Leonard Demi depoziton nismën në Kuvend katër muaj para zgjedhjeve
Nënkomisioni do të kontrollojë punën e SHISH-it, SHIU-t, DSIK-në, elementët e Policisë së Shtetit, Gardën Kombëtare, Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, Policinë Financiare.
Deputetët e PS-së, Ilir Gjoni dhe Arben Isaraj kanë ngritur shqetësimin për moszbatimin e ligjit organik “Për SHISH”, ku nenet 7 dhe 8 të tij parashikojnë ngritjen e një nënkomisioni
Nënkomisioni do të përbëhet nga pesë anëtarë. Tre do të jenë të mazhorancës, ndërsa dy të tjerët deputetë të opozitës. Kryetari do t’i përkasë opozitës, ndërsa nënkryetari mazhorancës kuvendore
BLEDAR HOTI
Kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Leonard Demi, ndërmerr nismën për të miratuar draftin “Për mbikëqyrjen parlamentare të Shërbimeve Informative dhe të Sigurisë”. Nisma ligjvënëse e deputetit të PD-së, Leonard Demi, është firmosur nga kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, më 4 shkurt, e cila i ka kërkuar Drejtorisë Juridike të Kuvendit ta përfshijë atë në veprim. Mësohet se drafti është ai për të cilin u punua dy vite më parë me ndihmën e ekspertëve britanikë dhe të OSBE-së. Tashmë, mazhoranca, në fund të mandatit kuvendor, duket se e ka parë të udhës të miratojë një draft të tillë, që parashikon kontrollin më të rreptë të institucioneve të shërbimeve sekrete që operojnë në Shqipëri. “Dispozitat e këtij ligji zbatohen lidhur me mbikëqyrjen e buxhetit dhe aktivitetet e shërbimeve informative dhe të sigurisë, të cilat kërkojnë, sigurojnë dhe mbledhin informacione sipas ligjeve që zbatohen për përgjimin e telekomunikimeve si dhe që kryejnë apo zbatojnë procedura të tjera gjatë ushtrimit të veprimtarisë informative të miratuara nga Prokurori i Përgjithshëm, ashtu si edhe atyre që administrojnë sistemin e përgjimit dhe procedurat të tjera të veçanta të ndjekjes penale”, thuhet në nenin 3, pika 1 për fushën e zbatimit të këtij projektligji. Cilat do të jenë shërbimet që do të futen në lupën e strukturës së posaçme që do të krijohet nga Kuvendi? Nënkomisioni, i cili do të ngrihet pranë Komisionit të Përhershëm të Sigurisë Kombëtare, do të kontrollojë, apo mbikëqyrë punën e Shërbimit Informativ Shtetëror, Shërbimit Informativ Ushtarak (SHIU), Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, elementët e Policisë së Shtetit, Gardën Kombëtare, Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, Policinë Financiare. “Nënkomisioni kryen aktivitetin e tij në përputhje me parimet e mëposhtme: parimi i ligjshmërisë; parimi i mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut; parimi i konfidencialitetit; parimi i mbrojtjes të interesave kombëtare; parimi i proporcionalitetit dhe i nevojës për t’u njohur”, thuhet në nenin 5 të draftit.
Anëtarët e nënkomisionit
Në nenin 8 të draftit parashikohet që anëtarët e këtij nënkomisioni të jenë pajisur me certifikatë sigurie, të kalojnë në procedurën e “vettingut”. Çdo anëtar, deputet apo dhe asistent i kësaj strukture kuvendore duhet të kalojë në procedurën e certifikimit dhe të verifikimit. Ata kanë për detyrë të ruajnë dhe të mbrojnë të dhënat e ofruara nëpërmjet dokumenteve të klasifikuara si “sekret shtetëror”. “Çdo anëtar i nënkomisionit, apo çdo anëtar i stafit para punësimit në nënkomision, që për shkak të funksionit dhe kryerjes së detyrës ka nevojë për njohje në informacionin e klasifikuar ‘sekret shtetëror’, i nënshtrohet procedurave të verifikimit të pastërtisë së figurës dhe pajisjes me ‘certifikatë sigurie’ për njohjen e informacionit të klasifikuar”, thuhet në pikën 3 të nenit 8 të draftit. Nënkomisioni do të përbëhet nga 5 anëtarë, ata janë deputetët e Komisionit të Sigurisë. Këtë strukturë do ta drejtojë nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, i cili, sipas Rregullores së Kuvendit, do të jetë përfaqësuesi i opozitës. Tre anëtarët, përfshirë edhe nënkryetarin e kësaj strukture, do të jenë përfaqësuesit e mazhorancës. Opozita, veç kryetarit, do të ketë dhe një anëtar. Drafti përkundër propozimit të OSBE-së nuk përmban ndëshkimin penal të anëtarëve të kësaj strukture në rast se konstatohej rrjedhje e informacionit sekret në media apo jashtë vendit. Opozita prej kohësh ka ngritur shqetësimin për mosmiratimin e një ligji të tillë nga mazhoranca. Prej afro tetë vitesh nënkomisioni i posaçëm për kontrollin e shërbimeve sekrete nuk është ngritur. Deputetët e PS-së, Ilir Gjoni dhe Arben Isaraj kanë ngritur shqetësimin për moszbatimin e ligjit organik “Për Shërbimin Informativ Shtetëror”, ku nenet 7 dhe 8 të saj parashikojnë ngritjen e një nënkomisioni. Ata kanë deklaruar se mazhoranca aktuale po shkel me të dyja këmbët ligjet në fuqi. Kryekomisioneri Leonard Demi, në një prononcim për gazetën “Shqip” deklaroi se nisma e ndërmarrë nga ai pritet të shqyrtohet në Konferencën e Kryetarëve. Do të jetë kjo strukturë parlamentare që do ta përfshijë në kalendarin e punimeve nismën “Për mbikëqyrjen parlamentare të Shërbimeve Informative të Sigurisë”. Tashmë është në vullnetin e kësaj mazhorance, nëse do ta miratojë një nismë të tillë, të hartuar nën ekspertizën e ndërkombëtarëve ose jo.