Policia e Durrësit ka arrestuar 4 persona, 2 nga të cilët babë e bir pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre nga policia është sekuestruar një sasi prej 30 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa. Burime nga policia e qytetit bregdetar bëjnë me dije se shtetasit e mësipërm janë vënë në pranga në kuadër të operacionit të koduar “Depërtimi”.
Arrestimi i tyre u bë të hënën në lagjen Nr.14 të qytetit. Policia gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Fatmir Buzi, ku të pranishëm ishin edhe shtetasit e mësipërm, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 30 kg kanabis dhe telefona celularë.
Policia arrestoi në flagrancë shtetasit: Fatmir Buzi, 44 vjeç, banues në Shkozet, Durrës; Rejdi Buzi, 19 vjeç, banues në Shkozet, Durrës, djali i F.Buzi; Shkelzen Hoxha, 30 vjeç, banues në Shkozet, Durrës; Berlin Metaj, 18 vjeç, banues në Durrës. Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lire (për shkak të moshës) në ngarkim të shtetasit S.M. 15 vjeç, banues në Kënetë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale”Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotikëve”, në bashkëpunim.
24 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)