ngjarje, do të pyesin edhe Berishën. Ai mund të tregojë se kush është personi që i ka thënë dhe e ka denoncuar më pas. Kjo praktikë, me shumë gjasa do të ndodhë pasi edhe në procesin hetimor ndaj Tom Doshit, Mark Frrokut dhe Durim Bamit janë të gjithë personat që kishin dijeni për çështjen, mes tyre Kryeministri, kreu i Kuvendit, ministri i Brendshëm dhe ish-kryeministri.


Dy akademikët


Para disa ditësh, në prokurori u paraqitën Mynyr Koni dhe Dhori Kule. Koni, jo vetëm që nuk e përmendi me emër Emiljano Shullazin, por bashkë me ish-rektorin Kule tha se nuk i kishte fiksuar fytyrat. Kësisoj, referuar deklaratës së vetme për këtë çështje, asaj të ish-kryeministrit Berisha, mbetet një enigmë e madhe se kush e kërcënoi në të vërtetë ish-kandidatin Koni, pak ditë para zgjedhjeve akademike. Ndër provat që ka Prokuroria e Krimeve të Rënda për Shullazin, përfshihet edhe dyshimi për kanosje, për shkak të detyrës, motiv i cili pat shërbyer fillimisht për shoqërimin e 38-vjeçarit dhe dy të tjerëve. Kjo “tërheqje” e beftë e Konit dhe Dhori Kules, në fakt nuk ndryshon nga heshtja totale e biznesmenëve, për të cilët u përfol se ishin kërcënuar dhe gjobitur nga këta persona. Kushëriri i Shullazit që ka të njëjtin mbiemër me të, Blerimi, edhe ai 38 vjeç, si dhe shoku i vjetër i tij, Gilmando Dani, ndodhen pas hekurave, kurse prokuroria ka shtrirë hetime, bazuar në gjashtë akuza.


Denoncimi dhe hetimet


Vetëm pak orë para se pedagogët të votonin për liderin e ardhshëm të Universitetit të Tiranës, ish-kryeministri Sali Berisha mblodhi gazetarët për t’iu thënë se profesor Mynyr Koni, të cilin ai tha se nuk e njihte, ishte ndaluar me tre makina sapo zbriti shkallët e punës së tij. Sipas Berishës, në njërën nga mjetet ndodhej Emiljano Shullazi, i cili e kishte kërcënuar drejtpërdrejt Konin, duke i thënë të tërhiqej. Koni, që në fillim, u tha policëve, të cilët vepruan pas mesnate duke ndaluar Shullazin, se nuk ia kishte dalluar fytyrën kërcënuesit, por edhe nëse do t’ia dallonte, nuk e njihte atë. Opinioni publik u duk sikur anoi për nga Koni, por të tjerë e akuzuan atë. Shullazit i kaloi afati i ndalimit dhe ndaj tij u zhvilluan hetime me masë arresti, derisa doli përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila gjithashtu çmoi se 38-vjeçari dhe dy të tjerët duhet të qëndronin në burg.