Burgaj i kërkoi Hoxhës të drejtonte personalisht operacionin në nënstacionin elektrik në Ballsh
Kërkesa – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i kërkoi ish-drejtorit Mërgim Hoxha që të drejtonte personalisht operacionin për boshatisjen e nënstacionit elektrik në Ballsh
Reagimi – Hoxha i tha Nokës dhe Burgajt se situata në Ballsh ishte stabilizuar dhe se nuk mund të përqendrohej vetëm në një ngjarje, pasi duhej të mbante nën kontroll gjithçka
“Pushtimi” – Nënstacioni elektrik u pushtua nga rreth 150 banorë të 14 fshatrave të Mallakastrës, që protestonin kundër ndërmarrjes së energjisë elektrike nga CEZ
Moszbatimi i urdhrit të eprorit, duket se ka qenë shkaku që ka çuar drejt pezullimit drejtorin e Policisë së Qarkut të Fierit, Mërgim Hoxha, i cili është zëvendësuar nga ish-nëndrejtori i Policisë së Beratit, Arjan Bozhaj. Lajmi është bërë i ditur për gazetën nga burime konfidenciale të Policisë së Shtetit, të cilat sqaruan se largimi i Hoxhës nga detyra e drejtorit të Policisë së Qarkut të Fierit ka ardhur të nesërmen e 29 gushtit, kur rreth 150 banorë të 14 fshatrave të Mallakastrës pushtuan nënstacionin elektrik të qytetit të Ballshit. Burimet e sipërcituara kanë pohuar se situata e ndodhur mbrëmjen e 29 gushtit ka vënë në alarm edhe krerët më të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe ministrin e Brendshëm. Mësohet se pasi ka marrë informacion për situatën, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka komunikuar me drejtorin e Policisë së Fierit, Mërgim Hoxhaj dhe i ka kërkuar që të ndjekë situatën në terren. Por, ky i fundit e ka sqaruar numrin një të Policisë së Shtetit, se gjithçka ishte nën kontroll dhe se kishte marrë të gjitha masat që situata të mos agravonte për keq. Burimet pohojnë se Burgaj i ka kërkuar sërish Hoxhës që ky i fundit të ndiqte personalisht operacionin e policisë për qetësimin e situatës. Por, Hoxha i ka shpjeguar sërish se gjithçka ishte nën kontroll, pasi në vendngjarje kishin mbërritur prej kohësh Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe zyrtarë të tjerë të policisë, theksojnë burimet. Më pas, mësohet se me drejtorin e Policisë së Fierit në atë kohë ka komunikuar edhe ministri i Brendshëm, Flamur Noka, që duket se ka marrë të njëjtën përgjigje. Hoxha i ka qëndruar së tijës, duke garantuar se situata në Ballsh ishte stabilizuar, duke shtuar se nuk mund të përqendrohej vetëm në një ngjarje, pasi duhej të mbante nën kontroll gjithçka, me qëllim ushtrimin sa më mirë të detyrës. Burimet e sipërcituara theksojnë se ka qenë pikërisht ky moszbatim i urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, nga ana e Hoxhës, që e ka çuar këtë të fundit drejt pezullimit nga detyra. Burimet pohojnë se që prej datës së pezullimit, do të duhet një muaj që të vendoset lidhur me fatin e mërgim Hoxhës. Ndërkaq, ish-nëndrejtori i Policisë së Qarkut të Beratit, Arjan Bozhaj, është komanduar deri në një afat të pacaktuar në postin e drejtorit të Policisë së Qarkut të Fierit.
Protesta e qindra banorëve të 14 fshatrave të Mallakastrës erdhi pas ndërprerjes së energjisë elektrike nga CEZ-i. Mbrëmjen e 29 gushtit, rreth 150 prej tyre pushtuan nënstacionin elektrik të qytetit të Ballshit, çka bëri që CEZ-i të ndërpriste energjinë elektrike për gjithë zonën. Pas ndërhyrjes së Policisë së Shtetit, protestuesit lanë ambientet e nënstacionit elektrik, pa u shkaktuar të lënduar. Edhe të nesërmen u mblodhën para nënstacionit elektrik dhjetëra protestues, por pa arritur ndonjë zgjidhje. Sipas CEZ-it, banorët e këtyre fshatrave nuk paguanin prej kohësh faturat e energjisë elektrike që kishin shpenzuar. Ndërsa protestuesit ankoheshin se ishin klientë të rregullt dhe se nuk duhej të penalizoheshin të gjithë, për shkak të mospagesës së faturave nga disa individë. Red.Akt