Faljet


1992 – Parlamenti liroi me një amnisti të dënuarit për qëllime politike gjatë diktaturës


1997 – U liruan nga burgu një sërë personash, përfshirë edhe ish-kryeministrin Nano


2002 – Përfituan të dënuarit dhe të hetuarit që terrorizuan vendin gjatë viteve 97-98


2007 – U liruan nga burgu krerët e firmave piramidale. Dolën nga burgu personat mbi 65 vjeç


Amnistia për zgjedhje


Janë liruar kriminelë, krerë të bandave dhe të firmave piramidale


Sokol Çobo


Amnistia për të dënuarit dhe personat nën hetim, e parashikuar për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, pritet të prekë një numër të madh të burgosurish dhe të proceduarit me masë shtrënguese. Ministria e Drejtësisë, sipas burimeve konfidenciale, po përgatit dokumentacionin përkatës për këtë falje masive, që realizohet në Shqipëri çdo pesë vjet, duke filluar nga vitet 1991-1992, me faljen e të burgosurve politikë, dhe për të përfunduar në vitin 2007, ku u liruan një numër i madh personash, përfshirë edhe krerët e firmave piramidale. Megjithatë, amnistitë e dhëna ndër vite, janë realizuar në vitet zgjedhore, madje janë liruar persona të rrezikshëm kriminalë dhe “shërbëtorë” të pushtetit, të cilët i kanë ndihmuar më pas në fushatat elektorale.


Ndërkohë, në vitin 2002 përfituan disa “kriminelë” që terrorizuan vendin gjatë trazirave të vitit 1997 dhe 1998, ndërsa amnistia e vitit 1997 u realizua për lirimin nga burgu të personave që do të shkaktonin më pas trazirat në vend, duke marrë armët dhe duke djegur gjithçka që u dilte para. Sipas njerëzve të drejtësisë, vetëm amnistia e vitit 1992 i ka shërbyer popullatës, pasi dolën nga burgu të dënuarit për të ashtuquajturit “krime politike” dhe u lanë në burg vrasësit dhe grabitësit. Tashmë, kur kemi hyrë në vitin zgjedhor, mazhoranca do të hartojë një vendim që do të prekë një numër të madh personash, madje amnistohen edhe krimet e lehta, ato të kryera nga zyrtarët, vjedhja e shpërdorimi i detyrës.


Gazeta “Shqip” tentoi të marrë një informacion zyrtar nga Ministria e Drejtësisë për kategoritë që përfitojnë nga kjo amnisti, por asnjë prej zyrtarëve nuk dëgjoi të përgjigjej, duke sjellë sërish dyshime për këtë falje masive. Ka informacione se do të amnistohen edhe çështje nën hetim apo gjykim, duke sjellë “pafajësi” për shumë shtetarë të administratës publike dhe vendore, që akuzohen për korrupsion. Madje, një amnisti e tillë realizohet me qëllimin që gjatë këtij viti zgjedhor, Prokuroria të mos kryejë asnjë hetim apo procedim ndaj zyrtarëve. Në çdo rast, “barriera” e ngritur nga qeveria do të shërbejë për zyrtarët, të cilët tashmë “do të kenë dorë të lirë” në vendimmarrje.


Po kush janë kategoritë që përfitojnë? Gazeta ka marrë informacione në disa institucione që kanë aplikuar apo kanë kryer urdhra për amnistinë. Ndër to është edhe Prokuroria e Përgjithshme, e cila vetëm sa “noterizon” vendimin e Parlamentit, pasi në çdo rast është e “përjashtuar”, duke parë edhe situatën në të cilën ndodhet, që është në “luftë” me mazhorancën për mandatin e Kryeprokurores. Një nga urdhrat që prek çështjet nën hetim është që “vendoset pushimi i ndjekjes penale për çështjet në hetim, për çështjet e pashqyrtuara nga gjykatat, si dhe të vendoset mosfillimi i procedimit për kallëzimet që ndodhen në këto organe dhe në organet e rendit publik, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera ndoshta deri në datën 31 dhjetor 2011, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të lehtë”.


Megjithatë, zgjidhje ligjore pritet t’u jepet edhe procedimeve penale të pezulluara për vepra penale që përfitojnë nga amnistia, që ndodhen në Prokurori ose në shërbimet e Policisë Gjyqësore të çdo strukture, duke vendosur më parë rifillimin e hetimeve të pezulluara. Pritet që vendimet e mosfillimit të procedimeve dhe të pushimit të çështjeve t’i njoftohen të interesuarve, për t’iu garantuar të drejtën ligjore të ankimit në gjykatë.


Ndërkohë, për akuzat e ngritura dhe të pashqyrtuara nga gjykata, për vepra penale të kryera deri në datën 31 dhjetor 2011, për të cilat Kodi Penal, Kodi Penal Ushtarak ose dispozita penale në ligje të veçanta parashikojnë dënim me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të lehtë, prokurorët, sipas juridiksionit dhe kompetentes, të cilët marrin pjesë në shqyrtimin gjyqësor të këtyre çështjeve, të kërkojnë nga gjykata, pushimin e çështjeve.


 


 


Amnistia e vitit 2002


Kush përfitoi


1. Amnistohen personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet, personat e dënuar me kusht ose me gjobë.


2. Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë nën moshën 18 vjeç, femrat që në datën 1 qershor 2002 kanë mbushur moshën 55 vjeç dhe meshkujt që kanë mbushur moshën 65 vjeç,


3. Amnistohen personat e dënuar me burgim ose me dënime më të buta, të cilëve në datën 1 qershor 2002 u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.


4. U zbriten 1/4 (përsëritësve të së njëjtës vepër penale u zbriten 1/8) e dënimit të mbetur të gjithë të dënuarve, të cilët nuk përfitojnë nga pikat e mësipërme të këtij neni,


 


Kush nuk përfitoi


1 Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar për:


a) veprat penale të parashikuara nga nenet 76, 77, 78, 79 të Kodit Penal dhe neni 77 i Kodit Penat Ushtarak;


b) veprat penale të parashikuara nga nenet 100, 101 pika 2, 102, 103 dhe 104 të Kodit Penal;


c) rrëmbim personi i parashikuar në nenin 109 të Kodit Penal;


ç) trafikim të njerëzve…


d) veprat penale të parashikuara nga nenet 136, 139, 140 dhe 141 të Kodit Penal, si dhe për vjedhje të pronës ushtarake me pasojë vdekjen e parashikuar


dh) gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të parashikuara nga nenet 73, 74 dhe 75 të Kodit Penal;


e) tortura me pasoja të rënda të parashikuara nga neni 87 i Kodit Penal;


ë) krime kundër pavarësisë dhe integritetit të parashikuara nga nenet 208, 209, 210, 2L1, 212, 217 dhe 218 të Kodit Penal;


f) krime kundër rendit kushtetues të parashikuara nga nenet 219, 220 dhe 221 të Kodit Penal.


 


U pushuan hetimet


Pushohen ndjekjet penale për çështjet në hetim, për çështjet e pashqyrtuara nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe dhe në organet e rendit publik, për veprat penale të kryera deri në datën 1 qershor 2002, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë.


 


Amnistia e vitit 2007


Pushimi i hetimet


* Të vendoset pushimi i ndjekjes penale për çështjet në hetim, për çështjet e pashqyrtuara nga gjykatat, si dhe të vendoset mosfillimi i procedimit për kallëzimet që ndodhen në këto organe dhe në organet e rendit publik, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 31 dhjetor 2006, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të lehtë.


* Kjo zgjidhje ligjore t’iu jepet edhe procedimeve penale të pezulluara për vepra penale që përfitojnë nga amnistia, që ndodhen në Prokurori ose në shërbimet e Policisë Gjyqësore të çdo strukture, duke vendosur më parë rifillimin e hetimeve të pezulluara, mbështetur në nenin 326 pika 3 e K. Pr. Penale.


*Vendimet e mosfillimit të procedimeve dhe të pushimit të çështjeve t’i njoftohen të interesuarve, për t’iu garantuar të drejtën ligjore të ankimit në gjykatë.


* Për akuzat e ngritura dhe të pashqyrtuara nga gjykata, për vepra penale të kryera deri në datën 31 dhjetor 2006, për të cilat Kodi Penal, Kodi Penal Ushtarak ose dispozita penale në ligje të veçanta parashikojnë dënim me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të lehtë, prokurorët sipas juridiksionit dhe kompetentes, të cilët marrin pjesë në shqyrtimin gjyqësor të këtyre çështjeve, të kërkojnë nga gjykata, pushimin e çështjeve, mbështetur në nenin 387 e vijues të K.Pr.Penale dhe neni 5 i ligjit “Për dhënie amnistie”.


 


Ligji


Shtyrja e gjyqeve, masa të rrepta për avokatët


Ministria e Drejtësisë ka përfunduar projektligjin “për avokatinë”, ku në draftin e ri parashikohen masa të rrepta për mbrojtësit ligjorë që nuk paraqiten në seancë. Ndryshimi i ligjit ka të bëjë me komitetin e disiplinës, i cili tashmë pritet të jetë efektiv për masat ndaj avokatëve që bëhen shkak për zvarritjen e proceseve gjyqësore. Për herë të parë në Komitetin Disiplinor, që do të shqyrtojë ankesat për avokatët, do të jenë të përfshirë 6 avokatë të zgjedhur me votim të fshehtë, edhe një përfaqësues nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, një tjetër nga Ministria e Drejtësisë, nga bota akademike dhe Prokuroria e Përgjithshme. Riformatimi i këtij komiteti ka qenë në fakt gjithë ngërçi i mos shqyrtimit në kohë të ankesave të gjyqtarëve për rastet kur avokatët e shpërfillnin gjyqësorin. “Arsye e mosshqyrtimit të ankesave të gjyqtarëve apo të palëve të tjera ndaj sjelljeve abuzive të avokatit, sipas Dhomës Kombëtare të Avokatisë, deri tashmë kishin për justifikim mënyrën e ndërlikuar të këtyre ankesave dhe të mënyrës të funksionimit të komisioneve brenda Dhomës të Avokatisë. Ndërsa tani, nga pikëpamja strukturore, këto komisione janë organizuar dhe janë konturuar sipas Dhomës së Avokatisë. Për këtë dhomë, tashmë është më e lehtë shqyrtimi i ankesave apo cilat sjellje mund të disponohen nga këto komisione. Procedura e ushtrimit disiplinor ndaj avokatëve është thjeshtësuar sipas vetë Dhomës Kombëtare së Avokatisë”, tha Sandër Simoni, kryetar i krimeve të rënda.


Mes ndryshimeve në ligj janë shtuar edhe subjektet që mund të bëjnë ankesë ndaj avokatit, ku përveç gjykatave mund të ankohet edhe Prokuroria, vetë i pandehuri, çdo person i interesuar që pretendon se është dëmtuar nga sjellja e veprimet e avokatit, ministri i Drejtësisë, organet tatimore dhe çdo organ tjetër shtetëror. Mes masave disiplinore, përveç gjobave deri në 50 mijë lekë edhe heqja e së drejtës për të ushtruar profesionin. Ndërkohë, ata avokatë, të cilët nuk kanë mbushur dhjetë deri në 15 vjet në fushën e jurisprudencës, do të jenë të përjashtuar në mënyrë kategorike nga proceset gjyqësore në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese.