Pesë nxënës të një shkolle 9-vjeçare në Durrës janë shtruar në spital me simptoma të helmimit.


Pesë 11-vjeçarët, nxënës në klasën e pestë të shkollës 9-vjeçare ‘Eftali Koçi’ u dërguan në spital ditën e djeshme me të vjella. Të miturit kanë rrëfyer se kishin konsumuar ushqime të shpejta që i kishin blerë në një kioskë pranë shkollës.


AKU do të kryejë analizat e ushqimeve të konsumuara nga nxënësit për të përcaktuar edhe shkakun e helmimit të tyre.


Ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka reaguar lidhur me helmimin e pesë nxënësve të shkollës “Eftali Koçi” në Durrës, të cilët u helmuan pasi konsumuan produkte të cilat i kishin blerë pranë shkollës 9-vjeçare që frekuentonin.


MAS thotë se dje nxënësit kanë blerë produkte tek ambulantët gjatë pushimit të gjatë në kangjellat e shkollës dhe pasi i kanë konsumuar nuk janë ndier mirë.


“Të 5 fëmijët janë dërguar për kontroll në spital nga drejtori i shkollës. U njoftua ISHP për ngjarjen dhe policia bashkiake për largimin e ambulantëve. Sot fëmijët zhvilluan mësimin normalisht në shkollën e tyre”, thuhet në deklaratë.


23 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)