Demokratët depozitojnë nismën për hetim ndërkombëtar për aferën e CEZ
Thirrja e personave – Organi ligjzbatues i huaj ka autoritetin për të dorëzuar thirrjet dhe dokumente të tjera pranë personave dhe organeve brenda e jashtë Shqipërisë, nëpërmjet organeve kompetente shqiptare apo drejtpërdrejt, me korrier diplomatik, me shërbim postar ose dorazi
Bashkëpunimi – “Prokurori i Përgjithshëm është bashkërenduesi i bashkëpunimit me organin ligjzbatues të huaj dhe vepron si autoriteti kompetent për marrjen dhe sigurimin e ndjekjes së veprimeve të kërkuara për hetimin e plotë dhe të pavarur të akuzave publike mbi çështjen ‘CEZ SHPËRNDARJE sha’ me qeverinë shqiptare”, thuhet në nenin 3.
Partia Demokratike depoziton në Kuvend projektligjin për një hetim me prokurorë ndërkombëtarë për atë që e quajnë aferë korruptive të CEZ-it. Projektligji “Për lejimin e hetimit ndërkombëtar për akuzat e bëra publike për çështjen CEZ” vjen si propozim i grupit parlamentar të PD-së. Përmes këtij drafti, përfaqësuesit e opozitës kërkojnë nga Kuvendi që të miratojë një ligj të posaçëm, i cili të përcaktojë rregulla që të garantojnë hetimin e pavarur me prokurorë të huaj për të hetuar faktet publike në lidhje me akuzat e bëra publike për çështjen e CEZ-DIA. Konkretisht, projektligji parashikon që Prokurori i Përgjithshëm, brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij drafti, të lidhë marrëveshje bashkëpunimi me organet ligjzbatuese të SHBA-së ose vendeve të Bashkimit Europian për të caktuar prokurorë për të hetuar çështjen e CEZ-it. Drafti ngarkon gjithashtu Prokurorin e Përgjithshëm që të veprojë për çdo marrëveshje dhe lehtësi tjetër që mund t’u duhet prokurorëve të huaj, ruan sekretin hetimor në mënyrë që ai të mos ndikohet nga pushtetarët, meqë siç thotë opozita, hetimi i kësaj çështjeje do të përfshijë njerëzit më të rëndësishëm politikë në vend. “Çdo autoritet shqiptar duhet t’i transmetojë organit ligjzbatues të huaj, brenda 15 ditëve nga fillimi i veprimtarisë së tij, informacion për veprat penale që kanë lidhje me çështjen ‘CEZ SHPËRNDARJE sha’ me qeverinë shqiptare, të mbledhura gjatë çdo procedimi penal, civil apo administrativ, të zhvilluar brenda apo jashtë territorit të Shqipërisë. Fshehja apo refuzimi për të dhënë informacionet e plota e ngarkon personin përgjegjës me përgjegjësi penale sipas ligjit. Me kërkesë të organit ligjzbatues të huaj dhe në pajtim me legjislacionin e brendshëm, autoriteti gjyqësor shqiptar merr masat paraprake për ruajtjen e provave, materialeve, dokumenteve, të ardhurave të krimit dhe çdo sendi tjetër pasuror që është i përdorshëm në procedim. Në këtë rast, organi ligjzbatues i huaj mund të kërkojë masa të veçanta për sigurinë dhe konfidencialitetin e provave”, thuhet në nenin 9 të draftit. Ndërkohë, demokratët ende nuk kanë përfunduar draft-padinë për në Gjykatën Kushtetuese, ku do t’i kërkohet anulimi i marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke CEZ dhe shpalljen e saj si antikushtetuese.