Një makinë bashkë me një fëmijë vetëm një muajsh brenda saj është grabitur në orët e mbrëmjes së djeshme në qytetin e Durrësit. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në afërsi të pistës ‘Iliria’, ku persona ende të paidentifikuar kanë grabitur një automjet tip ‘Benz’, pa e ditur se brenda tij ndodhej edhe një fëmijë i vogël.


Sipas informacioneve të policisë, fëmija një muajsh dhe makina i përkisnin çiftit Mellani, me origjinë nga Burreli. Ata ishin duke udhëtuar nga Tirana drejt Shkëmbit të Kavajës për në shtëpinë e tyre. Ndërkohë, një moment kishin ndaluar për të blerë diçka dhe e kishin lënë hapur makinën me foshnjën brenda. Pikërisht në këto momente grabitësit kanë përfituar për të vjedhur makinën, pa e ditur që brenda mjetit ndodhej edhe foshnja.


Pas alarmimit të policisë për ngjarjen e pazakontë, foshnja u arrit të gjendej pas disa minutash në afërsi të Laprakës dhe pas ekzaminimit mjekësor rezultoi në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa makina e grabitur është gjetur e braktisur në afërsi të Milotit. Ndërkohë, menjëherë pas ngjarjes, forcat policore u angazhuan duke vënë postblloqe për ndalimin dhe kapjen e autorëve, ende të paidentifikuar.


26 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)