Fleckenstein


Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin së bashku me eurodeputetin Knut Fleckenstein zhvilluan paraditen e sotme një takim me kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Kuvendit Meta dhe kryedemokratin Basha.


Pas takimit me tre krerët e forcave politike në vend, eurodeputeti gjerman ka deklaruar se nevojitet një kompromis edhe i minutës së fundit për të gjetur një zgjidhj.


“Jemi në Shqipëri për të krijuar një panoramë të situatës. Së bashku me Kukan kemi nxitur palët për kompromis, – tha Fleckenstein. –  Në Bruksel është rënë dakord me propozimin e PD për vetingun. Është rënë dakord me propozimin e PD me mekanizmin 6+6. Ne mbështesim edhe Metën në përpjekjet për të gjetur zgjidhje. Zgjidhje e pranueshme për palët mbi bazën e propozimit hibrid”.


“Me kolegun Kukan kërkuam kompromis, madje duhet kompromis edhe i minutës së fundit, vijoi eurodeputeti. – Nuk mora asnjë garanci nga takimet e sotme. Mu krijua përshtypja se ka vullnet të mirë. Propozim i Metës është pranueshëm për shumicën e parlamentit.


Më tej Fleckenstein tha se propozimi i Metës është pranuar nga SHBA-ja, BE-ja dhe Berlini, por sqaroi se nëse nuk gjendet një kompromis, atëherë duhet pyetur qytetarët, duke lënë të kuptojë se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.


“Ne presim që Kuvendi të votojë për këtë reformë ditën e enjte dhe ne, dhe kur them ne, e kam fjalën për të gjithë Parlamentin Europian, shpresojmë se do të ketë një votë pro reformës. Ka ardhur koha për të vërtetën dhe unë dua të shoh kush është pro reformës dhe kush është kundër saj. Nëse ka mbetur ndonjë diskutim i vogël fare, nëse politikanët nuk mund të bien dakord me njëri-tjetrin, atëherë duhen pyetur qytetarët. Pashë sot disa përfaqësues të shoqërisë civile që qëndronin para parlamentit dhe mu duk një gjë pozitive”.


Takimi është zhvilluar në kryeministri dhe vjen një ditë pas ftesës që kreu i kuvendit Ilir Meta bëri për një takim të përbashkët për gjetjen e një zgjidhjeje për miratimin e reformës së drejtësisë me konsensus më 21 korrik 2016.


Vlahutin dhe Fleckenstein po zhvillojnë një takim edhe me kreun e PD, Lulzim Basha. Në orën 13:00 Vlahutin dhe Fleckenstein do të japin një konferencë për mediat pas takimeve.


18 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)