Policia e Durrësit ka goditur një tjetër rast mitdhënieje, duke arrestuar në flagrancë një drejtues mjetit. Në pranga ka rënë shtetasi Holger Shahini 19 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi në flagrancë i tij u bë pasi më datë 20 janar 2017, tek Mbikalimi i Shkozetit është ndaluar nga Punonjësi i Qarkullimit Rrugor pasi drejtonte automjetin tej normave të lejuara të shpejtësisë, 70 km/ orë mbi normën e lejuar.
Me qëllim për t’iu shmangur masës administrative për shkeljen e konstatuar, Shahini ka tentuar ti ofrojë shumën prej 2 000 lekë punonjësit të policisë. Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
21 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)