Nuk dihen ende motivet e ngjarjes. Krimi ka ndodhur brenda banesës së Mirash Bregut
Krimi në familje trondit sërish opinionin publik. Një 45-vjeçar ka vrarë me armë zjarri të bijën vetëm 14 vjeç, e më pas është vetëvrarë me të njëjtën armë me të cilën i morri jetën fëmijës së tij. Ngjarja e dyfishtë ka ndodhur në fshatit Arrë, Komuna Temal, të Dukagjinit. Burime të policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:20 të ditës së sotme, në familjen Bregu. Sipas të dhënave të para 45-vjeçari Mirash Bregu ka qëlluar me armë zjarri mbi të bijën, Marjana Bregu. Krimi ka ndodhur në banesën e familjes Bregu dhe nuk dihen ende shkaqet që e kanë detyruar të qëllojë mbi 14-vjeçaren. Pas krimit, teksa ka parë të bijën të pajetë mes një pellgu gjaku, 45-vjeçari është vetëvrarë. Sapo ka marrë sinjalizimin policia është nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes, por për shkak të largësisë dhe terrenit të vështirë ende nuk dihen shumë detaje të ngjarjes. Pas mbledhjes së dëshmive dhe provave materiale, mund të krijohet e plotë skena e krimit dhe të zbardhen motivet e ngjarjes së rëndë.
1 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)