Një alarm fals për bombë ka alarmuar policinë e Durrësit, e cila është detyruar të shtyjë për disa minuta një takim të planifikuar nga PDIU në pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” të qytetit bregdetar. Një telefonatë e mbërritur në sallën operative ka vënë në lëvizje uniformat blu, të cilat kanë mbërritur vetëm pak minuta përpara takimit të planifikuar për prezantimin e rezolutës çame.
Policia nuk ka lejuar pjesëmarrësit të hyjnë në Pallatin e Kulturës, deri sa të garantohet siguria e qytetarëve. Kontrolli ka zgjatur rreth 30 minuta, më pas skuadra speciale e policisë së Durrësit ka bërë me dije se në godinë nuk ishte vendosur asnjë bombë dhe se bëhej fjalë për një alarm të rremë. Policia po heton për të identifikuar personin që kreu telefonatën, duke dhënë alarmin e rremë për bombë.
Menjëherë pas këtij incidenti ka reaguar Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila nëpërmjet një deklarate për mediat shprehet se këto metoda na kujtojnë vitet e largëta të së kaluarës, kur organizata terroriste tentonin të mbillnin terror ndër qytetarët shqiptar.
“Tashmë, që rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame është në Kuvendin e Shqipërisë dhe që rizgjimi i kësaj çështjeje është një fakt, asnjë tentativë për të ngjallur frikë nuk do të na zmbrapsi”,-theksohet në deklaratë. PDIU kërkon nga Policia e Shtetit të identifikojë në mënyrë të menjëhershme autorët e kësaj telefonate dhe t’i vendosi ata përpara ligjit, për të treguar qartë fytyrat antishqiptare që gjenden në shtetin shqiptar.
“Sot, në Durrës, mijëra shqiptarë, të Çamërisë e çdo treve tjetër po shprehin mbështetjen e tyre ndaj rezolutës dhe kjo gjë do të ndodhi çdo ditë në çdo cep të Shqipërisë. Të gjithë ata që mendojnë se do të mund ta ndalin frymën e ringjallur të shqiptarëve, do të përballen me të drejtën dhe të vërtetën, e vetmja e cila do të mbijetojë” përfundon deklarata.
20 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)
