Skema piramidale


Supermashtruesi depozitoi në një ditë 50 padi në Gjykatën e Fierit


Babai birësues i Ledjon Muçarakut shprehet se nuk ka informacion për skemat e të birit, por ta dënojë drejtësia


I arrestuari Ledjon Muçaraku

I arrestuari Ledjon Muçaraku


Dy biznesmenë të njohur kanë rënë pre e një mashtruesi 29-vjeçar, për të cilin policia thotë se dyshohet se ka marrë para nga rreth 900 persona, duke përdorur skema piramidale. Bëhet fjalë për Ledjon Muçarakun nga fshati Grykë i Fierit, i cili u arrestua dy ditë më parë, pas një hetimi pesëmujor, ku fillimisht dyshohej për pastrim parash, por më pas rezultoi se ishte supermashtrues. Prokuroria thotë se atij i janë dokumentuar 50 raste, por policia shton se dyshohen për 900 të tilla, ndërkohë që dy nga biznesmenët që kanë rënë pre e skemës së tij janë Besnik Sulaj dhe Pjerin Fusha.


Biznesmenët


Për këtë çështje, nga burime të policisë mësohet se mes listës së gjatë prej 900 vetash që janë mashtruar, kanë qenë edhe mjaft biznesmenë, disa prej të cilëve të njohur në të gjithë vendin dhe me prona me vlera marramendëse. Kështu, njëri prej tyre, biznesmeni Besnik Sulaj, mësohet se është administrator i një prej komplekseve më luksoze e më të njohura në qendër të Tiranës, ndërsa tjetri, Pjerin Fusha, njihet si një biznesmen mjaft i fuqishëm në sektorin e ndërtimit, por edhe që familja e tij ka kontribuuar për klubin e futbollit të Vllaznisë. Edhe pse këta dy biznesmenë njihen si mjaft të suksesshëm, kriza ekonomike duket se i ka bërë që t’i nënshtrohen Ledianit dhe të nënshkruajnë kontrata për marrje të parave me fajde prej tij me interesa më të favorshme se në banka. Madje, pronari i kompleksit të lokaleve, restoranteve dhe kazinove në qendër të kryeqytetit, i është dashur të lërë si garanci godinën luksoze për 200 mijë eurot që do të merrte hua te Lediani. Ndërsa tjetri e ka shëtitur për disa ditë në fuoristradën e tij, duke mos arritur të kuptojë se çfarë fshihej pas fjalëve dhe premtimeve të 29-vjeçarit. Megjithatë, ata nuk kanë arritur të marrin ndonjëherë para nga 29-vjeçari. Nga burimet e bluve mësohet se ka pasur nga ata biznesmenë, të cilët kanë nënshkruar kontrata 100 mijë euroshe para noterit, kur në të njëjtën kohë i arrestuari u kërkonte një kartë telefoni një mijë lekëshe si shpenzim për telefonatat që do të kryente me “shefat”. Duket se të gjithë i kanë besuar të riut, i cili herë mjaftohej me paratë që u zhvaste biznesmenëve nën pretekstin e shpenzimeve që nevojiteshin për dokumentet dhe për takimet që kryente, e herë synonte t’u merrte para kundrejt firmës që vetë kishin hedhur para noterit.


Deklarimet


Gjatë marrjes në pyetje, 29-vjeçari Muçaraku, i cili gjatë viteve të fundit rrinte gjithmonë me xhaketë e kravatë, nuk ka dhënë shumë shpjegime rreth aktivitetit të tij shtatëvjeçar. Por “ka kërcënuar” se nëse do të fliste, do të nxirrte emra që do të bënin bujë. Ky deklarim nuk ka qenë mjaft i besueshëm për hetuesit, pasi gjatë pesë muajve që ai ka qenë në përgjim, gjithçka e ka kryer vetëm dhe personave që mashtronte u thoshte se do të konsultohej me “shefin” e tij vetëm me qëllim që të bëhej më i besueshëm. Nga hetimi i policisë dhe Prokurorisë së Fierit është konstatuar se 29-vjeçari Ledian Muçaraku nënshkruante gjithmonë kontrata noteriale fiktive dhe nuk u kishte dhënë para me fajde “klientëve” të tij. Vetëm në raste të rralla, kur bëhej fjalë për shuma të vogla, ai u kishte dhënë ndonjë shumë parash, por ndërkohë i kishte paditur në gjykatë dhe ua kishte marrë dyfish, një herë në formën cash dhe një herë nëpërmjet proceseve gjyqësore.


Babai birësues


NASI MUCARAKU Babai birësues i të arrestuarit

NASI MUCARAKU Babai birësues i të arrestuarit


Ndonëse Ledjan Muçaraku është cilësuar si supermashtrues që ka përfituar mjaft para, familja e tij në fshatin Grykë të Topojës, jeton në kushte të mjerueshme. Ndërkohë, prindërit që e kanë adoptuar dhe e kanë rritur, tregojnë se nuk di gjë për këtë aktivitet të paligjshëm të Ledjanit. Babai i tij, Nasi Muçaraku, pohon se djali ka kohë që nuk jeton me ta dhe shprehet që nëse vërtetohet se ka shkelur ligjin, le ta ndëshkojë drejtësia. Ai pohon se Ledjani nuk u ka dhënë asnjëherë të holla dhe nuk kishin informacion për mashtrimet e tij. “Unë dhe ime shoqe nuk dimë gjë për atë se çfarë ka bërë djali. Ai ka shumë vite që ka ikur nga ne dhe thuajse s’kemi fare lidhje me të. As na ka thënë gjë dhe as kemi qenë në dijeni. Ja, siç e shikoni ne jetojmë në kushte të vështira ekonomike dhe nëse do të kishim lidhje me të, ai do të na kishte ndihmuar, por kurrë s’e ka bërë. Edhe në telefon nuk kemi folur”, ka pohuar Nasi, i cili ka shtuar se askush nuk ka shkuar në shtëpinë e tij për të kërkuar paratë apo për t’u ankuar, pasi të gjithë e dinin që ai nuk jetonte në fshat. Ledjani është adoptuar prej Nasi Muçarakut, kur ai ishte i martuar me gruan e parë që ka ndërruar jetë dhe e ka rritur së bashku me gruan e dytë.


 


 


Dëshmitë


Të njohurit rrëfejnë historitë e mashtrimit të 29-vjeçarit në fshatin e tij


Të mashtruarit: Ledjani futi në burg dy djem me dokumente fiktive


“Nuk e kishim menduar se ai kishte arritur të mashtronte qindra njerëz për t’u marrë para”


FASLLI M. BANOR I ZONESLedjani mësohet të ketë mashtruar edhe shumë bashkëfshatarë të tij. Banorë të fshatit Grykë e Seman janë shprehur se ai u ka marrë para me anë të gjykatës disa djemve të fshatit, të cilët studionin bashkë me të në Vlorë. Banorët thonë se kishin dëgjuar që ai vishej mirë e sillej si njeri me reputacion të lartë në Tiranë. “Me ato që dëgjonim prej tij kishim kuptuar se ishte bërë i fuqishëm në Tiranë dhe se i shkonte fjala në prokurori e gjykatë apo në institucione të tjera. Nuk e kishim menduar se ai kishte arritur deri në këtë pikë, të mashtronte qindra njerëz për t’u marrë para. Ne kishim parë që ai vishej si zotëri dhe se ndihmonte njerëz me para. Në fakt, kishim dëgjuar se disa persona i kishte paditur në gjykatë e prokurori, por nuk dinim kë të besonim, versionin e Ledjanit apo të tjerëve, të cilët ankoheshin se ai i kishte mashtruar. Tani e mësuam të vërtetën, kur e dëgjuam në media”, ka pohuar Faslli M., banor i fshatit. Ndërkohë, një prej viktimave të tij, familja Kuqi që banon në fshatin Topojë-Grykë, pohon se janë ende në proces gjyqësor me Muçarakun. Kjo, pasi ai kishte arritur të gënjente djalin e Filip dhe Florida Kuqit, duke pretenduar se i kishte dhënë hua dy milionë lekë të vjetra. Filip Kuqi, babai i studentit Petrit Kuqi, pohon se janë ende në proces gjyqësor në Shkallë të Dytë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, i kishte dhënë të drejtë mashtruesit, bazuar në dokumentet që ai kishte paraqitur. Po nga i njëjti fshat është edhe një tjetër student i arrestuar si pasojë e mashtrimit të Ledjanit. Familjarët e studentit Fatmir Prifti pohojnë se Ledjani ua futi djalin në burg. E. Hoxhaj